Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka marrë pjesë në aktivitetet për Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, në qytetin e Korçës, ku prej dy ditësh po ndjek nga afër punimet në kantieret e restaurimit të monumenteve. Ndërkaq, ajo mori pjesë në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”, në një seminar të zhvilluar sot në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë për rëndësinë e konservimit dhe restaurimit. Në seminar ishin pjesëmarrës nxënës të shkollës së arteve “Tefta Tashko”.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi se “Edukimi përmes kulturës” është një ndër programet më të rëndësishme të Ministrisë së Kulturës që po zbatohet në mbarë vendin.
“Në vërtet kemi trashëguar pasuri të shumta kulturore, por kemi edhe detyrimin që t’ua lemë trashëgim të rinjve. Dhe kjo nuk bëhet me urdhëra administrativë e as vetëm me vullnete politike, por bëhet me një punë të përditshme të edukimit të brezave të rinj. Trashëgimia kulturore së pari është çështje dashurie. Nëse ne nuk ia përcjellim atyre këtë dashuri, nuk kemi garancinë që nesër dikush do kujdeset për trashëgiminë kulturore”, tha Kumbaro. /atsh