Loading...

Shqipëria po shuhet, raportet tregojnë sa banorë do ketë në 2030

Organizata e Kombeve të Bashkuara e renditi Shqipërinë në grupin e dhjetë vendeve që ka pësuar plakjen më të shpejtë të popullsisë gjatë periudhës 2000-2011, në Raportin e Plakjes Globale 2017.
Faktorët e keqkombinuar nga emigracioni dhe rënia e lindjeve bashkë me indiferentizmin për të përballur pasojat, do ta bëjnë të vështirë tranzicionin e popullatës

Disa sektorë si bujqësia dhe fasoni kanë nisur të vuajnë mungesën e krahut të punës, ndërkohë që popullsia e vendit është futur në një proces të shpejtë plakje. Divizioni i popullsisë në Kombet e Bashkuara e renditi Shqipërinë si një ndër dhjetë vendet me procesin më të shpejtë të plakjes së popullsisë gjatë periudhës 2000-2011. Numri i të moshuarve mbi 60 vjeç është shtuar me 7.3% në këtë periudhë. Shqipëria renditet e teta në botë pas SHBA-së, Japonisë, Guadalupe, Maltës, Martinique, Koresë së Jugut dhe Curaçaos për plakjen e shpejtë në rang global në vitet në vijim.

Në vitin 2017, shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit ishin 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 19% të gjithë totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011. Në vitin 2030, sipas projeksionit të Kombeve të Bashkuara, popullsia mbi 60 vjeç do të jetë 26.6% të totalit të popullsisë sipas projeksioneve normale, pa goditje të forta të emigracionit.

Në disa vende në zhvillim, ndër to edhe Shqipëria, popullsia po plaket me shpejtësi me ritme më të shpejta se sa kishte ndodhur në vendet e tjera të zhvilluara. Për shembull, në Francë, plakja e popullsisë kërkoi 115 vjet, në Suedi 85 vjet, Australi 73 vjet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës 45 vjet. Në këto vende, gjatë këtyre viteve, popullsia mbi 60 vjeç u rrit nga 7 në 14%.

Në vendet që sot janë në tranzicion, ky proces ka ndodhur në më pak se 23 vjet. Projeksionet tregojnë se për Brazilin dhe Kolumbinë, dyfishimi i numrit të të moshuarve do të kërkojë vetëm 22 vjet. Kjo qasje e re e popullsisë po prodhon një tranzicion të ri demografik për këto vende që do të duhet të përshtaten shumë shpejt me një strukturë të re popullsie.

Sot vendet në zhvillim do të duhet të përshtaten shumë shpejt me situatën në një kohë që ato kanë të ardhura për frymë shumë më të ulëta se sa vendet e zhvilluara kur u përballën me këto sfida. Numri i shteteve me moshë të re popullsie ka rënë dukshëm me kalimin e kohës. Ndërsa në vitin 2017 numëroheshin 39 shtete që kishin rreth 5% të popullsisë mbi 60 vjeç, në vitin 2050, vetëm Nigeria do të ketë në popullsinë e saj persona mbi 60 vjeç vetëm 5% të totalit.

Lindjet e shumta më 1950, më shumë pleq më 2020

Vendet që kanë përjetuar një baby boom gjatë viteve 1950-1960 do të ketë ritme të forta të plakjes së popullsisë gjatë dekadës në vijim, në kushte kur numri i lindjeve ka rënë. Në Shqipëri, indeksi i fertilitetit ishte 6.8 lindje për grua në vitet 1960, ky raport ra në 2.1 lindje për grua në vitin 2001 dhe në 1.7 në vitin 2011. Indeksi sintetik i fekondimit (ISF) i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese, shënon, 1,48 fëmijë për vitin 2017.

Kjo do të thotë se në 100 femra, pritet të lindin 148 fëmijë, nëse normat e lindshmërisë sipas grupmoshave janë ato të vitit referues, 2017. Sipas INSTAT, ky indeks është nën normën e zëvendësimit, 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20 – 24 vjeç dhe 25 – 29 vjeç, ndërsa për grupmoshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë.

