Loading...

Turizmi i peizazhit, vjeshta sjell vizitorë në malet e Shqipërisë

“Vjeshta ka ulur numrin e turistëve në bregdet, por jo të atyre që preferojnë ecjen në natyrën e bukur dhe peizazhin shqiptar”. Kështu shprehen punonjësit specialistë të guidave malore në Administratën e Zonave të Mbrojtura të Beratit.

Punonjësit e kësaj administrate çdo ditë janë në aktivitet në qendrën e tyre të Pritjes së Vizitorëve, për të udhëzuar dhe shoqëruar vizitorët e ndryshëm që ngjiten drejt peizazheve vjeshtore në faqet malore të Tomorit.

Së fundmi ata shoqëruan një grup turistësh gjermanë prej 14 vetash, që me mjetet e tyre kishin për guidë lëvizjen nga Berati, në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit dhe më pas, nëpërmjet lumit të Tomoricës udhëtuan drejt Gramshit ku u ndalën në Ujvarën e Sotirës e më pas vazhduan në destinacionin e tyre.

“Gjatë lëvizjes  në zonën e Kulmakut në malin e Tomorit,  kontaktuam dhe ndihmuam në lëvizjen me mjetet e tyre drejt majës jugore të Malit të Tomorit tre grupe turistësh: një çift çekësh, një çift hungarezësh dhe tete polakë në dy makina të cilët i orientuam në drejtimin e kërkuar prej tyre” thotë Fatos Nako, Drejtor i AdZM Berat.

Nën këmbët e malit madhështor të Tomorrit, ndodhen disa fshatra malore, që tashmë janë kthyer në kuriozitete për turistët e aventurës, historisë dhe të mitologjisë.  Këtu ndodhen Dardha, Qaf-Dardha, Perisnaka, Kostreni i Madh, Bogdani… Bukuritë përrallore të kësaj zone nuk mund të rrëfehen pa i parë me sy. Ndër to, dy liqene në rrëzë të malit, 1100 metra mbi nivelin e detit, të mbushur dimër e verë plot me ujë e gjallesa ujore.

Peizazhet janë befasuese me ujëvara, burime, liqene e shkëmbinj të thepisur. Ka disa liqene akullnajore, ku në krye të tyre ndodhet “Sheshi i Shën-Pjetrit”. Rreth e përqark tij bëjnë hijeshi pishat.

Pak me tej gjenden rrënojat e një qyteze të çuditshme, me themele dhe murana që nuk dihet kush i ndërtoi dhe kush i shkatërroi. Qyteza ende pret arkeologët të vendosin emra dhe mbiemra, të caktojnë ditëlindje dhe ditëvdekje.

Në Qaf-Dardhë ndodhet edhe çezma e Tarikos, ku udhëtarët shuajnë etjen dhe shlodhen duke marr udhëzime për vazhdimin e mëtejshëm të itinerarit. Aty në një pllakë guri shkruhet: “Pini ujë dhe uroni/ Tarikon ta kujtoni/ Jam e ëma e Demirit/ Mbeta garibe (e vetmuar) nga dora e qafirit”.

Fatosi thotë se: ”Ishte kënaqësi kur i shihje që ishin goxha të informuar dhe me guida të vetpërcaktuara prej tyre që më parë. Kjo tregon që informacionet  për zonat malore mund t’i gjesh lehtë në internet”.

E verdha vjeshtore ka trokitur kudo, turistët pasionant të kësaj panorama po vërshojnë dhe  Shqipëria po futet fort në tregun turistik edhe në guidat e peizazhit natyror./atsh

 

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com