Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, do të drejtojë grupin e prokurorëve që do të gjykojnë dosjen “e nxehtë’ të Emiljano Shullazit. Prela është angazhuar personalisht në zgjidhjen përfundimtare të kësaj dosjeje dhe dënimin e bandës së Shullazit, e cila po zvarritet prej më shumë se dy vitesh.
Ajo do të drejtojë procesin së bashku me tre prokurorë të tjerë, njëri prej të cilëve është Gentian Osmani, ndërsa dy emrat e tjerë pritet të publikohen ditët në vijim. Dosja ‘Shullazi’ pritet më në fund të marrë zgjidhje, pas angazhimit edhe të kryeprokurores Arta Marku.
Por kush është Donika Prela?
Donika Prela është një emër i njohur i drejtësisë shqiptare. Prej disa muajsh, Prela është drejtuese e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi zëvendësoi në këtë post Besim Hajdarmatajn. Një prokurore karriere, që drejton Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e njohur edhe si SPAK-u, Donika Prela ka mbajtur një sërë postesh.
Prela njihet si mikeshë e kryeprokurores Arta Marku dhe erdhi te Krimet e Rënda pasi prej 5 muajsh drejtoi Prokurorinë e Durrësit. Para këtij posti, Prela ka qenë edhe numri dy i akuzës në Durrës, kohë në të cilën kjo prokurori drejtohej nga Agron Gjanaj dhe kryeprokuror ishte Adriatik Llalla.
Ndër dosjet ku Prela ka qenë prokurore është dhe ajo e djalit të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, Ledio Ruçi, në vitin 2012. Çështja e këtij të fundit, një aksident me pasojë vdekjen e një vajze, ishte mbyllur nga Prela.
Gjatë kohës që Prela drejtoi prokuroinë e Durrësit kjo prokurori nisi dhe hetimet ndaj ish kryeprokurorit Llalla, dosje e cila tashmë është transferuar tek Krimet e Rënda, të cilat do të drejtohen nga Donika Prela.