Loading...

“Isha 10 vjeç, 5 vëllezër, një motër dhe nëna kur na sollën”, rrëfimi prekës: 30 vjet internim, kur ata të thërrisnin…

Unë isha 10 vjeç, 5 vëllezër, një motër dhe nëna kur na sollën. Na bënin apel dy herë në ditë, kishte raste që kur kishte lëvizje qeveritare apelin e bënin tre herë në ditë. Bëhet fjalë për 200-300 burra dhe gra.”

Sofokli Kuqeshi rrëfen 30 vitet e internimit në Savër të Lushnjes.

Rrëfimi i plotë

Ne jemi internuar në korrik të vitit 1960. Unë jam nga Leskoviku dhe na kanë internuar familjarisht në Savër. Kur kemi ardhur në Savër kishte përgatitur shteti disa baranga që do të sillnin edhe të tjerë nga e gjithë Shqipëria. Arsyeja e internimit ishte se më morën babain në burg edhe xhaxhain. Xhaxhai u dënua me 22 vjet dhe vdiq në burg pa i bërë vitet tamam të burgut, ndërsa babain e pushkatuan. Kur erdhëm në Savër unë isha 10 vjeç, ishim 5 vëllezër dhe një motër edhe nëna kur na sollën. Na kanë sjell me dy zisa me mbi 7-8 familje me gjithë plaçka me gjithë njerëz. Në të njëjtën kohë kanë vajtur kanë marrë edhe vëllain në Shijak dhe e sollën këtu. Unë dhe një vëlla tjetër nuk ishim në moshë për apel, kurse vëllai i madh, motra, nëna ishin në apel dhe bënin apel dy herë në ditë. Bëhet fjalë për 200-300 burra dhe gra që ishin në apel.

Si funksiononte apeli?

Apeli kishte një orar, përshembull në mëngjes në orën 6 – 6:30, si e përcaktonte polici përkatës dhe bëhej apeli. Të gjithë përgjigjeshin: “këtu këtu” edhe iknin. Në atë kohë unë kisha një vëlla të porsalindur që ai nuk e pa babain kurrë, nëna pasi bëri disa ditë apel ju lut oficerit,  të mos paraqitej në apel sepse kishte një fëmijë të vogël. Kështu funksiononte, grave u bëhej ndonjë tolerim për të mos ardhur çdo darke e çdo mëngjes. Kishte raste që kur kishte lëvizje qeveritaresh apeli bëhej dhe tre herë në ditë. Aty u njohëm me familjet kryesore të vendit (familja e Kupit, Mirakajt, Gjon Marka Gjonit). Nga biseda që kemi bërë me fëmijët e këtyre familjeve, vinin nga Kampi i Tepelenës dhe kampe të tjera. Në këto kampe kanë vuajtur shumë herë më shumë se në Savër. Ata që ishin në moshë punonin me lekë, vetëm se dihej që të internuarit bënin punët më të vështira. Për ne shkolla lejohej deri në gjimnaz, të lartën jo.

A kanë pasur të drejtë vote të internuarit?

Me kalimin e viteve, para viteve ‘70 menduan që familjet që ishin familjet më në zë, duke gjykuar që Savra ishte në një  pozicion të favorshëm buzë rrugës, i hoqën disa familje dhe i çojnë në Gjazë, disa në Grabianë, Gradishtë, për më keq dhe ashtu ishte vërtet.

A ka pasur tentativa për t’ju përkeqsuar statusin?

Momenti që ata të thërrisnin për të të bërë informator, ai që nuk pranonte në fund e kërcënonin që në rast se merrej vesh ose i thuhej dikujt, përfundonte në burg. Me kalimin e viteve kemi diskutuar në bisedat me njëri-tjetrin, mua më kanë thënë këtu, më kanë thirrur këtu. Një pjesë të madhe kishin një presion të gjithanshëm siç e kishin ata në natyrën e vetë. Arritën të bënin shumë shumë njerëz informator. Ka patur raste edhe në familje që gruaja ka spiunuar burrin e vetë.

Si kanë qenë kushtet e jetesës në Savër?

