Loading...

Pistat e reja, Berisha eleminoi Azem Hajdarin sepse ai zbuloi dokumentet e trafikut të naftës me Serbinë, dosjen e spiunëve të UDB dhe kërkoi t’i merrte PD-në

Dosja e UDB, dokumentet e trafikut të naftës dhe armëve me Milosheviçin, dhe nxjerrja në pritë e Azem Hajdarit për ta vrarë para selisë së PD, janë “hijet e zeza” që kërcënojnë Berishën. Ka frikë se këto dokumente mund të paraqiten në sallën e gjyqit.

Duhen dhe disa ditë që të bëhen 20 vite nga vrasja e Azem Hajdarit para selisë së PD dhe ende nuk është zbardhur plotësisht se kush ishte i interesuar për eleminimin e tij. “Gabimi” i Azemit ishte se deklaroi se zotëronte dokumentet e përfitimeve të Berishës e kupolës së PD të nxjerra nga trafiku i naftës me Milosheviçin e pastrimin përmes Piramidave, por dhe zhdukjen e dosjes me emrat e spiunëve të shërbimit sekret jugosllav. Kronologjia e një vrasjeje të paralajmëruar

Në historinë e vrasjeve të mëdha apo siç cilësohen madje vrasjet e shekullit nuk ka shumë rëndësi se kush e “tërhoqi këmbëzën” e armës, por se kush fshihet pas vrasësit.

Madje kjo ka qënë e fiksuar dhe në kodin mesjetar të shqiptarëve të të gjitha trevave, ku nuk merrej njeri me atë që bën vrasjen, por shihnin për llogari të kujt e ka bërë apo nga kush është paguar.

Dhe në rastin e vrasjes së liderit të Dhjetorit, ish deputetit të ndjerë Azem Hajdari, i cili mbush pas disa ditësh 20 vite nga vrasja e tij para selisë së PD, drejtësia tashmë nuk po orientohet vetëm drejt personave që bënë ekzekutimin natën e 12 shtatorit 1998.

Por duke qënë se jemi në një kohë moderne dhe kemi në ndërtim një shtet modern me një drejtësi moderne, paralel me hetimin dhe dënimin e ekzekutorëve dhe personave që ndihmuan vrasësit, një rëndësi të dorës së parë kanë marrë e marrin arësyet se përse u vra Azem Hajdari.

Për vetë rrethanat e asaj kohe, hetimet janë mbështetur vetëm më ato fakte gojore që ka deklaruar Berisha në ambasadën amerikane, si dhe në disa deklarime kontradiktore të njerëzve që kanë qënë prezentë rrotull selisë së PD, që si për koncidencë janë të afërm të Berishës.

Për hir të së vërtetës kur duhen dhe disa ditë që Azem Hajdari të mbushë 20 vite që prehet nën tokë, kur janë dënuar Jaho Salihi-Mulosmani e vëllezërit Haxhia, Izeti vjen nga Turqia e tashmë pret të hapet çështja “Hajdari” që të fitojë pafajsinë, askush nuk e di se përse është vrarë Azemi.

Nuk ka një version të qartë se përse është vrarë, duke e shtyrë në mënyrë zyrtare pistën kryesore drejt asaj të përplasjes me grupin e Tropojës të kryesuar nga Fatmir Haklaj dhe duke u dhënë jetë zërave se ishte një përplasje personale me të.

Një version i tillë jepet dhe përmes shfrytëzimit të faktit se Fatmir Haklaj nuk jeton më, ka mbijetuar vetëm vëllai i madh i tij që bashkë me plakun e Haklajve Muharremin dhe motrën Zylfije tashmë janë në Suedi, ku kanë përfituar azilin politik.

Pra duke qënë se askush nuk mund të mbrojë një version të kundërt është lënë varianti i Sali Berishës se vrasësit janë Haklajt, Haxhiajt dhe mbështetësit e tyre në qeverinë e atëhershme të socialistëve të kryesuar nga Fatos Nano.

Pavarësisht se Berisha kur erdhi në pushtet, pasi e bëri mik Fatos Nanon ia hoqi “akuzën” që ia kishte lënë si kryevrasësi i Azem Hajdarit, akuzë që tashmë e përdor vetëm ndaj Fatos Klosit dhe Skënder Gjinushit, përkatësisht ish kryetar SHISH dhe ish kryetar Kuvendi.

