Loading...

Ministra e kryebashkiakë në ankth, 5 raportet e administruara nga Rama pritet të prodhojnë surpriza

Takimi i sotëm nuk do të jetë i lehtë për deputetët, krerët e bashkive, ministrat dhe krerët e degëve për disa arsye. E para ka të bëjë me punën e gjithë zyrtarëve të mazhorancës qeverisëse në gjithë nivelet e pushteteve që drejtojnë, teksa janë 5 raporte që momentalisht ndodhen në tryezën e kryeministrit Edi Rama.

Konkretisht, raporti i parë është ai i llogaridhënies publike të qeverisë, ku përshkruhet ecuria e punës së platformës “Puna për Shqipërinë që Duam”. Raporti i dytë është hartuar nga grupi i punës së Asamblesë Kombëtare të partisë, në të cilën përshkruhet performanca e përfaqësuesve të Partisë Socialiste në qeverisjen vendore. Raporti i tretë ka të bëjë me procesin e Bashkëqeverisjes nga fillimi i saj deri në përfundim, që është data 31.08.2018. Ndërsa në raportin e katërt përshkruhet puna e grupit parlamentar të Partisë Socialiste në dy sesionet e para të legjislaturës së 9. Ndërkohë që në raportin e pestë përshkruhet në mënyrë të detajuar gjendja aktuale e Partisë Socialiste në aspektin dixhital. Mirëpo, “Sot” mësoi se përtej atyre që u janë bërë të ditura zyrtarisht anëtarëve të Asamblesë së PS, në 5 raportet e administruara nga shefi i qeverisë, përveç vlerësimeve për punën e gjithësecilit, ka edhe kritika për këtë të fundit. Ç’ka do të thotë se mbledhja e sotme do të prodhojë surpriza, ku nuk përjashtohet edhe kritikimi LIVE për cilindo që rezulton me bilanc negativ në punën e tij.

Nga ana tjetër, mësohet se gjatë kësaj mbledhje me interes të madh jo vetëm për anëtarët e familjes socialiste, por për gjithë qytetarët, do të kenë edhe ndryshimet e paralajmëruara në qeveri nga vetë Rama pak kohë më parë. Por ditët e fundit Rama dhe njerëz pranë tij kanë dhënë sinjale se kabineti qeveritar “Rama 2” nuk do të rifreskohet. Megjithatë, ministrat janë ende të kapluar nga ankthi, pasi e dinë fare mirë që shefi i tyre, Rama është njeri i surprizave. Dhe si i tillë, gjithçka mund të ndodhë gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com