I kthjellët në kujtesë e i vëmendshëm në bisedë, Rrapi Mino, Prokurori i Përgjithshëm më jetëgjatë i regjimit komunist, rezervohet tej mase kur bie fjala për disa nga momentet më kritike të proceseve të bujshme.
Aq e fortë është kjo stepje e tij, sa që një çast të duket e kotë çdo përpjekje për të zbardhur sadopak misteret që kanë lënë pas disa nga ngjarjet më tronditëse ku ai ka qenë ndër protagonistët kryesorë.
Sidoqoftë, edhe për aq sa pranon të tregojë, gjithnjë me një lloj mëdyshje, Mino zbulon për herë të parë disa nga rrethanat e panjohura e të shumëpërfolura të ekzekutimit të Kadri Hazbiut, ish-ministrit historik të Sigurimit të Shtetit.
Ka qenë kjo një histori e jashtëzakonshme e risjellë vitet e fundit në vëmendje të opinionit publik në versione nga më të ndryshmet. Përtej atyre që përmbajnë dokumentet zyrtare për epilogun e këtij procesi, nga dëshmitarë të ndryshëm kanë qarkulluar zëra që tregojnë se në rastin e ekzekutimit të Hazbiut nuk është zbatuar asnjë nga kërkesat e procedurës që parashikonte dispozita përkatëse e kohës.
Madje, njëri nga ish-gardianët e Burgut 313 ka pohuar se Kadri Hazbiun, në vendin e ekzekutimit, e kanë çuar të vdekur. Një tjetër ka thënë se ai ka ndërruar jetë nga torturat. Sakaq, ka të tjerë që kanë vënë në dukje se ekzekutimi i tij është bërë fshehurazi në qeli nga njëri prej zëvendësministrave të Brendshëm, për të shmangur pështjellimin në radhët e efektivëve të emëruar dikur nga Kadri Hazbiu e të urdhëruar së fundi për të ekzekutuar atë.
Zoti Rrapi! Vetëm për t’i çuar përgjigjet e letrave të Enverit keni shkuar në qelinë e Kadri Hazbiut?
Unë isha prokuror i çështjes dhe puna ma donte të takohesha me të sipas procedurave ligjore. Ndërkohë, si Prokuror i Përgjithshëm, jam ngarkuar nga Enveri për t’i çuar Kadri Hazbiut përgjigjet e letrave që i dërgonte nga burgu. Në të gjitha këto raste jam shoqëruar nga Hekuran Isai, që ishte ministër i Brendshëm..
Kaq shumë letra i ka dërguar nga burgu Kadri Hazbiu Enverit?
Nuk bëhet fjalë për shumë të tilla. Me sa më kujtohet, i ka adresuar tri-katër letra. Për çdo njërën, Enveri, si rrallëherë, i kthente përgjigje në atë mënyrën e tij.
Sa kohë zgjati procesi ndaj grupit të Kadri Hazbiut?
Zgjati goxha. Sa ditë e javë, nuk e mbaj mend me saktësi, por di të them që ishte një proces maratonë dhe me shumë tension…
Gjatë gjithë kësaj kohe, Kadri Hazbiu qëndronte në birucat e Burgut 313?
Gjatë gjithë kohës që janë bërë hetimet, ai dhe i gjithë grupi i tij kanë qenë në Burgun 313. Biles, edhe gjyqi i tyre është bërë po në mjediset e këtij burgu.
Thonë se janë mbajtur në kushte tmerrësisht të vështira…
E kam dëgjuar edhe unë këtë fakt, por e vërteta është ndryshe. E them me përgjegjësi se për rastin e tyre ishte përgatitur një ambient i veçantë brenda burgut, që ishte i izoluar nga pjesa tjetër, me kushte disa herë më të mira nga ato të burgosurve të tjerë. Gjithçka ishte rregulluar për jetesë normale, kuptohet brenda kufizimeve që lejonte rregullorja përkatëse.
Pjesën më të madhe të kohës, Kadri Hazbiu dhe pjesëtarët e tjerë të grupit, mbaheshin të paprangosur, por kishte dhe raste që u viheshin prangat dhe kaskat mbrojtëse. Për fjetje kishin kaushë të posaçme dërrase me tri faqe të veshura e të siguruara nga brenda me dyshekë kashte, për të evituar vetëvrasjen. Dilnin rregullisht në ajrim dhe hanin ushqim të veçantë nga të burgosurit e tjerë. Për ta kishte një personel të posaçëm që u shërbente me korrektesë. Pra, ajo që thonë se janë mbajtur në kushte të vështira nuk qëndron…
Sidoqoftë, duket si e pabesueshme ajo që pohoni se Kadri Hazbiut në burg i kanë dhënë ushqim special dhe i kanë vënë në dispozicion një personel të posaçëm për t’i shërbyer…
Unë di të dëshmoj për ato që kam parë, të tjerët të thonë si të duan. Është puna e tyre… /Panorama.