Vrasja e Azem Hajdarit nuk ishte çështje inati dhe përplasjeje mes krerëve të fiseve të Tropojës, ishte diçka më e thellë dhe kishte të bënte kryekëput me marrëdhëniet e Azem Hajdarit me Sali Berishën.

Eshtë gjallë gazetari që ka marrë në intervistë në atë kohë Azem Hajdarin, në pranverën e vitit 1996, është e botuar në media dhe mund ta shohë kushdo që e kërkon në arkivën e Bibliotekës Kombëtare, tashmë dhe të dixhitalizuar, shqetësimin e Azem Hajdarit për dy çështje kryesore.

Çështja e parë kishtë të bënte me zhdukjen e dosjes së ish spiunëve të UDB Jugosllave, shërbimit sekret të fqinjit tonë verior, asokohe Republikë Federative.

Azem Hajdari me statusin e kreut të Komisionit Parlamentar të Rendit dhe të SHIK, për këdo që ka harruar e ka pasur zyrën në katin e katërt të kryesisë së Kuvendit, ngriti zërin në fillim në mbledhjen e grupit të PD dhe më pas në media, zyrtarisht përmes një interviste te gjatë në një gazetë të përditshme, ku tha se është zhdukur vetëm dosja e spiunëve të UDB.

E tha pikërisht në momentin kur po bëhej përzgjedhja e kandidatëve për deputetë të PD, dhe Berisha kishte menduar që të linte jashtë garës Azem Hajdarin. Asokohe Azemin e sulmuan dhe e denigruan duke e cilësuar spiun të Sigurimit të Shtetit dhe të gjitha llojet e fyerjeve, madje i thanë se është dhe “gjobaxhi” ndaj kolegëve dhe kontributorëve që rrëzuan komunizmin.

Në mënyrë indirekte e sulmuan Azem Hajdarin se po “gjobiste” Sali Berishën, thjeshtë dhe vetëm për të pasur një vend të sigurtë në listën e kandidatëve për deputetë, ishte sistemi mazhoritar asokohe në fuqi dhe Azemi fitonte sidomos në veri të vendit.

Hajdari kishte probleme me grupin e PD, ishte i përjashtuar prej tij dhe nuk bënte pjesë as në kryesinë e kësaj partie, për shkak se i kishte futur një shpullë njërit prej zyrtarëve të PD.

Azemi akuzonte në mënyrë të drejtëpërdrejtë Sali Berishën, në çdo tavolinë e thoshte këtë, se ai duke qënë një spiun i kahershëm i UDB jugosllave kishte zhdukur dosjen me listën e këtyre spiunëve. Pasi listat e spiunëve të Greqisë, Italisë dhe të shteteve të tjera nuk ishin eleminuar. Madje akuzonte dhe Bashkim Gazideden për këtë fakt.

Akuza e dytë e Azem Hajdarit ka qënë ajo e trafikut të naftës, armëve dhe municioneve me ish Jugosllavinë e Milosheviçit dhe thyerjes së embargos së vënë nga ana e OKB.

Duke përdorur një raport të OKB të asaj kohe që e nënvizonte këtë akuzë ndaj qeverisë së PD, Hajdari publikisht akuzoi kupolën e PD për përvetësimin e shumave të mëdha të parave të nxjerra nga trafiku i naftës, armëve dhe municioneve me Milosheviçin.

Hajdari pati përdorur në atë kohë dhe shprehjen e famshme se “nëse Mali i Zi bëri trafik shtetëror me naftën dhe ngriti shtetin dhe mirëqenien e tij, kupola e PD e përdori vetëm për pasurimin e një grushti njerëzish me në krye Marshallin”.

Dhe “Marshalli” ishte eipeti me të cilin thirrej Sali Berisha në atë kohë dhe më pas nga njerëzit e PD. Çka tregon se Azem Hajdari ngriti akuza të forta, sipas të cilave Berisha dhe njerëzit afër tij, Genc Pollo, Tritan Shehu, Genc Ruli etj kishin përvetësuar përmes firmës “Shqiponja” shuma të mëdha parash nga trafiku i naftës me Milosheviçin.

Berisha përmes njerëzve të tij sulmonte Azem Hajdarin, me argumentin se kërkonte të fuste në dorë tregtinë e naftës së firmës së PD, “Shqiponja” për pasurim personal. Ndoshta kishin dhe të drejtë në këto akuza, që kishin si prelud kryeakuzën se Azemi kërkonte pjesën e tij në trafikun e naftës me ish Jugosllavinë.

