Nga Besnik Gjonbrataj:
Klodeta Dibra dhe Afërdita Laçaj, dikur kundërshtare në fushën e basketbollit, sot shoqe të denja.
Brezi i basketbollisteve femra të viteve 1980- 1990, edhe sot pas 28 vitesh, do të ngelet thellë në kujtesën e secilit sportdashës shqiptar, si brezi me i mirë i femrave që bënë histori për lojën, shpirtin e garës, profesionalizmin, egon, disiplinën, etikën e lojës, etj. Ndër skuadrat e atyre viteve do të shquheshin 17 Nëntori i Tiranës, Flamurtari i Vlorës, skuadra këto që shumicën e trofeve në vite i kanë ndarë mes tyre.
Midis basketbollisteve më me emër të asaj periudhe janë edhe numri 11, Mjeshtrja e Merituar e Sportit, Klodeta Dibra e 17 Nëntorit dhe numri 6, Afërdita Laçaj e Flamurtarit, atëherë titullare dhe kundërshtare me ekipet e tyre, sot të ndara në drejtime të ndryshme në jetë, Klodeta e përkushtuar në fushën Akademike dhe Afërdita emigrante në Greqi, por paharruar dhe kujtuar për asnjë çast ato vite të bukura, qoftë si rivale të denja, por edhe si pjesë e ekipit kombëtar të femrave në basketboll.
Para disa ditësh ato u takuan në Vlorë, ku kujtuan me nostalgji vitet e sportit, por tashmë jo si kundërshtare, por si shoqe e mikesha të denja për njëra tjetrën. Pa lejen e tyre, por duke shpresuar në mirëkuptimin e tyre, shkëputëm për lexuesit disa vlerësime për njëra tjetrën të publikuara në facebook.
Afërdita Laçaj: “Një takim i këndshëm me ish basketbollisten e 17 Nëntorit dhe një nga vajzat më inteligjente të basketbollit shqiptar, Klodeta Dibrën. Biseda me Klodin ishte kaq interesante dhe e bukur, por koha në dispozicion ishte e shkurtër. Klodeta të uroj gjithë të mirat dhe suksese të mëtejshme në karrierën tënde të shkëlqyer[1].”
Ja si i përgjigjet Klodeta Dibra: “E dashur Afërdita. Ishte kënaqësi që të takova pas shume vitesh. Kemi kaluar rininë tonë në parketin e fushës së basketbollit, herë si kundërshtare, ti me “Flamurtarin” e unë me “17 Nëntorin” dhe herë si lojtare të kombëtares.
Ato vite do të mbeten të pashlyera në kujtimet tona. Ishim dhe mbetemi shoqe e mikesha. Për mua ka qenë nder dhe kënaqësi që kam luajtur me vajzat e talentuara të Vlorës, të drejtuara nga mjeshtri brilant Petrit Stefa. Pjereta, Mujina, Eleni, motrat Çala, Valbona, Laonela, Teuta, Vjollca, ti Afërdite dhe të gjitha vajzat e tjera shkruat një histori të mrekullueshme të basketbollit shqiptar. Respekte për të gjitha ju! Respekt dhe mirënjohje për trajnerin Stefa! Respekt dhe mirënjohje për sportdashësit e mrekullueshëm vlonjatë! Shpresoj shume të takohemi përsëri, mikja ime e mirë Afërditë! Nga zemra të uroj veç të mira për ty dhe familjen tënde[2]”-përfundon Klodeta.
Fjalë dhe vlerësime që me të vërtetë të emocionojnë dhe të bëjnë të kthesh kokën e kujtesën shumë vite pas, kur me të vërtetë këto dy sportiste modele në fushën e lojës, modele në jetë e shoqëri, por jo vetëm por gjithë brezi i sportisteve femra të atyre viteve që me lojën dhe emocionet që të krijonin të bënin të ndiheshe krenar për skuadrën që preferoje, të bënin krenar që ishe vlonjat, tiranas, shkodran, korçar e mbi të gjitha kur luanin për ngjyrat e kombëtares, të bënin të ndiheshe edhe më krenar që ishe shqiptar.
