Iku nga zonat e thella të veriut për të gjetur një jetë më mirë për fëmijët, ndërsa ndërtuan një shtëpi-barake që nuk e kanë përfunduar ende, sot ata përballen me kthetrat më të egra të mbijetesës. Historia e tyre nisi 11 vjet më parë kur familja Huli u vendos në zonën e Bathores në Tiranë, aty ku i tha “bujrum” varfërisë.
Kryefamiljari Bashkim Huli teksa rrëfen për Top Channel, thotë: “Kam 4 muaj e gjysmë shtrirë sepse jam sëmurë. 10 ditë në muaj punoj, gjej punë ku të dalë. Kam hernie diskale, nerv shiatik, variçe…”. Bashkëshortja e tij, Nazmie Huli shprehet: “Nuk ia plotësoj dot kushtet fëmijëve. Librat kushtojnë rreth 100 mijë lekë (të vjetra), pa fletore. Jam në borxhe”.
Përveç librave, për Izmirin dhe motrën e tij Veronikën mungon edhe ushqimi. “Mish kemi pak, na e kanë dhënë për Bajram. Kur nuk kemi për të ngrënë bukë në darkë, pimë ujë. E kalojmë urinë me ujë”, tregon Izmiri, djali i shtëpisë. 11-vjeçarja Veronika e ka një pasion, ajo është piktura: “Bëj punime me guaska dhe merrem me piktura”. Kushtet e vështira nuk e kanë penguar aspak Izmirin që të shkëlqejë në mundje dhe futboll. Po ashtu, edhe Veronika e përfundoi klasën e pestë me nënta dhe dhjeta.