Nga Ola Olsson
Mafia siçiliane është ndoshta sot organizata më e famshme kriminale në botë. Ajo njihet se ekziston të paktën që nga vitet 1870, kur një pronar siçilian tokash, tregoi se si një grup lokal i anëtarëve të mafias, e kërcënoi me jetë dhe dëmtoi biznesin e tij, deri në pikën që u detyrua të arratisej nga ishulli.
Përgjatë viteve, Cosa Nostra dhe degët e saj në Amerikën e Veriut janë përshkruar në shumë libra, filma dhe vepra të kulturës popullore. E megjithatë, origjina e mafies është konsideruar si një mister. Po cilat faktorë e shpjegojnë shfaqjen e saj të papritur në Siçili, pas bashkimit të Italisë në vitet 1860-1861? A qenë vërtet mafiozët “uomini d’onore” (burra nderi), siç e etiketonin veten, që mbronin qytetarët e e zakonshëm dhe të varfrit nga një shtet respresiv- apo aktiviteti i tyre lindi si një front kundër komunizmit?
Kohët e fundit, ekonomistët Arkanxhelo Dimiko dhe Alesia Izopi dhe unë, treguam se një katalizator i madh në lindjen e mafies në Siçili ishte çuditërisht, rritja e kërkesës për limona dhe portokalle, që nisi në gjysmën e parë të shekullit XIX-të.
Por për të kuptuar se si kultivimi i frutave, mund të çojë në lindjen e krimit të organizuar, duhet të kthehemi edhe më pas në kohë, në kushtet që mbizotëronin në Marinën Mbretërore Britanike në shekullin XVIII-të. Para viteve 1800, marinarët që ishin pjesë e udhëtimeve në distanca të gjata në të gjithë botën prekeshin rëndom nga skorbuti, një sëmundje e shkaktuar nga mungesa e vitaminës C.
Simptomat e hershme përfshinin lodhjen e vazhdueshme fizike, ndërsa fazat më të avancuara të sëmundjes humbjen e dhëmbëve, shqetësiomet emocionale, ethet dhe konvulsionet. Shkalla e vdekshmërisë, gjatë udhëtimeve në distanca të gjata ishte zakonisht e lartë.
Askohe, askush nuk kishte njohuri sistematike mbi atë që e shkaktonte skorbutin, edhe pse ishin nxjerrë disa njohuri rastësore. Më pas, në mesin e viteve 1700, Xhejms Lind, një mjek skocez në Marinën Mbretërore, kreu studimet e para klinike tek marinarët e sëmurë. Një grupi kontrolli, iu dha ushqimi i zakonshëm që shërbehej në anije, ndërsa një grup i vogël u ushqye me fruta të freskëta.
Pa dyshim, grupi i dytë u bë më mire, dhe Lind i botoi gjetjet e tij në “Një traktat mbi skorbutin” (1753). Megjithatë, ai studim u injorua në masë të madhe deri në vitet 1790, kur komisionerët e sëmurë të Marinës Mbretërore, filluan të rekomandonin shërbimin e lëngut të limonit për të gjithë flotën.
Pasi njohja e efekteve të dobishme të agrumeve u përhap nëpër Evropë, limonët u bënë një mall gjithnjë e më i çmuar. Ishulli i Siçilisë, ishte një ndër rajonet e pakta në botë që mund të plotësonin kërkesën për limona të freskët. Limoni dhe agrumet e tjera, qenë sjellë në Siçili nga arabët që në shekullin X.
Megjithatë, për shkak të ndjeshmërisë së tyre ndaj ngricave, limonët mund të rriteshin vetëm në vende të caktuara, zakonisht pranë vijës bregdetare. Para shekullit XIX, limonët përdoreshin kryesisht për dekor dhe prodhimin e parfumeve. Rekomandimet e komisionerëve të sëmurë në Britani, ndryshuan gjithçka.
Në dekadat e ardhshme, një pjesë e madhe e prodhimit bujqësor siçilian, u riorientua drejt prodhimit të agrumeve për tregun ndërkombëtar. Megjithatë, kalimi tek kultivimi i limonave në shkallë të gjerë, nuk qe një proces i shpejtë apo i lehtë. Vetëm zona të caktuara të ishullit ishin të përshtatshme, madje edhe ato kërkonin shumë para për kultivimin.
Fermerët e limonit, përdorin zakonisht puset për të ujitur bimët të paktën një herë në javë. Për të mbrojtur pemët nga hajdutët dhe erërat e forta, pemët ishin shpesh të mbrojtura nga mure dhe gardhe të lartë. Pemët e pambrojtura me limona të pjekur, ishin zakonisht një objektiv i lehtë për hajdutët.
Disa vite investimesh, mund të shkatërrohen lehtësisht nga grabitësit, duke u vjedhur brenda një nate të vetme të errët. Prandaj, në mesin të viteve 1800, kur të ardhurat e eksportit filluan të kapin shifra të jashtëzakonshme, pemët nisën të mbrohen me roje të armatosura.