Diçka më shumë për lexuesin rreth kampionatit shqiptar të basketbollit për femra.
Liga e Basketbollit e Shqipërisë për femra[3], është një kompeticion që konsiston në pjesëmarrjen e klubeve profesioniste të basketbollit për femra në Shqipëri dhe është evenimenti më i rëndësishëm në këtë disiplinë. U themelua në vitin 1947 nga FSHB.
Liga konsiston në 12 ekipe profesioniste në Shqipëri dhe është një nga ligat më të vjetra në Ballkan, themeluar që në vitin 1947. Ky sport u rrit me shpejtësi në Shqipëri dhe rreth viteve 70′ pothuaj çdo qytet kishte sallën apo fushën e basketbollit të vet. Pas rënies së komunizmit shumë klube u tkurrën pasi shumë lojtarë u larguan nga Shqipëria për të luajtur në vende të tjera. Pjesëmarrja e fansave gjithashtu u reduktua ndjeshëm dhe popullariteti i këtij sporti u ul në shifra shqetësuese. Gjithsesi, pas vitit 1993 pati njëfarë përmirësimi në këtë drejtim sepse shumë qytete rikrijuan dhe stabilizuan ekipet e tyre. Sot në Shqipëri ekzistojnë 12 ekipe profesioniste sikurse dhe një sasi e madhe ekipesh amatore, të gatshme për të hyrë në ligat profesioniste.
Kampionati i parë i basketbollit femra nisi në vitin 1947[4]. Nga viti 1947, vit kur filloi kampionati kombëtar i basketbollit për femra e deri në vitin 1976, 17 Nëntori do të ishte absolut në fitoret e kampionateve me 40 kupa, kundrejt 22 të Flamurtarit. Kujtojmë për lexuesit se ekipi i Flamurtarit doli si skuadër në Kategorinë e Parë pikërisht në vitin 1972 dhe nga ky vit e në vazhdim Flamurtari do ta rivalizonte 17 Nëntorin për vite të tëra, duke fituar plot 22 kampionate. Nëse Tirana vitet e fundit pas viteve 2000 ka pasur rënie e luhatje në fitimin e kampionateve, ekipi i Vlorës që nga viti 2005 e në vijim e deri në kampionatin e këtij viti, pra 2018, është skuadër kampione absolute.
Kupa e basketbollit e Shqipërisë për femra, është evenimenti i dytë për nga rëndësia pas Ligës, e cila është një kompeticion që konsiston në pjesëmarrjen e klubeve profesioniste të basketbollit në Shqipëri, e cila ka filluar që nga viti 1956. Ekipi me më shumë trofe është Tirana, që e ka fituar këtë kupë për numrin rekord 24 herë dhe pas tij radhitet Flamurtari me 19 herë.
Superkupa e basketbollit e Shqipërisë për femra[5] është një kompeticion që konsiston në një finale të vetme mes fituesve të Ligës dhe Kupës dhe është evenimenti i tretë më i rëndësishëm pas Ligës së Basketbollit të Shqipërisë dhe Kupës së Basketbollit të Shqipërisë. U themelua në vitin 1999 nga FSHB. Ekipi me më shumë trofe është Flamurtari, që e ka fituar këtë kupë për numrin rekord 12 herë dhe pas tij Tirana me 3 herë.
Nisur nga statistikat e mësipërme del që basketbollin e femrave e kanë dominuar që nga krijimi i Ligës, 17 Nëntori, sot Tirana dhe Flamurtari i Vlorës me një rivalitet të jashtëzakonshëm midis tyre.
Në vitet 80-90, kohë kur luanin Dibra e Laçaj, rivaliteti mes 17 Nëntorit të Tiranës dhe Flamurtarit të Vlorës në basketboll për femra, ishte shumë i madh, si në kampionat ashtu dhe në kupë. Tirana kishte basketbolliste klasi si psh: Edra Alibegaj, Mirza Alibegaj, Nora Goxhi (Minga), Valentina Myrto, Klodeta Dibra, etj, e po ashtu dhe Flamurtari me yje të tillë si psh: Pjereta Çika (Sadushi), Afërdita Laçaj, Eleni Ruci, Vjollca Jaupi, Vjoleta Çala, Muhina Kuqi, etj, të dyja ekipet kishin në radhët e veta basketbolliste të një niveli shumë të lartë.
