Disa punonjës të një supermarketi kuban u shkarkuan nga detyra pasi i shitën 15 000 mollë një klienti të vetëm, në një shtet ku shpeshherë ka mungesa në produkte ushqimore.
Ngjarja u publikua javën e kaluar në blogun e një gazetari kuban, i cili ka qenë dëshmitar në supermarketin në Havana. Informacioni u raportua në shtypin zyrtar dhe të premten e përditshmja shtetërore ”Granma” publikoi masën ndëshkimore ndaj punonjësve.
Blerësi kishte paguar 45 cent dollarë për mollë, sipas faturës bashkëngjitur në tekstin e blogut.
Në një kontekst mungesash të vazhdueshme të qindra produktesh në Kubë, duke nisur nga frutat tek birrat, vijuar me qumështin apo gjalpin nuk është një rast i pazakontë kur një tregtar blen një sasi të madhe me produkte ushqimore për t’i rishitur më pas me pakicë, më shtrenjtë.
Kuba importon thuajse pjesën dërrmuese të ushqimeve që konsumohen nga 11 milionë banorët e saj, përfshirë edhe mollët, sipas web-it zyrtar ”Cubadebate”.
”Për pjesën më të madhe të popullsisë, mungesa e furnizimit të dyqaneve dhe mungesa e tregut të shumicës favorizojnë shfaqjen e këtij lloj fenomeni”, thekson ”Granma”.
Ishulli synon të reformojë modelin ekonomik të stilit sovjetik dhe po përgatit të njohë tregun, pronën private dhe investimet e huaja në Kushtetutën e tij të re, si një plotësim të sistemit shtetëror.