Për shkak të mungesës së parave, unë ju ofroj një nga veshkat e mia. Kurrë në jetë nuk kam pirë duhan, nuk kam pirë alkool, jam ushqyer shëndetshëm dhe kam ushtruar sport. Për pyetje apo paqartësi, unë jam i gatshëm t`ju ndihmoj”. Ky është përshkrimi i produktit për një ofertë jo të përditshme në Ricardo.ch.nga një shitës i dyshuar shqiptar.
Oferta minimale për një veshkë fillon me 50.000 franga, për një çmim blerje prej 100.000 frangash, që mund të shitet menjëherë. Shitësi të hollat ia ka dashur të gatshme. Por, ai premton një veshkë të shëndetshme, e cila mund të dorëzohet menjëherë. Mbetet e paqartë se si do të zhvillohej transplantimi saktësisht dhe se si do të testohej funksionimi i veshkës. Detajet rreth dorëzimit do të duhej të diskutoheshin.
Oferta është dashur të zgjasë deri më 29 shtator. Deri të enjten në mëngjes, ajo ka qenë ende e disponueshme. Në ndërkohë, ju nuk mund ta bleni veshkën më. Pasi Ricardo.ch ka hequr menjëherë ofertën. Në vend të kësaj, shfaqet një mesazh ku thuhet: “Kjo ofertë nuk përputhej me termet dhe kushtet e Ricardo.ch, prandaj është ndërprerë para kohe”.
Ricardo i përket Tamedia-s, njësoj sikurse edhe “20 minuta”, transmeton Albinfo.ch. Sipas zëdhënësit Simon Marquard, veshka ishte në internet gjatë natës së mërkurë menjëherë pas mesnatës. “Menjëherë pas kësaj, nga një përdorues i shërbimit është raportuar tek Ricardo. Oferta u mbyll në mëngjes, dhe kjo iu komunikua edhe shitësit”. Sipas Marquard, Ricardo ka disa mekanizma kontrolli të automatizuara dhe manuale që kontrollojnë ofertat. Përveç kësaj, Ricardo kontrollon njoftimet e ndryshme, të cilat raportohen drejtpërdrejt nga anëtarët.
Marquard vë në dukje: “Nuk është kurrë e qartë nëse një ofertë e tillë vërtetë është serioze. Sidoqoftë, është e ndaluar që të ofrohen organe dhe pjesë të tjera të trupit njerëzor përmes Ricardo-s. Kjo është gjithashtu e përmendur në mënyrë eksplicite në listën tonë të ndalimeve”.
Deri më tani nuk dihet ndonjë rast i mëtejshëm i ofertimit të veshkës.
“Natyrisht, kuriozitetet vazhdojnë të shfaqen në Ricardo, gjë që në rastin më të mirë tregon gjithashtu edhe humor. Psh, për një person i cili donte të shiste motrën e tij, sepse ajo këndonte me zë të lartë etj. Gjithashtu edhe kjo ofertë është hequr. Këtu dikush ka dashur të zbulojë nëse tek Ricardo mund të shitet gjithçka dhe asgjë”./korrieri