190 mijë fëmijë nga klasa e parë në të katërtën do të marrin librat falas këtë vit, falë reformave dhe progresit të bërë.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një takim me mësues në sallën e hartave në Kryeministri, ku informoi mbi “këtë mundësi të re për të kursyer miliona euro shpenzime të familjeve të nxënësve nga klasa e parë tek e katërta”.
“Reformat dhe progresi i bërë na ka dhënë disa hapësira të reja për të bërë më shumë investime dhe në disa drejtime ku kemi dashur edhe më parë të bëjmë më shumë, por na është dashur të shlyejmë borxhe të rënda dhe të çelim kantiere reformash”, – tha Rama.
Kryeministri premtoi se “vitin tjetër librat do të jenë falas edhe për klasën e V”.
Ndërkohë ai theksoi ambicien që “në fund të mandatit, synojmë mundësinë që për të gjithë nxënësit në arsimin e detyruar librat shkollore të jenë falas”. /atsh