Në terronin e SPAK dhe i Byrosë së Hetimit politika shqiptare kërkon të dalë “pa u lagur” nga furtuna e drejtësisë së re. Opozita ka dalë me një propozim tjetër dje. PD e LSI kërkojnë që të ketë një veting në politikë, njësoj si ai në drejtësi. Pra ata që kanë kryer afera thjesht largohen nga sistemi, por nuk u sekuestrohen pasuritë. Vetingu po tregon se njerëzit e drejtësisë ishin zhytur dukshëm në korrupsion e krim, ç’ka kishte prodhuar dukshë pasuri. Por nëse shohim pasurinë e politikanëve shqiptarë, ajo është shumë herë më e lartë se e njerëzve të drejtësisë.
Ka shumë nga ata që kanë pasuri pa punuar fare dhe askush nuk mund të mjaftohet me një largim nga politika. Vetëm Basha, Berisha e Kryemadhi kanë një pasuri që shkon në rreth 3 milionë euro.
Pasuria e Bashës
Sipas deklarimeve që ka bërë kreu i PD Lulzim Basha pranë ILDKP, pasuria totale e tij mund të llogaritet në rreth 718 mijë euro. Basha ka fituar 530.500 euro vetëm nga shitja e apartamenteve dhe e një makine. Basha ka deklaruar fillimisht shtëpi në Utrecht, Holandë, 510.000 gulden ose rreth 230 mijë euro. Kjo shtëpi është shitur më pas 257.500 euro. Po ashtu ka deklaruar: apartament në Tiranë, 205 mijë USD; apartament në Durrës, 33 mijë euro; apartament në Tiranë. 17.500 lekë, blerë në 1993; apartament në Tiranë, 62 mijë USD dhe automjet Mercedes-Benz ML, 72 mijë euro. Më pas ka deklaruar shitjen e një shtëpie në Tiranë 100 mijë euro. Po ashtu është shitur një apartament në Golem, 45 mijë euro dhe me lekët e tij është blerë një apartament në Qerret. Bashkëshortja e Bashës ka shitur po ashtu një apartament me vlerë 10.450.000 lekë dhe një makinë me vlerë 45 mijë euro. Nga shitja e të gjithë këtyre objekteve, fitimi shkon në rreth 530 mijë euro. Por Basha ka deklaruar dhe unaza e orë të shtrenjta. Vetëm 2 orë dhe një unazë diamanti kushtojnë rreth 21 mijë euro. Ai ka deklaruar pikturë, 6.500 euro; orë dore, 5.200 euro; orë dore, 4.500 euro; unazë diamanti, 11.500 euro dhe një servis porcelani me vlerë 6.800 euro.
Pasuria e Metës dhe Kryemadhit
Pasuri mjaft të lartë ka dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, bashkë me bashkëshortin e saj, Ilir Meta. Në vitin 2003, Meta ka deklaruar një banesë të përfituar nga privatizimi si dhe një banesë me verandë+lulishte në Golem, 327 m2. Por ajo që u ka dhënë më shumë të ardhura janë 13 apartamente të përfituara nga Monika Kryemadhi. Ajo ka marrë 13 apartamente në kuadër të një marrëveshje me një firmë ndërtimi. Edhe pse në deklaratën pranë ILDKP nuk jepet shumë qartë të dhënat, Kryemadhi rezulton pronare e truallit ku është ndërtuar pallati dhe në këmbim ka marrë 13 apartamente me vlerë totale 1444.8 m2. Shumica e tyre janë shitur nga viti në vit. Po ashtu Meta e Kryemadhi kanë deklaruar një banesë në kryeqytet me sipërfaqe 200 metër katror me vlerë 400 mijë euro. Pjesë e deklarimit është dhe 500 m2 tokë+200m2 truall me vlerë 5 milionë lekë. Gazeta ka bërë një përmbledhje të vlerës totale të të gjitha apartamenteve të shitura e blera dhe rezulton se kapin një kosto prej afro 900 mijë eurosh. Por në këtë llogaritje nuk përfshihet shtëpia në Gjirin e Lalzit, pasi nuk dihet vlera e saj. Kjo do të thotë se fitimi arrin në mbi 1 milionë euro. Në deklarimin që Meta e Kryemadhi kanë bërë pranë ILDKP, bie në sy se kanë disa llogari edhe fëmijët e tyre, shumica të hapura për qëllime studimi. Vetëm në vitet e fundit është deklaruar se janë shpenzuar 140 mijë paund për shkollimin e tyre në Londër.
Pasuria e familjes “Berisha”
Nuk mbetet pas as familja “Berisha”. Ish-kryeministri duket se ka shumë të pasur fëmijët e tij. Në 2016, të ardhurat në total të tyre llogariten në rreth 1 milion euro. Të ardhurat në lekë janë konvertuar në euro sipas kursit të ditës dhe është bërë një përafrim shifrash. Ata kanë deklaruar llogari bankare brenda dhe jashtë vendit. Zonja Argita ka deklaruar llogari në një bankë amerikane, ndërsa Shkëlzen Berisha ka deklaruar llogari në një bankë suedeze. Po ashtu ata kanë blerë ndër vite makina dhe banesa të shtrenjta. Malltezi ka burim të ardhurash si pedagoge në universitetet publike dhe private, po ashtu ka fitime të larta nga qiraja e dy apartamenteve, ndërsa po ashtu ka deklaruar fitime nga shitja e librave. Sa i takon pronave të deklaruara, Berisha ka deklaruar fillimisht vetëm një apartament 69 m2, por pasuria e deklaruar nga fëmijët e tij është shumë herë më e lartë. Zonja Malltezi ka deklaruar 2 apartamente të dhënë me qira, më pas ka blerë 2 apartamente në Tiranë dhe një në Gjirin e Lalëzit. Po ashtu dhe Shkëlzen Berisha ka deklaruar se ka blerë makinë 85 mijë euro. Po ashtu ka deklaruar blerje apartamenti me sip. 198 m2 dhe parkingu në ETC, për vlerën 346 500 euro./korrieri