Për shkak të lindjeve të mëdha në vitet 1960, numri i personave të moshuar në Shqipëri do të rritet me shpejtësi në dekadën në vijim Në të kundërt, në Suedi, pjelloria totale ishte vetëm 2.2 lindje për grua në 1950-1955, dhe popullsia e vjetër aktualisht po rritet më ngadalë se sa në Shqipëri, me një normë mesatare vjetore prej 1.1% gjatë 2010-2015.
Për shkak se normat e fertilitetit në mesin e shekullit ishin të larta, mbi pesë lindje për grua në Shqipëri, normat e rritjes së popullsisë në moshë të vjetër do të jenë shumë më të larta se në Europë, ku pjelloria në vitet 1950-1955 tashmë kishte rënë nën tre lindje për grua shumë vende.

Faktorë të kombinuar keq

Ndërsa rënia e pjellorisë dhe rritja e jetëgjatësisë janë nxitësit kryesorë të plakjes së popullsisë globalisht, migrimi ndërkombëtar ka kontribuar gjithashtu në ndryshimin e strukturave të moshës së popullsisë në Shqipëri, thotë raporti i OKB-së. Por gjithashtu migracioni ndërkombëtar mund të ngadalësojë procesin e plakjes në vendet që po përjetojnë flukse të mëdha të pritjes së emigrantëve, pasi emigrantët kanë tendencë të jenë në moshë pune.

Në vendet me popullsi në plakje, pritja e emigrantëve mund të jetë zgjidhja më e shpejtë për ruajtjen e balancave në strukturat e popullsisë. Rezervat e refugjatëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme shihen si zgjidhje. Në vitin 2015, plakja e popullsisë u citua si një shqetësim i madh për 20 vitet në vijim, teksa shumë vende të zhvilluara që po përjetojnë plakjen e popullsisë po lehtësojnë procedurat për emigrantët.

Por ndërkohë, Shqipëria po përjeton njëkohësisht edhe plakje të popullsisë, edhe rritje të nivelit të emigracionit, teksa nuk ka politika për stimulimin e lindjes, as për frenimin dhe ikjen jashtë, teksa nuk bëhet fjalë për stimulimin e pritjes së të huajve si emigrantë. Një hartë e publikuar nga OKB së fundmi tregonte se në vitin 2015, rreth 1.12 milionë shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10 mijë.

Sipas Censusit të fundit të INSTAT (2011), rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend. Ritmet e rritjes së popullsisë janë shumë të ulëta, për shkak të rritjes së moshës mesatare (që ka arritur rreth 37 vjeç) dhe përshpejtimit të emigracionit, sidomos vitin e fundit.

Emigracioni i forcës së kualifikuar të punës ka ndikuar shumë negativisht në rritjen e ekonomisë së vendit. Një studim i Departamentit të Europës në FMN, ka gjetur se gjatë periudhës 1995-2012, emigracioni ka pasur efekt negativ me 18% në PBB e vendit. Kjo humbje ishte më e larta se në vendet e tjera të rajonit, me shkak emigracionin. Dëmi më i madh, sipas FMN, është krijuar nga emigrimi i forcës së kualifikuar të punës. Humbjet më të larta në PBB, me rreth 16%, i ka krijuar ikja nga vendi i forcës së kualifikuar të punës, në raport me emigrantët që kanë pasur aftësi të ulëta.

Ashtu si për lindshmërinë, të rinjtë janë nxitësit kryesorë të migracionit, të brendshëm dhe ndërkombëtar. Heqja e barrierave ndaj emigracionit, trazirat sociale në vitet 1990, papunësia e lartë dhe mundësi më të mira për punë dhe studime jashtë vendit gjenerojnë një fluks të vazhdueshëm emigracioni më së shumti drejt Greqisë dhe Italisë. Censusi i vitit 2011 tregoi që emigracioni ka qenë faktori më i rëndësishëm për humbjen neto të popullsisë me 269 mijë persona, ndërmjet vitit 2001 dhe 2011, të shprehur në përqindje si 8.8% e popullsisë në vitin 2001.