Diçka më shumë për historikun e basketbollit shqiptar për femra e në veçanti për 17 Nëntorin e Tiranës dhe Flamurtarin e Vlorës mund ta lexoni më poshtë.
Basketbolli i femrave të Tiranës – Një rekord për Guiness, nga gazetari Adriatik Riza Dosti[6].
“Ato ishin e mbeten një pjesë e rëndësishme e krenarisë sonë kombëtare në sportin e femrave. Ishin e mbeten kurdoherë të respektuara ndër vite për shumë arsye e në shumë plane. Historia e sportit shqiptar njeh dominime absolute e rekorde trofesh e titujsh kampione të disa ekipeve e në disa sporte si: Dinamo në volejboll meshkuj e femra, Partizani në basketboll meshkuj apo Tirana në futboll etj, por jo si ato, rekordi i tyre është krejt i veçantë dhe vështirë se mund të përsëritet sërish më nga dikush tjetër, madje i denjë vetëm për Librin e Rekordeve të rralla botërore “Guiness”.
Duke flakur tej mentalitetin e trashëguar obskurantist të kohës, ato me guximin e kurajën e tyre që në vitet e para pas çlirimit të vendit do të bëheshin dallëndyshet e para të civilizimit e qytetarisë kryeqytetase e shqiptare, por dhe pionieret e para të sportit shqiptar të femrave. E aty në Parkun Sportiv tek “Rruga e Elbasanit”, ku sot është Parku i Lojërave për fëmijë, tek Kompleksi Dinamo, ku sot është Qendra Informatike, tek Fushat e Studentit përballë ish- Presidiumit të Kuvendit Popullor e sidomos tek i famshmi Parku i Xha Tonit, ku për vite me radhë ka qenë Rezidenca e SK “Tiranës” shpërtheu talenti e pasioni i tyre i pashtershëm sportiv. Shpejt nisën të bëhen. jo vetëm të dashura e të respektuara nga të gjithë, por edhe Kampione të mëdha të Shqipërisë në basketbollin e femrave duke koleksionuar vit pas viti tituj e trofe të shumtë. Dhe gjithçka nisi me Myzejen Verzivollin, Melpomeni Zoraqin, Evgjeni Koten, Rexhina Hanxharin, Anjeza Dulen, Mediha Kazazin, Suzi Biçakun, Sanije Stojkun, Cickën, Radojën, Xhajankën, Vathin, Nicen, Shimën, etj, që të drejtuar nga trajnerët e tyre të pasionuar ndër vite si: Naim Pilku, Jorgji Kona, Feti Borova, Andon Kona, Qemal Shalësi, Astrit Greva, Ali Stërmasi, etj do të regjistronin sukseset e tyre të para.
E në vijim gjithçka komandohet prej tyre. Që nga 1947 e deri me 1974 plot 26 herë rresht kampione absolute të basketbollit shqiptar të femrave. Është ky pa diskutim një rekord origjinal në vetë historinë e sportit shqiptar të të gjitha llojeve, por me së paku edhe një rekord i rrallë për të cilin vetë FSHB duhet të kërkojë e të këmbëngulë që të zërë vend me meritë në faqet e Librit të Rekordeve botërore Guiness, sepse i tillë është në realitet.
