Loading...

Provimi – Namik Selmani

Nga Namik Selmani :

Provimi

Në tingujsh zilesh shumë nxënës në jetë ke provuar
Para teje fytyrëkuqur kanë folur dhe kanë heshtur.
T ishe porta e parë e ndritishme e shkronjës së bekuar
Ku të mençurit në shekuj si kalorës fitimtarë kanë ecur.

Ke ngritur një ujëvarë Niagare brenda vetes
Në trigëllima zilesh kaçurelat u thinjën nga pak.
Ata, të urtët e trazovaçët të prishin gjumin netëve
Para provimit të radhës mbi një letër të bardhë.

O, nuk jam para teje kopjaxhiu me fytyrë të hutuar.
Nuk pres përgjigje nga larg në një ekran celulari
Paskam hapur duardridhur një portë të re të shenjtëruar
Ku zemra kalon gjithë testet e botës, me gjuhë zjarri.

Një zjarr që djeg në vite pengjet e largët ,të trishtë.
Një peng që shkrin borën e mbetur në flokë
Oh, falmë mësuese, që gjumit tënd ia dhashë arratinë
Dhe mbetëm të dy në këtë test të rrallë, mrekullor.

Sot, bëhu me mua mësuese, nxënësja më e urtë.
Testoje zemrën në një varg ëmbëltor, me poezi!
Lëri një çast tingujt e zileve që mbetën diku.
Bëhu arkitekte e një ditë që sjell misterin më të ri.

Sot bëhu me mua mjeke e fytyrës sime të skuqur
A thua se do ta kalojmë provimin e veçantë të zemrës?
Dhe thuaja qytetit, lumit se je bërë kaq e lumtur
Tek numëron dhe në dimër petalet e reja të pranverës.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com