Kur kemi ardhur atë ditë korriku më kujtohet si tani na futën në ato barangat që kishin përgatitur dhe brenda pak ditësh u populluan të gjitha. Fillimisht jo, të skamur, kushtet shumë të këqija. Një nga kushtet më të këqija ishte puna e ujit. Në Savër ishin tre puse që mbushnin ujë të gjithë. Tani imagjino, atëherë filluam të merrnin edhe ndonjë bagëti, ndonjë lopë, imagjino të fusësh në një pus 200 kova. Më kujtohet nëna ime ndjesë pastë kur vinte periudha qershor – korrik -gusht që ujrat binin poshtë, nuk bëhej fjalë për cilësi, bëhej fjalë të mbushje ujë, le të ishte i turbulltë. Nëna ngrihej që në dy të natës me ca shoqe që të gjenin atë pak ujë të paturbulluar. Në vitin 1968 na kanë sjellë ujin e pijshëm nga Lushnja, nga çezma publike. Për ne çezma publike ishte gjë e madhe kur e mendonim se kishte ujë 24 orë me presion. Kur kujton ato banjot ishte një tmerr i vërtet, në të dy faqet e barangave kishte një diçka të mbyllur që quhej WC me gropë septike mbrapa. Ne ishim gjithë ato familje, arrinte momenti që mbusheshin dhe kishte ca qerre që funksiononin për t’i pastruar.

Në ç’vit duhej të mbaronte internimi juaj?

Fillimisht edhe familja ime e kishte internimin 5 vjeçar. Momentin që mbaronte 5 vjeçari, kishte dhe familje që bënin kërkesë për lirim. Një pjesë i këshillonin mos të kthehen më nga vendi nga kanë ardhur. Ne si familje kryem 5 vjet internim, pastaj 10 vjet,  më vonë 15 vjet dhe vëllai im i madh deri kur u prish sistemi ka qenë i kufizuar.  Ama imagjino që të punosh 30 vjet pa pushuar një ditë dhe në punë më të vështira është me të vërtet që të duket sikur po thua: “Po flas realitetin apo jo?”

Nga çfarë ndiheshe më shumë i privuar?

Gjëja që s’mund ta harroj është për shembull kur isha në shkollë, pasi kam vazhduar shkollë nate gjimnazin, edhe për arsyen që të mos përfundonim keq lashë një vit gjimnazin. Gjëja më e keqe ishte kur thoshin:” kush nuk është anëtar i rinisë të dal përjashta”. Në atë kohë mund të simpatizoje ndonjë vajzë aty, ndjeheshe shumë keq. Kjo më ka ndodhur kur kam shkuar ushtarë. Kur kam shkuar ushtar në repart pune. Në Korçë e kam bërë ushtrinë, në të gjithë rrethin e Korçës se lëviznim, ne ishim repart pune. Kur mori vesh ai komisari që ne nuk ishim anëtar Fronti, anëtar i rinisë u befasua. Bëm një kërkesë dhe brenda javës i morëm sa ishim atje, se kur erdhëm këtu prap nuk funksionuan. Ne kemi patur një dëshirë të paimagjinueshme për të luajtur top. Më kujtohet që kur kemi qenë të vegjël që na ngarkonte nëna me ndonjë punë të vogël dhe sa ta mbaronin iknim për të lujtur top dhe dukej sikur kapnim qiellin me dorë. Atëherë krijoheshin spartakiatat në rang koperative, në rang ferme deri sa vinin finalet. Këta që luanin rolin e trajnierit në Savër, ne ishim shumë të internuar që luanim mirë dhe na merrnin ne, një ndër ta kam qenë dhe unë që merrte 5-6 nga ne. Ne dilnim kampion në të gjithë fermën në B- 28 nëntorin. Atëherë kjo do të përfaqësonte në B në Korçë në finalet, përshembull Plugu zinte vendin e dytë. Detyrimisht ngaqë ne trajnieri na merrte fshehurazi. Ruheshim atëherë nga këto, jo moda jo faforitet dhe mua më kishin si më të pranueshëm edhe thoshin: “ska problem”. Pas ardhjes së Mirakajve e më pas i çuan në Gjazë ishin dhe shumë familje të tjera atje, ne shkonim atje dhe luanim me shokët. Mbasi kaluan edhe disa kohë dhe e shikonn që ne vinim shpesh aty, këtë gjë nuk e panë me sy të mirë, se e shikonim çfarë argëtimi bënim ne prandaj. Më kujtohet herën e fundit, momentin që ne do fillonim lojën ka ardhur një sekretar rinie dhe tha: “ju nuk keni për të luajtur më këtu”. Pse mos luajmë? Jo këto gjëra bëhen me organizim. Më kujtohet kur vinin aksionistët, ndërmarjet, universitetet vinin këtu nga Tirana. Imagjino universitet e asaj kohe pjesmarrja më e madhe, sa uleshim në autobus do i mblidhnin dhe do i thoshin me këta këtej nuk do të bëheni se janë armiq të popullit.

Unë quhem Sofokli Kuqeshi, jemi 8 fëmijë kemi ardhur në korrik të vitit 1960 në internim. Jam sot e kësaj dite në Savër,  ndoshta për të thënë se fajin s’ma ka patur as Savra as Lushnja./Kujto.al.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com