Policia e Durrësit ka vendosur në pranga dy inspektorë të Autoritet Kombëtar të Ushqimit, pasi akuzohen për ryshfet. Në pranga përfunduan Arben Gupi, 51 vjeç dhe Medi Çela, 49 vjeç , pasi u kapën duke marrë 8 mijë lekë të reja rryshfet nga një kamarier i një subjekti për të mos vendosur gjobë për mosplotësimin e kushteve higjieno-sanitare.
Njoftimi i plotë i Policisë
Në lidhje me një video të publikuar mbrëmjen e djeshme në një emision investigativ “Fiks Fare” ku dy Inspektorë të AKU-së paraqiten duke marrë rryshfet, janë kryer veprimet procedurale nga ana e Specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar , të cilët kanë ndaluar shtetasit:
• Arben Gupi 51 vjeç, banues në Durrës, Inspektor pranë Drejtorisë së AKU-së; Medi Çela 49 vjeç, banues në Durrës, Inspektor pranë Drejtorisë së AKU-së.
Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit E.J. 26 vjeç , banues në Durrës, kamarier në subjektin privat që u kontrollua.
Më datë 18.09.2018 , shtetasit e mësipërm në detyrë Inspektor pranë AKU-së kanë ushtruar kontroll pranë një subjekti privat dhe nuk kanë mbajtur akt konstatimi ku kamarieri i subjektit që u kontrollua u ka ofruar një sasi parash prej 8 000 lekë të reja , me qëllim që të mos e gjobisnin për mungesë të dokumentacionit higjieno – sanitar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale ” Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” , “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar në nenet 259, 248 , 25 dhe 244 të Kodit Penal.