Mes viteve 1837-1850, numri i fuçive me limon të eksportuara nga porti siçilian i Mesinës në vende të ndryshme të botës, deri në SHBA, u rrit nga 740 në 20.707. Bumi i kërkesës për agrume, u solli fitime marramendëse mëdha kultivuesve të limonit në Siçili. Por kush ishin këta fermerë, dhe në çfarë lloj kushtesh po punonin?
Në gjysmën e parë të shekullit XIX, Siçilia karakterizohej nga institucione të brishta publike dhe një sundim i dobët i shtetit ligjor. Banditët bënin ligjin nëpër fshatra, dhe vjedhja dhe varfëria e rrënuan popullatën. Rrënjët e këtyre problemeve, shtriheshin tek pushtimi shekullor nga disa fuqi të huaja.
Më në fund në vitin 1861, Siçilia u pushtua nga trupat italiane nga kontinenti, dhe u bë pjesë e Mbretërisë së sapo-formuar italiane. Kryeqyteti faktik ndodhej në Piemonte, në veriun e largët. Shpejt u bë e qartë, se shumë siçilianë ishin të pakënaqur me marrëveshjen e re.
Italianët e gadishullt, flisnin një dialekt që siçilianët mezi e kuptonin, dhe në sytë e tyre shteti i Piemontes, ishte thjesht një tjetër fuqi e huaj, që po përpiqej të impononte vullnetin e saj ndaj ishullit të pazhvilluar. Nën atë mjedis, me përzierjen toksike të institucioneve të dobëta qeveritare dhe hyrjeve të mëdha të parave të gatshme nga industria e limonit, u shfaq fillimisht organizata e njohur si mafia.
Fjala mafioz rrjedh nga arabishtja, që do të thotë “mashtrues” ose “tradhtar”. Por në Siçili, ky term nuk kishte një domethënie negative. Përkundrazi, ai kishte parasysh dikë që meritonte respekt, pasi ngrihej në emër të popullatës lokale kundër hajdutëve dhe milicive të paligjshme, që mësynin nëpër fshatrat dhe kërcënonin fermerët.
Pronarët e tokave, nisën të angazhonin grupe lokale të këtyre njerëzve të forte, për të mbrojtur pemët me shumë vlerë të limonit. Njëherazi, kjo “mbrojtje” merrte nganjëherë karakterin e zhvatjes, dhe ishte pak a shumë e detyruar për çdo kultivues agrumesh.
Shembulli i parë i regjistruar i një mbrojtje të tillë “të padëshiruar”, vjen në vitin 1872, lidhur me njëfarë Dr.Galati, një pronar që kishte një fermë limonash jashtë Palermos. Menjëherë sapo bleu fermën, Galati mësoi se kujdestari i saj i kishte vjedhur fruta nga pemët, dhe kishte mbajtur për vete një pjesë të madhe të të ardhurave nga vjelja e limonave.
Galati e shkarkoi menaxherin dhe punësoi një zëvendës, por jo shumë kohë pas kësaj ngjarjeje, kujdestari i ri u qëllua për vdekje. Hetimi i policisë nuk e zbuloi dot autorin. Së shpejti nisën të vinin letra kërcënuese, që kërkonin që Galati të rrikthente në detyrë kujdestarin e mëparshëm.
Refuzimi u pasua nga një seri atentatesh ndaj tij, që e detyruan doktorin të largohej përfundimisht nga ishulli.
Incidenti i Galatit, tregon se si grupet e “burrave të nderit”, të njohur si ‘cosca’, kishte arritur të infiltroheshin jo vetëm në fshatrat e zonës, por edhe tek policia, politika dhe me gjasë edhe tregjet e ndryshme që rrethonin dhe mbështesnin industrinë e agrumeve.
“Cosca” ishin grupime sekrete, anëtarët e të cilëve betoheshin të heshtnin mbi organizimin dhe aktivitetet e tyre, dhe së shpejti do të kontrollonin pjesë të rëndësishme të zinxhirit të furnizimit me limona. Pavarësisht të metave në ambientin kaotik të Siçilisë së asaj kohe, mafiozët lokalë preferoheshin shpesh ndaj përfaqësuesve të shtetit represiv italian.
Në fund të vitit 1900, ekonomia siçiliane u godit nga stanjacioni ekonomik. Industria e limonit u përball me një konkurrencë të ashpër nga pemët e reja të agrumeve në Florida të SHBA-së. Për pasojë, dhjetëra mijëra siçilianë të varfër emigruan në Shtetet e Bashkuara. Kjo valë emigrimi solli në SHBA jo vetëm siçilianët, por edhe mafien.
Grupe mafioze u krijuan së shpejti në lagjet e varfra italiane në qytetin e Nju Jorkut, dhe u përhapën në qytete të tjera si Boston dhe Çikago. Mafiozët siçilianë, u përzien me italianët e jugut dhe grupet kriminale nga etni të tjera, për të formuar variantin e veçantë të mafias amerikane. Ndërkohë, në Itali, mafia siçiliane, së bashku me Kamorrën në Napoli dhe Ndrangetën në Kalabri, mbeten edhe sot një kërcënim i madh për sundimin e ligjit. /Burimi: Aeon.co- bota.al/