Gjatë kësaj periudhe vlerësohet që 482 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi. Ashtu siç ndodh zakonisht në migracion, grupmosha që u përfshi më shumë në përvojën e migracionit është ajo e të rinjve të rritur. Numri total i të rinjve që kanë emigruar në periudhën ndërmjet censuseve 2001-2011 vlerësohet 225 mijë persona dhe grupmosha 20-24 vjeç dhe 25-29 vjeç ka më shumë emigrantë sesa çdo grupmoshë tjetër. Por fenomeni është kthyer fuqishëm dy vitet fundit. Megjithatë, arsyet ekonomike për emigracionin mbizotërojnë ende mes grave dhe burrave. Në Censusin e vitit 2011, këto janë përcaktuar si arsyet kryesore për 74% të të rinjve që kanë ikur nga shtëpia për të shkuar jashtë shtetit.

Raporti i varësisë në përkeqësim
Kombet e Bashkuara raportojnë se plakja e popullsisë është nxitur nga rënia e lindjeve, rritja e jetëgjatësisë. Kjo nënkupton se popullsia e globit pret të jetojë më gjatë, ndërkohë që do të ketë më pak fëmijë të rritur si burime të mundshme për të mbështetur plakjen tonë. Raporti i varësisë globale më 2017 ishte 100 persona në moshë punë për 74 persona pensionistë.

Në Europë në vitin 2017, kishte 30 persona të moshës 65 vjeç, ose në 100 persona në moshë pune dhe raporti i varësisë së pleqërisë është parashikuar të rritet ndjeshëm në rajon, duke arritur 53 në vitin 2050. Po ashtu, Amerika e Veriut pritet të shohë rritje të mprehtë të raportit të varësisë së pleqërisë, Raporti i varësisë së pleqërisë pritet të rritet në Azi dhe në Amerikën Latine më shumë se dyfishi nga 14 në 2017, për të arritur 34 në vitin në vitin 2050. Ky raport do të rritet me ngadalë në Afrikë.

Në Shqipëri, skenari i rritjes së mesme sipas INSTAT nënkupton 30 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune në vitin 2031. Nëse plakja e avancuar ndodh kur raporti i varësisë të të moshuarve kalon atë të të rinjve, atëherë fillimi i saj në Shqipëri mund të pritet përpara vitit 2025.
Popullsia e Shqipërisë, jo vetëm që do të plaket, por strukturat e plakjes parashikohen të ndryshojnë në të ardhmen. Deri në vitin 2011, plakja nxitej nga tkurrja e brezave të lindur d.m.th plakje në bazë të piramidës: raporti i varësisë të të rinjve pësoi rënie nga 53 fëmijë për 100 të rritur në moshë pune në vitin 1989 në 32 fëmijë në vitin 2011.

Deri tani, varësia e të moshuarve ka qenë e kufizuar, megjithëse ajo është dyfishuar nga 8 në 16 individë për 100 të rritur në moshë pune përgjatë 2000-2011. Varësia e të rinjve parashikohet të bjerë me një ritëm të ngjashëm krahasuar me rritjen e varësisë të të moshuarve deri në vitin 2021 (një rënie deri në 25 të rinj dhe një rritje deri në 23 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune respektivisht, sipas skenarit të rritjes mesatare). Në dekadën e dytë të projeksioneve, tendenca e varësisë të të rinjve varet nga skenari, me një tendencë stabilizimi ose të një rënieje të lehtë. Tendenca në rritje e varësisë të të moshuarve do të intensifikohet kur brezat e foshnjave të lindura gjatë gjeneratës baby-boom të fillojnë të arrijnë moshën e pensionit në vitet 2020.

Rritet numri i personave që jetojnë vetëm
Raporti i Kombeve të Bashkuara zbuloi se në Shqipëri, sipas të dhënave që i referohen deri në vitin 2009, 13% e të moshuarve mbi 60 vjeç jetonin vetëm, teksa raportohen se rreth 60% e të moshuarve jetojnë me fëmijët dhe pjesa tjetër rreth 30% jetojnë me bashkëshortin ose bashkëshorten. Mirëpo raportet mund të kenë ndryshuar shumë në këto tetë vite, kur më shumë persona të moshuar jetojnë vetëm. Kombet e Bashkuara vërejnë se personat që jetojnë vetëm në rang global janë rritur shumë.