Pas lojtareve të sipërpërmendura, një brez tjetër do ta çonte edhe më tej stafetën e sukseseve të pandalshme të kësaj skuadre. Do të ishin Bukuroshe Shtiza (Bellova), Pavlina Llaci, Vera Dajaka, Vali Myrto, Lida Beti, Mira Gjoni, Zamira Ajdini, Djana Shoshkic, Lume Hoxha, Anila Parruca, Vogli, Konini, Bega,etj për të mbërritur me një tjetër kulm të tyre tek motrat Alibegaj, Edra e Mirza, e papërsëritshmja Nora Goxhi, e tek Klodi Dibra, Stërzhana Shoshkic, Bruna Hyka, Dinora Kola, Margarita Verria, etj, etj, që të drejtuara nga mjeshtrit e mëdhenj të koshit shqiptar e atij bardhë e blu Vaso Shaka e Kujtim Kasmi, Bashkim Milo e Roland Avrami, do të shkruanin të tjera faqe të lavdishme të historisë së klubit të famshëm kryeqytetas.
Pas dominimit të tyre shumëvjeçar do të vije periudha më e bukur e basketbollit shqiptar të femrave, ajo e rivalitetit të ashpër sportiv për titullin e trofetë. Tashmë në skenë kish dalë edhe një Skënderbe i Zamira Kolecit, Lida Shehut e Sylenjit. Në Fier nuk të linte të fitoje kollaj Pavlina Llaci e vajzat e saj. Partizani kish ndërtuar një skuadër simpatike me në krye të mrekullueshmen Mira Guxho (Cuka), e në Shkodër të mrekullonte Xhuli Shestani po aq sa në Elbasan meritonin respektin e gjithkujt motrat Xhyra.
Histori më vete Flamurtari i trajnerit të rrallë e të pasionuar Petrit Stefa, ku rivaliteti e ndeshjet mes Tiranës e skuadrës së tij si në kryeqytet po ashtu edhe në Vlorë mbeten ndër kujtimet më të bukura e më emocionuese të brezit tonë e të atyre viteve. Një Pallat Sporti i mbushur plot e një tifozeri që rrallë përsëritet më. E pra luanin yjet e basketbollit shqiptar: Muhina Kuqi, Eleni Beli (Ruci), Pjereta Çika, Çala, Birçe etj përballë Myrtos, Betit, Alibegajt, Goxhit e Dibrës. E vlonjatet do t’ua rrëmbenin disa herë kurorën e kampionit kryeqytetaseve duke e bërë garën e ndershme, sportive edhe më të bukur akoma. Kujtime që zorrë se shlyhen kollaj nga kujtesa”.
Më tej zoti Dosti shkruan: “Pas viteve 2000 në skenë del edhe një Luftëtar gjirokastrit krejtësisht befasues, tek fiton tre herë rresht titullin e për t’ia lenë vendin një rikthimi potent të vajzave vlonjate, të cilat kanë të paktën një 10 vjeçar e në vazhdim që janë kryefjala e basketbollit shqiptar të femrave.
E çuditërisht Tirana e 40 titujve kampionë, e përvojës dhe eksperiencës së madhe ka ngecur tek kujtimi i fundit i titullit, ai i vitit 1999. Plot 19 vjet pa e shijuar dot atë, edhe pse në intervale kohore ka mundur të fitojë disa Kupa të Shqipërisë.
Mungesa e titullit kaq gjatë për një skuadër të cilësuar “Krenaria e Sportit Shqiptar”, për një skuadër të rekordeve të tipit Guiness, për një skuadër ku në historinë e saj lexon emrat e Mjeshtreve të Mëdha e të papërsëritshme, është sa e pafalshme, po aq edhe e pa shpjegueshme. Ndaj tek shkruaj këto radhë uroj që Tirana të rikthehet aty ku i takon të jetë, në ballë të këtij sporti, të kthehet në traditën e nderin e saj. Aty ku i takon vendi i saj i merituar, në piedestalin e përhershëm të fitueses, sepse e tillë është vetë historia e saj shumë dekadëshe.
Faleminderit e respekt pa fund ju vajzave të Tiranës bardhe e blu që ndër vite u bëtë krenaria e sportit të qytetit tonë e atij kombëtar.
Mirënjohje për gjithë ato emocione të rralla që na dhuruat si pak kush në ato vite të vështira për ne shqiptarët. Historia e sportit tonë ka folur e do të flasë për ju kurdoherë, sepse atë e shkruat vetë ju, ndaj edhe e meritoni”- përfundon vlerësimin e tij gazetari Adriatik Dosti për skuadrën e basketbollit të femrave të Tiranës.
