Loading...

E frikshme, për 8 muaj u mbyllën 9260 biznese-33 në ditë. Ja pse po e rishikon qeveria buxhetin

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar pas deklaratave të bëra sot nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj mbi situatën në vend.

Në një status në “Facebook”, Tabaku nxjerr fakte që sipas saj tregojnë se ekonomia është përkeqësuar, mungojnë investimet e huaja dhe borxhi është rritur. Tabaku llogarit se 60 % e investimeve të huaja, është nga TAP, investim i trashëguar nga PD.

Deputetja e PD tregoi të dhënat zyrtare për rënien e ekonomisë. Sipas saj nga janari në gusht janë mbyllur 9260 biznese ose 33 biznese në ditë. Tabaku thotë se qeveria po e rishikon buxhetin, sepse mungojnë 86 milionë dollarë, ndërsa borxhi publik është rritur ndjeshëm.

Sipas saj, duke llogaritur edhe PPP, borxhi është 83% apo 20% më i lartë sesa kur PS mori qeverinë.

STATUSI I TABAKUT
Nuk shpëtohet ekonomia duke shpresuar në kopje, zoti Ministër!
Ministri Ahmetaj nga rehatia e kolltukut të parlamentit foli sot i shkujdesur për Aktin Normativ dhe arritjet e qeverisë me pushime. Ndër arritjet që ai theksoi me tonin grotesk që shoqëron zakonisht raportimet aspak serioze të ministrisë që përfaqëson, vërehej dhe krenaria e tij për rritjen e disa zërave specifikë. Ndërsa në një miks reagimesh dhe frustimesh për akuzat e vërteta të opozitës u përpoq të justifikohej.
Një nga pikat që ai theksoi më fort në ligjërimin e tij grotesk ishin Investimet e huaja. Pretendimi ishte që investimet e huaja po njohin një rekord mbresëlënës, 210 milion euro pretendon ministri Ahmetaj se kanë sjellë të huajt në Shqipëri gjatë tremujorit të dytë 2018. Po ta vendosësh ministrin përballë ministrit Ahmetaj të katër muajve më parë do të shohësh të njëjtën eufori për investimet e huaja, të njëjtin entuziazëm për një shifër tjetër. Ky lloj entuziazmi i ngjan atij të një nxënësi të dobët që ka përfituar nga kopja tek një student i mirë dhe ia ka arritur të marrë një notë të mirë jo nga zotësia e tij apo mësimi por nga kopja që ka mundur të marrë për katër vjet e disa muaj. Provojeni largojeni nxënësin e mirë nga banka përpara ministrit dhe shiheni se sa i zoti do të jetë ministri orator dhe entuziast me arritjet e kopjes.

Tani, Banka e Shqipërisë raporton sistematikisht se mbi 60% e Investimeve të huaja, pra vlerës 210 milionë euro që pretendon ministri, është produkt i TAP. Siç i madh dhe i vogël e di tanimë, TAP është një projekt i sjellë në Shqipëri nga qeverisja e PD, një projekt tejet serioz që i ka dhënë hov ekonomisë dhe investimeve në një kohë krize dhe euforie false. Por kjo nuk e pengon ministrin që të gëzohet si një fëmijë edhe kur Komisioni Europian nënvizonte jo më larg se një muaj më parë se “Shqipëria rrezikon që nga njëri vit në tjetrin të përballet me sfidën e zvogëlimit të investimeve të huaja direkte në kushtet kur dy projektet e mëdha të energjisë(TAP dhe Devolli) po kompletohen dhe kur investimet e tjera kanë në bazë burimet natyrore apo janë të patregtueshme.”

Ndryshe nga ministri dhe institucioni që ai përfaqëson, Komisioni Europian ka marrë nën vëzhgim të gjithë programin ekonomik të qeverisë (njësoj si opozita) dhe ka arritur në të njëjtin përfundim si ne si opozitë. Shqipëria rrezikon të përthahet si pasojë e mungesës së projekteve. Udhëtimet em charter sa nga Turqia në vendet ekzotike duket se nuk e kanë ndihmuar as ministrin dhe as qeverinë shqiptare që të sjellin një projekt serioz investimi.

E vetmja arritje personale e ministrit dhe qeverisë lidhet me rënien e kredisë për biznese por rritjen e lejeve të ndërtimit. Shqipëria, në të vërtetë, është vendi I vetëm në botë ku biznesi zhvillohet edhe kur kredia është me rritje negative në lidhje me biznesin. Kjo vjen si pasojë e aftësive të qeverisë për të integruar pastrimin e parave në biznes, për të prodhuar kështu një piramidë që mund t’i zërë nga dita në ditë shqiptarët poshtë. Por, njësoj si me krenarinë e një studenti që ka kopjuar dhe kalon klasën me të, është edhe krenaria e një ministri që rreh gjoksin për mbivlerësimin fallco të lekut. Një mbivlerësim që nuk i shërben askujt, pasi sot leku është në zhdukje, në sensin që shqiptarët konsumojnë më pak. Prova më e qartë për këtë janë bizneset, nga Janari 2018 në gusht 2018 janë mbyllur 9260 biznese, kjo do të thotë se 33 biznese në ditë janë mbyllur nga fillimi vitit deri më sot.

Disa biznese i vendosin fajin konsumit të ulët, të tjerë taksave të qeverisë (përfshirë dhe TVSH-në). Por, edhe këtu ministri duhet mirëkuptuar. Kur ai flet për rritje të konsumit e ka fjalën për rritje të konsumit në sportelet e marketeve të oligarkëve avokat i të cilëve ai është shndërruar. Në këtë aspekt tani për tani ministri ka të drejtë, konsumi tek oligarkët është rritur sikundër edhe mirëqenia e tyre. Çështja është që Shqipëria banohet nga shqiptarët dhe jo nga oligarkët të cilëve ministri i bën yzmetin e përvtishëm në paketat fiskale dhe matrapazllëqet e taksave.

Arsyeja përse qeveria po risheh buxhetin lidhet ngushtë me mosrealizimet e taksave, kjo në fakt ka qenë arsyeja e vërtetë e saj nga 2014 e këndej. Të dhënat e 7 mujorit për të ardhurat referojnë një mosrealizim prej 86 milionë USD, imagjinoni më së paku se sa do rriteshin pensionet realisht për gjithë vitin nga qeveria nëse do të kishim më shumë eficencë?

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com