Asokohe Azem Hajdari bëri deklaratën e fortë se kishte dokumente dhe fakte që vertetonin trafikun e naftës me Milosheviçin dhe përvetësimin e shumave marramendëse nga “Marshalli” Sali Berisha dhe kupola afër tij.

Pavarësisht se nuk i botoi asnjëherë këto prova dhe dokumente, mbështetës të tij thonë se i kishte, madje i mbante gjithnjë me vete në çantën e tij të vogël që nuk e ndante asnjëherë, bashkë me armën e tij. Megjithatë Azemi shkaktoi frikë me deklaratën.

Menjëherë pas këtyre deklaratave filloi një periudhë zbutjeje ndaj Hajdarit, madje iu dha dhe rol më i madh në selinë e PD, u bë deputet, dhe në periudhën e mëpasme, ndonëse nuk u afrua shumë nga Berisha, politika ishte zbutëse ndaj tij.

Por Azemi sërish bëri gabimin fatal, teksa mendoi se me daljen e PD në opozitë ishte dobësuar roli i Sali Berishës, përkundër rolit të tij që e mendonte se ishte shumë në ngjitje, sa pretendoi që të marrë dhe drejtimin e PD.

Azem Hajdari shtoi shumë aktivitetin e tij në takimet në të gjithë vendin, madje shkonte dhe në Vlorë dhe zonat e Jugut, për shkak se ai kurrë nuk kishte pasur një post shtetëror që të përlyhej në korrupsion dhe krime zyrtarisht. Pra po përgatiste hapur terrenin për të larguar Berishën.

Dhe si rastësisht sërish filloi të deklaronte nëpër takime të hapura e të mbyllura zhdukjen e dosjes së spiunëve të UDB dhe përvetësimin e parave të trafikut të naftës dhe të armëve me Milosheviçin, që u pastruan përmes firmave piramidale, që nuk ishin pa dijeninë e “Marshallit”.

Pikërisht akuza të tilla dhe tentativa e Hajdarit për ta zhvendosur nga drejtimi i PD, solli dhe reagimin e Berishës. I cili punoi deri në fund për vrasjen e Azem Hajdarit, me metodat më të sofistikuara, duke bërë që dhe ta largonte shënjestrimin e drejtësisë nga vetja si vrasës i liderit të dhjetorit.

Pjesa tjetër dihet tashmë, të gjithë punuan për vrasjen e Hajdarit, Berisha e nxori me njerëzit e tij në pritë dhe e ekzekutuan para selisë së PD. Pas kësaj ai ka dirigjuar gjithë skenarin e hetimit të kësaj vrasjeje, duke mos zbardhur kurrë emrat e vërtetë të atyre që e vranë Azemin, por dhe duke larguar dëshmitarët e vrasjes së Azemit, që nga ish truproja e tij Zenel Neza e deri tek mbyllja e gojes së bashkëshortes së Azemit, Fatmira Hajdari.

Dhe tani që Izet Haxhia është kthyer në Shqipëri nga azili në Turqi, ndodhet në  burg tashmë, dhe kërkon rihapjen e kësaj çështjeje, njeriu i vetëm që e kundërshton dhe me të gjitha mënyrat po e pengon rihapjen dhe zbardhjen e dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit është Sali Berisha.

Të ishte jashtë skenarit të vrasjes së Azem Hajdarit, ish presidenti dhe ish kryeministri Sali Berisha nuk kishte se përse investohej në tërë këtë skenar për mbulimin e kësaj vrasjeje të shekullit.

Dosja e UDB, dokumentet e trafikut të naftës dhe armëve me Milosheviçin, dhe nxjerrja në pritë e Azem Hajdarit për ta vrarë para selisë së PD, janë “hijet e zeza” që kërcënojnë Berishën.

Ka frikë se këto dokumente mund të paraqiten në sallën e gjyqit. Ndaj mund të themi se është koha që të hetohet jo kush tërhoqi “këmbëzën” për të vrarë Azem Hajdarin, por kush e përgatiti dhe realizoi skenarin e vrasjes së liderit të dhjetorit. Mësohet se prokuroria tashmë është investuar pikërisht në hetimin e këtyre provave dhe fakteve./Pamfleti

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com