Klodeta Dibra, duke lexuar këtë shkrim dhe analizë të gazetarit sportiv Adriatik Dosti shkruan[7]:
“I nderuar Adriatik. Ju falënderoj për vlerësimet dhe këtë historik të shkurtër të basketbollit të femrave të 17 Nëntorit, ku edhe unë u bëra pjesë e kësaj historie, duke koleksionuar me vajzat e mrekullueshme të Tiranës shumë fitore, kupa e medalje.
Kanë qenë vite, u referohem viteve ’80 dhe ’90, kur edhe kam luajtur me 17 Nëntorin, të mrekullueshme, ku shkallët e pallateve të sportit në Tiranë, Vlorë, Korçë, Shkodër, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Përmet, mbusheshin plot e përplot me sportdashës.
Për aq vite sa luajta ishte një privilegj që përfaqësova Tiranën bardhë e blu dhe Shqipërinë kuq e zi me dinjitet dhe krenari. Ruaj kujtime shumë të bukura, të cilat i kam ndarë ndër vite me Valin, Betin, Mirën, Elën, Taulantën, Ederën, Lumen, Norën, Mirzën, Anilën, Dinoren, Zamirën, Margaritën, Tedin, Brunën, Rovenën, Karolinën e vajzat e tjera. Bashkë me sportdashësit e mrekullueshëm të Tiranës, e në mënyrë të veçantë Ben karamelja, i dhuruam kryeqytetit tonë të shtrenjtë një histori të pakrahasueshme e të papërsëritshme.
Ne i shkruam disa faqe të historisë së basketbollit të femrave. Uroj shumë që sot e në vitet në vijim të ringjallim 17 Nëntorin e dikurshëm e qytetarëve të kryeqytetit t’u ofrojmë ndeshje e rivalitet dinjitoz. Pres me padurim që politikat për sportin të kenë prioritet, që të rinjtë e të rejat të ushqehen me dashuri për sportin dhe që Tirana të vijojë rrugën basketbollisteve, që bënë historinë e këtij sporti në Shqipëri.
Mirënjohje për të gjitha vajzat, mirënjohje për trajnerët, mirënjohje për sportdashësit kryeqytetas e në mbarë vendin, mirënjohje për skuadrat e tjera të Vlorës, të Korçës, të Shkodrës, të Elbasanit, të Fierit, të Gjirokastrës etj. Krenare që quajta për shume vite për 17 Nëntorin, me bluzën me numrin 11”- përfundon Klodi.
40 vjet më parë. Pjesë nga Historiku i Basketbollit të Femrave të Flamurtarit, nga gazetari Ergys Alushi[8].
“Ndërsa në prill të vitit 1972, ekipi i “17 Nëntorit’ në basketboll për femra do të fitonte titullin e 25 herë radhazi kampion kombëtar, atë vit Flamurtari në basketboll për femra do të ngjitej në kategorinë e parë, pasi do të mundte Dinamon.
Nën drejtimin e mësuesit të matematikës, Petrit Stefa, i cili do të bënte ndryshime të mëdha në basketbollin shqiptar të femrave, vajzat e Vlorës do të thyenin hegjemoninë e 17 Nëntorit.
Në 2 prill 1977 do të regjistrohej fitorja e parë epike ndaj ekipit të Tiranës me rezultatin 98-95. Ndodhte në Vlorë në këndin “Spartak”.
Më 27 prill të po atij viti, në Tiranë, luhej java e 21 e kampionatit kombëtar të basketbollit për femra. Ekipi i “Flamurtarit” do t’i shkaktonte humbjen më të thellë ekipit të “17 nëntorit”në historinë e 29 kampionateve kombëtare, duke e mundur me rezultatin e thellë 102-63 (45-26). Me këtë fitore “Flamurtari” shpallet kampione dy javë para përfundimit të kampionatit. Ishte hera e parë që shpallej kampion kombëtar, duke thyer hegjemoninë 29 vjeçare të “17 Nëntorit”.
