Para pak ditësh një lajm bëri bujë në vendin tonë teksa u mësua se trajneri i kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, kishte hedhur në gjyq ish-presidentin Nishani për një status me kritika ndaj tij. Një status që siç nuk u prit aspak mirë nga Panuçi. Një trajner që në vend të përmirësojë kombëtaren tonë, po e dëmton më keq atë. Tani mos duhet ta hedhin tifozët në gjyq Panuçin?
Ndaj Izraelit fituam falë një goli të bukur të Xhakës, ndërsa sot ishim skandalozë ndaj Skocisë. Paunuçi premtoi se kombëtarja jonë nuk do të dilte pa pikë nga Skocia, por një premtim të tillë nuk e mbajti. Pësuam 2 gola por po të mos kishim fatin me vete, mund të kishim pësuar edhe gola të tjerë.
Panuçi ka prishur edhe atë kombëtare që ndërtoi De Biasi. Ka bërë eksperimente me skuadrën në çdo ndeshje. Ka aktivizuar lojtarë që nuk kanë pasur aktivizim të rregullt, duke lënë në stol lojtarë që kanë pasur paraqitje pozitive me skuadrat e tyre. Panuçi nuk pranon as gabimet e tij, por miqësoret dhe dy ndeshjet e Ligës së Kombeve tregojnë se kombëtarja jonë është shumë larg asaj të europianit të Francës.
Në ndeshje të tilla si e sotmja ndaj Skocisë, ne bëjmë që këto skuadra të duken si kampione Bote apo Europe. Kjo nuk është Shqipëria që duan tifozët. Kombëtarja jonë duhej të bënte hapa përpara pas largimit të De Biasit dhe jo hapa mbrapa, siç po bën në fakt. Diçka duhet ndryshuar, me ose pa Panuçin. /ShkodraNews