Loading...

“Fëmijë të fshehtë, seks me punëtoren, lek në kumar… Disa histori divorci nga Gjykata e Tiranës”

Nga Entela Resuli 

Nëse vëzhgojmë rastet e divorceve në gjykatën e Tiranës, mund të themi se aty mund të gjenden tema  për t’u bërë filma në… Bollivud.

Papunësia, tradhtia, ekonomia e dobët, arsimimi dhe mungesa e objektivave apo synimeve janë disa nga shkaqet që çojnë çiftet drejt ndarjes.

Ne kemi shfletuar disa vendime gjykate nga të cilat mësojmë edhe shkaqet që i kanë çuar çiftet drejt ndarjes. Po ju sjellim disa prej tyre,  shkëputur nga materialet gjyqësore:

1-Pas divorcit zbulon se gruaja e kishte tradhtuar dhe… fëmija e fundit nuk ishte i tija

Një 54-vjeçar banues në Tiranë, në momentin që i drejtohet togave të zeza me kërkesën e zgjidhjes së martesës, kishte 5 fëmijë. Këtu shumë gjëra ndryshuan gjatë rrugës.

Në vendimin që mban datën 12.03.2015 thuhet se, paditësi A. B. ka qenë i martuar me shtetasen F. B., nga martesa e tyre kanë pasur 5 fëmijë. Pas përfundimit të çështjes së divorcit, gjykata ka vendosur që fëmijët t’i lihen nënës për rritje, ndërsa babai i është dhënë e drejta e takimit të tyre si dhe detyrimin për të kontribuar nga ana ekonomike.

Por çfarë ndodhi? Gjatë kohës që çifti ishte në procedura për zgjidhjen e martesës, A. ka vënë re disa veprime të bashkëshortes së tij dhe shoqërimin e saj me një person tjetër, gjë që e bëri atë të dyshonte për një lidhje mes tyre që mund të kishte nisur më parë se të bëhej zgjidhja e martesës.

Nisur nga këto dyshime dhe për të provuar me fakte hamendësimet e tij, ai kërkon bërjen e analizave të ADN-së për djalin e vogël. Nga konkluzionet e analizave rezultoi që fëmija nuk është i tij.

Dhe nuk përfundon me kaq. 54-vjeçari i ndodhur para një fakti të tillë, i lënduar për atë që vërtetoi, kërkoi kundërshtimin e atësisë së fëmijës, ndërkohë, i lindën dyshime edhe për vajzën, që mund të mos ishte e tija. Pas u bënë analizat edhe për B. rezultoi se vajza ishte fëmija biologjik i paditësit A. B.

Mbas këtij përfundimi babai kërkoi pushimin e çështjes me objekt kundërshtimin e atësisë për fëmijën për vajzën, 15 vjeç.

Nga kjo histori 54-vjeçari doli i divorcuar dhe… me një fëmijë më pak.

2-Ngritën një biznes familjar, kur isha në pritje të fëmijës së tretë, ai lidhet me një nga punëtoret…

D. dhe S. D. kanë 22 vite martesë, por kjo nuk i ka penguar që t’i japin fund lidhjes së tyre, nga e cila kanë 3 fëmijë të rritur.

Nga vendimi i gjykatës së Tiranës që mban datë 09 nëntor 2015 mësojmë se, është bashkëshortja ajo që ka kërkuar zgjidhjen e martesës.

Ata kanë lidhur martesë në vitin 1994. Kanë tre fëmijë të datëlindjeve 1994, 1997, 2010. Sipas bashkëshortes, që në fillim martesa ka pasur probleme, por që janë kaluar për hir të fëmijëve. Paditësja ka deklaruar se ata hapën një biznes të përbashkët duke punësuar në të edhe njerëz.

Në kohën kur gruaja ishte në pritje të fëmijës së tretë dhe qëndronte regjim shtrati bashkëshorti i saj kishte krijuar lidhje jashtëmartesore me një punëtore, që ishte marrë në punë nga të dy. Më vënien në dijeni të këtij fakti fillojnë grindjet mes tyre. Për këtë situatë paditësja kërkoi dhe ndihmën e prindërve, por nuk u arrit gjë.

Ai vazhdon historinë me punëtoren e vetë ndërsa gruaja e tij nuk ka mundësi të shkojë të punojë për këtë fakt. Gruaja deklaron se dhe pse kanë gati dy vjet që nuk janë më bashkëshortë, ai vazhdon të përdorë dhunë ndaj saj dhe ndikon negativisht te fëmijët pasi u plotëson çdo gjë nëpërmjet lekut duke i vënë kundër saj.

