Tirana mblodhi në një mbrëmje Gala në Pallatin e Brigadave ambasadorët e sportit shqiptar, sportistë që kontribuan në imazhin pozitiv të Shqipërisë, përmes paraqitjes së tyre jashtë vendit.
I pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, personalitete të botës së futbollit, njerëz me kontribute të mëdha në sport etj.
Çmimi “Albanian Sports Ambasador”, iu dorëzua ish-kapitenit të ekipit kombëtar të futbollit, Lorik Cana. Në nominimin për këtë çmim ishin Lorik Cana, Igli Tare dhe Edvin Murati, të tre ish-futbollistë të skuadrës kuqezi.
Kjo mbrëmje i kushtoi një moment komemorativ shoqëruar edhe me një çmim special legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri i cili u nda nga jeta disa muaj më parë. Djalit të Vokrri, çmimin ia dorëzoi zv.ministri i Arsimit dhe sporteve, Kostandin Shkurti.
Ndërkohë që me çmimet e tjera u vlerësuan edhe boksieri Luan Krasniqi, i cili në një akt fisnik bashkëndau këtë vlerësim të publikut (në votimin online) me Haki Doku, një tjetër kandidat i nominuar. Një Çmim karriere shkoi për Igli Tare, Drejtorin Sportiv të Lacios. Nëna e futbollistit të ekipit kombëtar të futbollit Ansi Agolli, tërhoqi nga ish-trajneri i skuadrës kombëtare Gianni De Biasi, çmimin përkatës, në një kohë që u vlerësuan gjithashtu edhe portieri Tomas Strakosha, si edhe sportistët Izmir Smajlal, Erblina Bici dhe Elizabeta Karabolli.
Qëllimi i kësaj iniciative është që të frymëzojë njerëzit për të vepruar dhe për të bërë ndryshimet pozitive nëpërmjet sportit. Vlera monetare e këtyre çmimeve nuk do t’i shkojë fituesve, por do të jetë për mbështetjen e tre projekteve të miratuara nga Presidenca e “Albanian Sports Ambasador” dhe që lidhen me: Projektin për Shahun në Shkolla dhe krijimin e Akademisë së Shahut, Projektin e Fondacionit 5, për futbollin e fëmijëve, si dhe projektin “Jo për gjakmarrjen, po për jetën”, në shërbim të luftës kundër fenomenit të gjakmarrjes./atsh