Disa të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik zbulojnë se në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit, tregojnë se më shumë se 2/3 e të moshuarve janë të sëmurë apo vuajnë nga një sëmundje kronike, ndërkohë 1/3 e tyre raportojnë se vuajnë nga më shumë se një sëmundje apo problem shëndetësor. Vetëm 12% e të moshuarve raportojnë se nuk kanë pasur nevojë për të përdorur shërbimet shëndetësore gjatë pesë viteve të fundit.

Numri i të moshuarve që përdorin shërbimet shëndetësore parësore përbën pothuaj gjysmën e tyre dhe prirja është drejt rritjes. Gjithashtu, të moshuarit konsumojnë pothuaj gjysmën e barnave mjekësore, ose më shumë se trefishin krahasuar me të sëmurët e moshave të tjera. Nga 530 mijë të moshuar, të regjistruar tek Mjeku i Familjes, rreth 405 mijë përdorin shërbimet e financuara nga skema e sigurimeve shëndetësore. Rreth 160 mijë janë përfitues të rregullt 1 – 4 recetave në muaj, që mesatarisht kapin vlerën e 252 milionë lekëve në muaj.

Sëmundjet kronike më të shpeshta të raportuara mes të moshuarve shqiptarë, janë sëmundjet kardiovaskulare me rreth 60%, diabeti me rreth 20%, të ndjekura nga sëmundjet gastrointestinale, sëmundjet kronike të mushkërive dhe artriti reumatid. Në vendin tonë, ende nuk është studiuar në mënyrë të përshtatshme prevalenca e problemeve të shëndetit mendor si neurozat dhe demencat. Pothuajse 70% raportojnë të kenë pasur probleme me sigurimin e medikamenteve të rekomanduara nga mjeku. Popullsia globale mbi moshën 60 vjeç arriti në 962 milionë në 2017, dy herë më shumë se në vitin 1980, kur kishte 382 milionë persona të moshuar në mbarë botën.

Numri i të moshuarve pritet të arrijë në vitin 2050, në pothuajse 2.1 miliardë. Globalisht, numri i njerëzve mbi 80 vjeç po rritet edhe më shpejt se numri i përgjithshëm i të moshuarve. Projeksionet tregojnë se numri i njerëzve mbi 80 apo më shumë në mbarë botën do të rritet më shumë se trefish midis 2017 dhe 2050, duke u rritur nga 137 milionë në 425 milionë. Dy të tretat e njerëzve të moshuar në botë jetojnë në vendet në zhvillim, ku numrat e tyre po rriten më shpejt se në rajonet e zhvilluara. Globalisht, gjatë viteve 2010-2015, gratë tejkaluan meshkujt me një jetëgjatësi mesatare prej 4.6 vjetësh.

Drejt “shuarjes”
Sipas projeksioneve të OKB-së, shekulli në të cilin jetojmë do të mbyllet me rezultate fatale të popullsisë së vendit, sipas projeksioneve të reja të Departamentit të Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni ndërkombëtar. Duke marrë në konsideratë ecurinë e popullsisë vetëm në normat bruto të lindjeve (norma e fertilitetit) sipas të gjithë skenarëve, Shqipëria do të ketë ulje të popullsisë së saj.

Varianti pesimist parashikon që në vitin në 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist që parashikon emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit deri në vitin 2100 të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka rishikuar me përkeqësim treguesit e popullsisë së Shqipërisë për këtë vit në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2017, OKB parashikoi që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë, me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB, ndërsa sipas projeksioneve të rishikuara të këtij viti, popullsia e Shqipërisë në vitin 2100 do të jetë 1,6 milionë banorë ose 100 mijë pak se projeksionet e vitit të kaluar./monitor

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com