E gjithë kjo histori ka bërë që pas 22 vitesh martesë, sot, me vendim gjykatë, ky çift është i ndarë, ndërsa burri vazhdon jetën i lumtur me punëtoren.

3-Shiti shtëpinë dhe i la në kumar… borxhlinjtë kërkonin lekët

Problemi i veseve, sidomos i kumarit është një tjetër shkak që çon familjet drejt shkatërrimit. Ky është rasti i këtij çifti, i cili është martuar në 1996 dhe janë prindër të dy fëmijëve adoleshentë, vajzën 18 vjeç dhe djalin 16. Ka qenë bashkëshortja që i është drejtuar gjykatës me kërkesën për zgjidhje martese. Vendimi mban datën 9 mars 2015.

Sipas rrëfimit të paditëses A. Sh. deklaruar në vendimin e gjykatës së Tiranës, thuhet se:

“Me D. jam njohur në vitin 1994 dhe kemi lidhur martesë në vitin 1996. Nga martesa jonë kemi dy fëmijë, vajzë dhe djalë. Në fillim të martesës kemi qenë mirë bashkë. Më pas atij iu desh të largohej për në Itali për punë.

Pas kthimit ishte i papunë për pothuajse tre vite. Më pas gjeti punë në administratën publike, në këtë kohë unë kuptova që ai luante shumë kumar. Arsyeja që jam këtu për divorc është sepse ai luan dhe ka futur në borxh familjen për shuma vërtet të mëdha.

Personat që ky i kishte borxh erdhën të kërkonin paratë në shtëpi. Ne shitëm një shtëpi për të blerë një më të madhe dhe ai lekët i la në bixhoz. Ne kemi ndenjur te shtëpia e prindërve të mi. Ai pastaj nuk e pranonte më një gjë të tillë dhe u largua.

Tani unë kam 2 vite që jetoj pa të. Fëmijët i kam mbajtur unë. Që nga kjo periudhë nuk kam pasur më kontakte. Fëmijët më kanë thënë që ai jeton me të atin. Ai për herë të fundit me mua ka kontaktuar në Nëntor 2014. Marrëdhënia me fëmijët nuk është e mirë pasi ai nuk interesohet fare për ta. Ai është i papunë. Më shumë është i pirë, sepse unë e kam në lagje dhe e shoh”- shkruhet deklarata e gruas në vendimin e gjykatës. Sot ky çift është i ndarë dhe fëmijët qëndrojnë me nënën e tyre.

Nuk më donte vjehrra, burri dilte me femra të tjera

Në këtë histori është gruaja që kërkon divorc, e cila rezulton të jetë dy vite më e madhe se bashkëshorti i saj. Gruaja, Sh. K. (1979) dhe I. K. (1981). Vendimi me numër 1547 mban datën 2 mars 2015. Ka qenë bashkëshortja e cila ka treguar në gjykatë historinë e saj. Sipas 37-vjeçares gjithçka ka filluar në vitin 2002.

“Jemi njohur me I. në Greqi, u dashuruam. Vitin e parë kaluam mirë. Të dytin ai tregoi veten dhe linte gjithçka që kishim në kumar. Kisha shumë probleme me vjehrrën sepse sillej shumë keq me mua. Nuk më pranoi si nusen e saj që në fillim. Me shumë probleme i shtymë 10-12 vite, deri tani sa nuk mendoj që ia vlen më. Ai, njerëzit e mi nuk i donte fare. U futëm në konflikte shumë të mëdha me familjen time derisa nuk shtyhej më dhe arritëm deri te ndarja. Ndarja jonë ka ndodhur ne Greqi. Unë jetoj atje me motrën. Djali rri me bashkëshortin. E takoj kur ai del nga shkolla. Me djalin i kam shumë të mira marrëdhëniet, ai më do shumë. Kërkimet e mia në thelb kanë faktin se marrëdhënia ime me I. është tronditur për shkak të konflikteve me të dhe vjehrrën. Bashkëshorti pinte dhe linte lekë në bixhoz. Ai dilte dhe me femra të tjera. Për këto arsye kërkoj që fëmijën ta mbaj unë”- mbyll rrëfimin dhe argumentin e parë, zonja.