Një javë më vonë vajzat vlonjate do të fitojnë në Vlorë me ekipin e “Skënderbeut” me rezultatin 81-73.
Në historinë e basketbollit shqiptar të femrave, po vinte “Flamurtari” i madh, ekipi që do të bënte historinë e madhe. Një histori e madhe, krenaria e një qyteti të tërë, që nga viti 1977 deri në vitin 1990, do të dhuronte ndeshje dhe emocione që janë ende të freskëta në kujtimet e nostalgjinë e atyre që e kanë jetuar atë kohë.
Një histori, me ndeshje, ngjarje, emocione të koshit në sekondën e fundit, kujtime e dëshmi, foto e kuriozitete që, siç shprehet Ergysi gjejnë pasqyrim në një kapitull më vete në botimin e librit të tij “Kampionët e Vlorës 1930-1990”.
Më poshtë Ergysi vazhdon: “Atë natë të 13 shkurtit 1985, qyteti fjeti vonë. Vonë kishte fjetur edhe të premten e 8 shkurtit. Kishte qenë një javë e veçantë nga të tjerat. E ngarkuar me shumë emocione. Brenda një jave qytetit i kishin ardhur dy kupa.
E si mund të flinte qyteti! Djemtë dhe vajzat e kishin nderuar me kupa. Futbolli dhe basketbolli i femrave fliste vlonjatçe! Djemtë në Elbasan dhe vajzat në Vlorë. Vasil Ruci e Agim Bubeqi me gola e Afërdita Laçaj e Pjereta Sadushi me kosha.
Çfarë ndodhi gjatë asaj jave në Vlorë? Festa nuk mbaroi atë natë të 8 shkurtit 1985. Të nesërmen, vlonjatët, me euforinë e Kupës në futboll, shkuan në Pallatin e Sportit.
Kishin filluar finalet e Kupës në basketboll për femra. Ndeshjen e parë vajzat basketbolliste do ta fitonin me “Skënderbeun” e Korçës. Atë ndeshje do të spikaste Afërdita Laçaj me realizimin e 8 koshave me vlerën e 3 pikëve, pesë prej të cilave njëra pas tjetrës, duke ngritur peshë qindrat e vlonjatëve në Pallatin e Sportit- përfundon Ergys Alushi në librin e tij ‘Kampionët e Vlorës[9]”
Për basketbollin e femrave të Flamurtari të viteve 80-90, Afërdita Laçaj, si një nga lojtaret më kryesore e ekipit kujton:
“Unë për herë të parë me ekipin e Flamurtarit kam luajtur në moshën 15 vjeçare në vendin e një basketbolliste të shkëlqyer dhe kapitene e skuadrës në atë kohë që për koincidencë me të njëjtin emër Afërdita, pra është fjala për Afërdita Vjeron. Emocionet ishin shumë të mëdha të luaje në krahë të Muina Kuqit. Pireta Çikës Eleni Belit.Violeta Çalës, Ariana Birçes, etj që si fëmi i shikoja dhe i adhuroja si një ëndërr e paarritshme. Por me ndihmën e tyre me punën dhe vullnetin tim dhe pa dyshim nën udhëzimet dhe drejtimin e trajnerit të talentuar dhe të pa lodhur Petrit Stefa, unë dhe gjithë vajzat e ekipit formoheshim si lojtare me shumë sakrifica dhe punë duke ngjitur një nga një shkallet e sukseseve që në vitet 80-90 arritën në kulmin e tyre.
Skuadra e atyre viteve do të mbetet skuadra më e mirë e të gjitha kohërave, duke patur gjithmonë rivale të denja dhe kundërshtare shume te forta si 17 Nëntori me 29 tituj kampion rresht, me Valentina Myrto, Edra dhe Mirza Alibegaj, Klodeta Dibra. Nora Goxhi. Lume Hoxha, etj.
