“Fëmijët e klasës së parë deri në klasën e katërt do të kenë libra falas me standarde si çdo bashkëmoshatar i tyre në Europë”, deklaroi kryeministri Edi Rama në Vlorë, ku mori pjesë në shpërndarjen e paketave të librave falas për nxënësit, sipas vendimit të qeverisë për librat falas për të gjithë nxënësit e klasave I – II – III – IV (dhe vitin tjetër edhe V).
Kryeministri nënvizoi se librat falas janë një provë kuptimplotë jo vetëm e vëmendjes së posaçme ndaj arsimimit të fëmijëve, po edhe e faktit se falë reformave e kontributeve të të gjithëve, rriten mundësitë e shtetit për të investuar më shumë fonde në favor të familjeve e të fëmijëve pa diskutim.
Kryeministri theksoi se librat e rinj ndonëse do jenë falas, ç’është më e rëndësishme, kanë standarde europiane.
“Librat e shkollës nuk janë thjeshtë vetëm tekste, por janë tekste me një cilësi të padiskutueshme, pasi tani më, ne jemi në mbyllje të një cikli të nisur tre vjet më parë për zëvendësimi e të gjithë teksteve aq shumë problematike, aq shumë të ngarkuara, aq shumë të kontestuara nga prindërit nga mësuesit edhe aq shumë të kritikuara edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Paketa e librave janë tekste nga Oxford, Cambridge, Pearson, që kanë zëvendësuar malet me gropa të qindra e qindra teksteve që për shumë vite, lemerisën mësuesit, prindërit e nxënësit”, theksoi kryeministri.
Tanimë, vuri në dukje ai, nxënësit shqiptarë kanë tekste të reja si ata me të cilët mësojnë bashkëmoshatarët e tyre në Britaninë e Madhe dhe jo vetëm”, tha kryeministri Rama.
Më tej, Rama shtoi se “na vjen mirë që ia dolëm në këtë proces, por na vjen edhe me mirë që tani ne kemi mundësinë që edhe një tjetër kontribut të prindërve për familjen e për fëmijët ta zëvendësojmë me një kontribut të shtetit”. /atsh
https://web.facebook.com/edirama.al/videos/926941630839276/?t=0