Ndërsa bashkëshorti i pyetur nga gjykata, ka rënë menjëherë dakord për zgjedhjen e martesës dhe ka kërkuar që fëmijën ta mbajë vetë për shkak të kushteve që i ka krijuar. Edhe gjykata kështu ka vendosur, divorcin e prindërve dhe lënin për rritje dhe edukim të fëmijës 11 vjeç, të atit.

4-Ai ndryshoi, filloi të vinte vonë në shtëpi dhe kishte probleme me… kumarin

Ndodh ndonjëherë që pavarësisht se dukesh sikur shkon mirë me bashkëshortin, pasi kalojnë disa vite, kupton se ke mospërputhje karakteri.

Kjo i ka ndodhur edhe këtij çifti, prindër të dy fëmijëve, djali 12 dhe vajza 10 vjeç. Vendimi mban datën 13 shkurt 2015 dhe është bashkëshortja ajo që i drejtohet gjykatës me objekt padie zgjidhje martesë.

Në vendim tregohet nga E. se në fillim të dy kishin një marrëdhënie shumë të mirë, ndanin interesa të përbashkëta dhe kishin komunikim të shkëlqyer me njëri-tjetrin. Në vitin 2003 vjen në jetë djali i tyre R. dhe në vitin 2005 vjen në jetë vajza.

Të dy ishin prindër të përkushtuar ndaj fëmijëve dhe kishin një jetesë të qetë familjare. Më pas në fillim të vitit 2012 E. deklaron se sjellja e S. filloi të ndryshojë. Ai ishte më neglizhent ndaj familjes dhe kthehej në shtëpi në orare të vona. Kjo gjë u bë shumë e dukshme dhe problematike.

Gjithashtu E. pohon se të ardhurat që bashkëshorti i saj sillte në shtëpi ishin shumë të pakta në këtë periudhë dhe familja kishte probleme me pagesat e shkollave të fëmijëve duke qenë se ata studiojnë në shkollë private. Me vonë ajo mori vesh se bashkëshorti i saj kishte probleme me kumarin dhe aty shpenzonte të ardhurat që fitonte. Shumë shpejt ajo zbulon se ai kishte borxhe shumë të mëdha financiare për shkak të kumarit dhe personat të cilët u detyrohej para S. filluan të vinin dhe t’i kërkonin paratë të gruaja.

Për këto arsye ajo, në shtator të viti 2013 vendosi t’i jepte fund marrëdhënies së saj duke larguar bashkëshortin nga shtëpia. Për hir të fëmijëve ata kanë ruajtur marrëdhënie pozitive, por, me vendim gjykatë tashmë janë të divorcuar dhe fëmijët qëndrojnë me nënën e tyre”.

5-Në Greqi ishin mirë, sa erdhën në Shqipëri, u ndanë

Vendimi që kemi në dorë mban numrin 1459. Nëna e dy fëmijëve i është drejtuar gjykatës me kërkesë për divorc.

M. ka paditur S. M. Në shpjegimet e saj pala paditëse ka pohuar se marrëdhëniet e tyre kane qenë shumë të mira, pasi janë martuar kanë shkuar së bashku në Greqi, aty kanë jetuar e punuar si emigrantë. Janë bërë me tre fëmijë, tre vajza. Për 13 vite kanë jetuar një jetë të qetë familjare, deri para dy vjetësh kur ata u kthyen në Shqipëri. Në Tiranë në zonën e Kombinatit ata kanë një shtëpi të ndërtuar prej tyre me kontributin e punës së përbashkët. Sipas bashkëshortes, përpara një viti kane filluar konfliktet sepse të ardhurat që kishin fituar në Greqi mbaruan dhe papunësia ishte problem i madh për të dy. S. nuk gjeti dot punë. Aty kanë lindur edhe debatet mes tyre pasi për rritjen dhe shkollimin e fëmijëve duheshin lekë. Në këtë kohë S. është larguar nga banesa dhe pas një kohe të gjatë ai nuk është kthyer. Në këto kushte, e ndjerë e braktisur, bashkëshortja ka kërkuar zgjidhje martesë, kërkesë e cila është aprovuar nga gjykata më datën 26 shkurt 2015.

Këto janë disa nga historitë e ndarjeve që mësojmë në Gjykatën e Tiranës botuar nga DITA. Fëmijët mbeten viktimat kryesore të këtyre dramave familjare.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com