Me Skënderbeun e Zamira Kolecit, Lida Shehut dhe Sylenjin me shoqet e tyre të talentuara; me Vllazninë e Xhuli Shestanit, “Legjendën” e basketbollit shkodran; me Partizanin e Mira Guxhos. Memës, Zekthit, Titës etj; me Labinotin e motrave Xhyra, që na sillnin probleme me saktësinë e tyre në kosh; me Apolloninë e Kaliopi Semanjakut, Marinës e shumë vajza të tjera, të më falin që nuk i kam përmendur. Janë shumë emocione edhe pse kanë kaluar kaq vite i kujtoj me dashuri dhe nostalgji.
Unë kam qenë me shume fat që kam luajtur me lojtare të shkëlqyera dhe të paarritshme si:Bellova. Dajaka. Myrto. Shoshkic. Beti. Petrela, Koleci. Semanjaku. Shestani, Xhyrat dhe shumë lojtare të mëdha të atyre viteve.
Shumë nga vajzat nuk ishim vetëm kundërshtare, por dhe lojtare me ekipin kombëtar të basketbollit femra, ku një nga sukseset më të mëdha të ekipit në arenën ndërkombëtare është marrja e “Medaljes së Artë” në Siri dhe të vetmes në historinë e basketbollit shqiptar, me ekipin e drejtuar nga Bashkim Milo dhe Kujtim Kasmi dhe vajzat si: P.Çika, E.Alibegaj, K.Dibra, M.Çuka, N.Goxhi, A.Laçaj, L.Hoxha, Xh. Avdullaj, F.Mitku.
Me këto vajza ishim kundërshtare vetëm në fushë, pasi në jetë ishim shoqe në të mira dhe të këqija. E them këtë sepse kur më vdiq babai im, mbas dy javëve loznim me Vllazninë në Vlorë dhe gjithë skuadra më erdhi për ngushëllim. Gjithashtu edhe ne kishim vajtur tek trajneri i Vllaznisë për babain e tij.
Apo një rast tjetër me Lida Shehun, i bëmë surprizë duke i shkuar te shtëpia e bashkëshortit, pasi sapo qe martuar. I përmend këto raste sepse tregojnë anën njerëzore tonën si sportiste, pasi para se të ishim kundërshtare në fushën e lojës, në pjesën tjetër të jetës ne ishim shoqe. Janë këto ndjenja të sinqerta të atyre viteve, që na bëjnë të kemi respekt, konsideratë e dashuri për njëra tjetrën edhe sot dhe sipas rastit takohemi e kujtojmë me nostalgji ato vite të bukura. Një takim i tillë, shumë i përzemërt e i mbushur me dashuri, nostalgji e emocione për ato vite dhe për njëra tjetrën, ishte takimi i sivjetshëm me Klodin në Vlorë,i cili na ktheu në mendime e kujtesë shumë vite mbrapa.
Aktualisht komunikojmë me celularë dhe në rrjetet sociale me shumë vajza, marrim pjesë në gëzimet e tyre, të familjeve dhe fëmijëve të tyre. Shumë prej tyre sot janë bërë nëna, disa bile edhe gjyshe. E kështu e ndiejmë veten si një “Familje e Madhe”. Ju uroj të gjitha vajzave pa përjashtim shëndet dhe lumturi.
Përsa i përket lojës së basketbollit gëzohem pa masë që skuadra e sotme e Flamurtarit vazhdon rrugën e sukseseve të ekipit që bëri histori në vitet 80-90. Ju uroj vajzave dhe trajnerit të tyre suksese të mëtejshme! Për faktin se ndodhem në Greqi nuk jam në dijeni me imtësi për shumë gjëra të tanishme të basketbollit, pasi edhe interesi është e kuptueshme që bie, por një gjë dua të them më tepër si nënë “Ushqeni te fëmijët ndjenjën e të ushtruarit me sport, në veçanti basketbollin. Mos ua ndërprisni ëndrrat atyre që e kanë vetë një ndjenjë të tillë. Sporti të zhvillon fizikisht, të edukon me ndjenjën e përgjegjësisë, të sakrificës, ndjenjën e kolektivitetit. Të marrurit me sport e shmang rininë nga veset e këqija. Sporti të bën të jetosh përherë me emocione. Ato emocione dhe ndjenja që jeton një sportist që luan me gjithë shpirt në lojë, nuk mund të shprehen me fjalë dhe as mund të përjetohen në aktivitete të tjera”.
