Kryeministri, Edi Rama deklaroi pak muaj më parë se, në fillim të shtatorit do të kishte ndryshime në qeveri. Ndonëse mbledhja për këtë çështje ishte caktuar që të mbahej javën e kaluar, Rama duket se po merr ende kohë për vendimin.
Por, dy nga ministrat më të rrezikuar për t’u larguar janë Arben Ahmetaj që mban një prej dikastereve më të rëndësishme, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë si dhe Olta Xhacka e Mbrojtjes.
Ndryshe nga herët e tjera, Rama ka shmangur daljet krah Ahmetajt kohët e fundit. Gjithashtu ai e ka kritikuar hapur duke thënë se, nuk mund të flasësh vetëm me shifra që njerëzit nuk i kuptojnë.
Nga ana tjetër, Ahmetaj mbetet një prej njerëzve më të besuar të tij dhe Rama në këtë situatë ndodhet mes dy zjarreve: t’i japë gjallëri ekonomisë apo të ruajë një prej miqve të tij. Mes të rrezikuarve janë dhe ministri Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla./korrieri