Loading...

Ulet numri i vrasjeve, Xhafaj: Shifra të pakrahasueshme me vitet e mëparshme

Numri i vrasjeve dhe plagosjeve në Shqipëri ka një ulje të ndjeshme, duke bërë që vendit të ketë shifra të krahasueshme me vendet e BE-së.

Në takimin e mbajtur sot në Tiranë në kuadër të iniciativës kundër trafikimit të armëve, e lançuar nga Gjermania dhe Franca, e cila funksionon nën kornizën e BE-së, ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj tha se “në vitet 2010 – 2013, gjatë atij 4-vjeçari, në veprat penale të regjistruara kishim mesatarisht 119 vrasje me armë zjarri dhe 167 plagosje të rënda me armë në një vit”.

” Në vitet 2014 – 2017 këto tregues zbritën në 69 vrasje dhe 136 plagosje të rënda mesatarisht në një vit. Pra nga 119 në 69 vrasje mesatarisht në një vit. Këto shifra janë shumë më të ulëta edhe gjatë këtij viti, të pakrahasueshme me vitet e mëparshme, por tashmë edhe në një nivel të mirë krahasimi me mesataren e vendeve e BE-së”, tha Xhafaj.

Ministri i Brendshëm lajmëroi dhe ngritjen e një strukturë të posaçme kundër armëve të zjarrit.

“Ministria e Brendshme mbetet tërësisht e angazhuar për ngritjen e Njësisë Qendrore te Armëve të Zjarrit, si strukturë organike, brenda tremujorit të parë të vitit 2019. Bashkëpunimi shumë i mirë me Ministrinë e Mbrojtjes do të vazhdojë dhe do të forcohet, sidomos në aspektin e shkatërrimit të armëve dhe municioneve të tepërta. Ne synojmë gjithashtu që të rritet më tej përdorimi i analizës së riskut nga ana e institucioneve tona ligj-zbatuese. Investimet që jemi duke bërë për pajisjet e teknologjisë së lartë si për regjistrimin dhe shënjimin e armëve të zjarrit, por dhe për Institutin e Policisë Shkencore, megjithëse janë ende modeste, në raport me nevojat që kemi, do të rrisin shumë shanset për identifikimin e keqbërësve dhe kontrollin sistematik të armëve të zjarrit”, tha Xhafaj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com