Përsa i përket marrëdhënieve të mia me ekipin e 17 Nëntorit kanë një vlerë të veçantë se, kur do luanin me skuadrën bullgare për Kupën e Kampioneve, më kishin thirrur bashkë me Piretën për të luajtur. Për mua ishte një vlerësim i bërë nga ekipi dhe trajneri i tij Kujtim Kasmi, për të cilin shpreh respekt e konsideratë.
Një vlerësim të veçantë për ato vite, për rezultatet e arritura si ekip i Flamurtarit, ia dedikojmë trajnerit të famshëm, të palodhur dhe shumë inteligjentë, Petrit Stefës, i cili për ne ishte jo vetëm trajner, por edhe prind, shok dhe mik. Aftësitë dhe kontributin e tij nuk mund ta përmbledhësh dot në këto pak rreshta. Me këtë rast fare shkurt dua t’i shpreh respekt dhe konsideratë pakufi këtij Mjeshtri të Merituar të Sportit.
Sot, edhe pse kanë kaluar mbi 25 vite, me vajzat e asaj kohe dhe me trajnerin Petrit Stefën ndihemi si një familje e madhe. Dëshiroj që në këtë moment të falënderoj personalisht gazetarin vlonjat z. Ergys Alushin për punën e shkëlqyer që ka bërë me botimin e librit “Kampionët e Vlorës”, libër në të cilin basketbolli i femrave të Vlorës, zë një vend të veçantë e të merituar. Ky libër është një dhuratë për sportdashësit vlonjat dhe jo vetëm, në mënyrë të veçantë për brezin e ri, që të njohin historinë e sportit të basketbollit dhe në përgjithësi historinë e klubit shumë sportesh të Flamurtarit të Vlorës.
Pata fatin ta marrë librin, ta lexoj dhe një kopje t’ia dhuroj shoqes dhe mikeshës time të shkëlqyer, e cila ka një lidhje të veçantë me dijen dhe librin në veçanti, mjeshtres Klodeta Dibrës. Shpresoj që në vizitën më të shpejtë që të bëj në Vlorën time, të takoj dhe falënderoj nga afër gazetarin, Ergys Alushin”- përfundon kujtimet e saj, Afërdita Laçaj.
Besoj se së bashku me çdo lexues të këtyre rreshtave, na lind e drejta të vlerësojmë punën, pasionin, përkushtimin, jo vetëm të Afërditës dhe Klodetës, objekt i të cilit ishte ky shkrim, por të vlerësojmë gjithë mundin dhe sakrificat e femrave basketbolliste të atyre viteve, të cilat sakrifikuan rininë dhe familjen e tyre për të na dhuruar emocione, spektakël dhe ndeshje aq të bukura, plot ritëm, fantazi e rivalitet, që sot në shumicën e kohës na mungojnë, pa lënë mënjanë drejtimin me kompetencë të trajnerëve të tyre të pasionuar.
Mirënjohje gjithë basketbollisteve shqiptare femra ndër vite! Suksese brezit të sotëm të basketbollisteve femra me urimin për të ndjekur dhe çuar më parë arritjet dhe sukseset e basketbollit dhe sportit shqiptar në përgjithësi!
Në përgatitjen e këtij shkrimi u shfrytëzuan materialet arkivore të historikut të basketbollit të femrave në Shqipëri sipas citimeve të bëra më lart, në mënyrë të veçantë materialet e gazetarëve, Adriatik Dosti e Ergys Alushi, për të cilët gjej rastin për t’i falënderuar, si edhe mendimet e vlerësimet e vetë protagonisteve të këtij shkrimi, Mjeshtres së Merituar të Sportit, Klodeta Dibra dhe Mjeshtres së Flamurtarit, Afërdita Laçaj, dikur rivale të denja e sot shoqe e mikesha po aq të denja.
Përgatiti: Besnik Gjonbrataj