Në prag të zgjedhjeve lokale, ku opozita ka deklaruar se do të dalë me kandidatë t përbashkët, ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli thotë se aleanca e PD-së me LSI nuk është diskutuar kurrë në forumet e partisë.
Ish-kryetarja e Kuvendit pohoi se ka qenë gjithmonë kundër një aleance me një forcë të majtë, ndërsa shtoi se demokratët e kanë paguar një herë shtrenjtë qeverisjen me LSI. Sipas zonjës Topalli sot nuk ka më Parti Demokratike, ndërsa Lulzim Bashën e quan thjeshtë në vartës të kryeministrit Edi Rama.
“Lidhja e Lulzim Bashës me LSI është një histori e vjetër miqësie personale e të parit. Në forumet e PD nuk është diskutuar kurrë një aleancë e tillë. Lulzimi nuk i njeh forumet dhe as statusin. Siç e din çdokush ai kurrë nuk i mbledh ata. (Meqë ra fjala, PD është edhe pa statut, sepse kur e votoi në pranverë nuk kishte as kuorum). Unë kam qenë gjithmonë kundër një aleance me një forcë të majtë. Një herë që hymë në qeveri me LSI e paguam shumë shtrenjtë”, tha Topalli.