Loading...

Shqipëria, toka e shqiponjave, ofron shumë për të gjithë/Foto

Blogerja e famshme italiane për udhëtimet Marianna Norillo, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë Shqipërisë dhe vendeve turistike të saj duke propozuar njohjen e këtij vendi.

Ajo ka ndarë përvojën e saj në vendet që ka vizituar, duke u dhënë disa propozime interesante turistëve të huaj në këtë fillim sezoni turistik.
Marianna Norillo e nis shkrimin në blogun e saj për Shqipërinë duke u shprehur se ”toka e shqiponjave me të vërtetë ofron shumë për të gjithë. Unë propozoj një artikull me rreth 10 vendet më të bukura për t’u vizituar në Shqipëri, të cilat i kam vizituar dhe vetë. Zgjidhni atë që ju intrigon më së shumti”, shprehet ajo.

1. Kruja
Ndër gjërat më të bukura për të parë në Shqipëri, nuk mund të mungojë Kruja e heroit kombëtar Skënderbeut, qyteti ku kam vizituar kështjellën me të njëjtin emër dhe Pazarin e Vjetër. Ky është një qytet i vogël i qetë dhe me vlerë të rëndësishme historike të kalasë, me praninë e muzeut historik “Gjergj Kastrioti”, një itinerar mbi historinë e qytetit të Krujës dhe historisë së Skënderbeut dhe rezistencës së tij kundër osmanëve, ngjarje që kujtohet me krenari nga të gjithë shqiptarët.

2. Tirana
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë gjithashtu meriton të jetë në listën e vendeve më të bukura për të parë në Shqipëri. Dhe jo sepse është madhështor, emocionues, modern, kozmopolit, por sepse është një kryeqytet i ndryshëm nga të gjithë të tjerët. Një kryeqytet që nuk kujdeset për t’u mbushur me gjëra të padobishme, por dëshiron të paraqitet thjesht për atë që është me të vërtetë. Tirana është një kryeqytet i këndshëm dhe i vërtetë. Për t’a çmuar atë, është e nevojshme të shkojmë përtej klisheve dhe konceptit stereotipik të bukurisë. Në këtë mënyrë mund të përshtatesh me bukurinë e saj, një bukuri që tejkalon pamjen.

3. Berati
Në listën e asaj që duhet të shohim në Shqipëri duhet të përfshihet Berati, “qyteti me një mijë dritare” trashëgimi e UNESCO-s që nga viti 1992. Për të arritur atje, duhen dy orë për të udhëtuar nga Tirana. Pasi të arrini, përveç një shëtitje në qytetin e vjetër dhe një shëtitje përgjatë lumit Osum, nuk mund të humbisni një vizitë në kala, një nga monumentet më të mëdha historike në Ballkan.

4. Vlora
Vlora është një nga vendpushimet më të famshme turistike në bregdetin shqiptar, edhe për shkak se ajo gëzon një klimë vërtet të mrekullueshme gjatë gjithë vitit. Vera është e nxehtë, por edhe në dimër është shumë mirë dhe reshjet janë të rralla: në 365 ditë, të paktën 266 janë me diell, dhe Vlora konsiderohet si një nga qytetet me ditët më me diell në Shqipëri. Nuk është çudi që është një nga destinacionet më popullore për turistët, të cilët mund të shijojnë si detin e qetë, ashtu edhe plazhin me rërë tipike të Adriatikut dhe ato plazhe shkëmbore tipike të detit Jon.

5. Zvërneci
Ka një vend shumë të veçantë në periferi të Vlorës që pak e dinë: Ishulli i Zvërnecit, i vendosur në mes të lagunës së Nartës. Ai ofron një pamje spektakolare dhe mistike, veçanërisht në perëndim të diellit, një pjesë e vogël toke të çon në manastirin ortodoks të Shën Marisë, që daton në shekullin e 13-të dhe 14-të, dhe që i mbijetoi braktisjes së filluar në vitin 1966, pas fushatës së ateizmit të dëshiruar nga diktatura e Hoxhës. Ndër të gjitha gjërat që kam parë në itinerarin tim 5-ditor në Shqipëri, Zvërneci është një nga më të bukurit, më besoni, shprehet blogerja Norillo.

6. Llogaraja
Shëtitja në Llogara është një kalim i pabesueshëm malor brenda në Parkun Kombëtar me të njëtin emër, është një nga gjërat më të bukura për të parë në Shqipëri. Prej këtu ju mund të shijoni një pamje të jashtëzakonshme të Rivierës Shqiptare, të arritshme në pak minuta, një pamje spektakolare dhe panoramike, midis detit dhe malit të Çikës. Gjithashtu në Llogara do të keni një mundësi për të shijuar një ëmbëlsirë shqiptare tipike të kësaj zone, kos me mjaltë dhe arra të grira.

7. Porto Palermo
Të gjitha vendet e Rivierës Shqiptare janë të bukura. Unë mendoj për plazhin e Dhërmiut dhe atë të Himarës, me vendet karakteristike ku mund të pini diçka me pamje nga deti. Një pikë e e veçantë është gjiri i Porto Palermos, që më ka lënë pa fjalë aq shumë, saqë unë mendoj se kam marrë të paktën 50 fotografi në të njëjtin peizazh. Këtu qëndron kalaja e Ali Pashës, e quajtur në mënyrë të pahijshme kështjellë, të cilën ushtarët italianë që ishin në këtë vend të shkretuar gjatë Luftës së Dytë Botërore e quajtën “Porto Palermo”, në kujtim të portit të njëjtë italian.

8. Syri i kaltër
Syri i Kaltër është një parajsë natyrore e bukurisë së rrallë, e mbushur nga turistët dhe e përfshirë në çdo itinerar udhëtimi në Shqipëri. Emri nuk është i rastësishëm, por i referohet formës së burimit që ngjan me një sy të madh ngjyrë blu dhe blu të errët. Unë e pashë atë në fund të një dite të gjatë, paksa me shpejtësi. Nëse keni më shumë kohë, ndaloni t’a admironi Syrin e Kaltër dhe peizazhin përreth.

9. Saranda

Saranda, një qytet në Shqipërinë jugore, i pasur me histori dhe bukuri natyrore, është ndër më të dashurit nga vendasit dhe turistët e huaj që kalojnë pushimet në plazhet e rërës së bardhë ose gëlqerore, plazhe me ujëra të pastra kristal dhe detit magjepsës, me restorantet me pamje nga deti për të kaluar mbrëmjet e ngrohta të verës. Ndër gjërat që duhen parë në Shqipëri, kjo është një nga më të bukurat, atë që vështirë do t’a harroni. Më pëlqeu vërtet!

10. Butrinti
Një vend tjetër për të parë në Shqipëri është Butrinti, një domosdoshmëri për t’a vizituar. Vizita në parkun arkeologjik të Butrintit, një tjetër trashëgimi e madhe e UNESCO-s në Shqipëri, ishte vërtet emocionuese, më besoni jo vetëm për rëndësinë e saj kulturore, historike dhe arkeologjike, por edhe për ambientin romantik dhe poetik. Nëse jeni të interesuar për arkeologjinë, ose thjesht dëshironi të përjetoni një mrekulli të vërtetë të Shqipërisë, shkoni atje! /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com