Kreu i federatës shqiptare, Armando Duka, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me kritikat ndaj trajnerit të kombëtares Christian Panucci, si pasojë e humbjes kundër Skocisë.
Numri 1 i FSHF-së thotë se kjo humbje nuk duhet të bëhet tragjedi, pasi jemi vetëm në mesin e një rrugëtimi.
“Sapo kemi nisur një turne të ri dhe kemi luajtur dy ndeshjet e para. Kemi marrë tre pikë dhe pësuam humbjen e parë të hënën në mbrëmje në Gllasgou. Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Kemi patur mundësitë tona por që nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe difektet, që jam i bindur se trajneri i ka tashmë pikë referimi.
Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet ti japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër.
Koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat jane normale për një skuadër kur ajo humbet. Por kur këto bëhen për interesa jo sportive, nuk i shërbejnë askujt.
Unë mirëkuptoj çdo shqetësim të tifozëve tanë apo çdo artikulim mediatik por njëherësh i ftoj që këtë situatë jo të mirë ta shndërrojnë duke shpenzuar energji pozitive për kombëtaren tonë!”, shkruan Duka