Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” të ndryshuar”.
I pranishëm në komision ishte Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, i cili u shpreh se kemi harxhuar 178 milionë dollarë për këtë kategori.
“Përsa i përket këstit të nëntë, janë edhe 1200 subjekte parësore dhe jo parësore. Deri tani kanë marrë 70 mln dollarë. Me 262 subjektet e radhës mbyllet kësti i nëntë. Me këtë mbyllet kategoria parësore. Për strehimin kemi harxhuar 20-25 milionë dollarë. Shumat që shoqëria shqiptare do të paguajnë shkojnë nga 650-750 milionë dollarë. Trashëgimtarë të rrethit të parë janë, gruaja, djali vajza, janë 11 mijë dosje. Deri në 15 vitet e ardhshme fatura e ish-pronarëve do u kushtojë shqiptarëve në total rreth 2 miliardë dollarë për të paguar. Kjo kosto po i kalohet brezave që vijnë”, – sqaroi ndër të tjera Ahmetaj.
Relatorja e këtij projektligji Evis Kushi tha se synon përmirësimin e formulës për dëmshpërblimin financiar për ish-të përndjekurit, apo familjarët e tyre.
“Buxheti i 2018 siguron mbështetjen për ish-të dënuarit politik. Rishikohet mekanizmi i shpërndarjes së fondeve, u jepet prioritet atyre që janë ende në jetë sipas ligjit aktual, ndahet 70% për parësoret për bashkëshortin dhe fëmijët, 30% për trashëgimtarët e tjerë. Projektligji nuk sjell efekte në buxhetin e shtetit”.
Duke iu përgjigjur pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Erion Braçe, se a ju duket normale që dëmshpërblimi të shkojë deri te trashëgimtarët e largët? Ministri Ahmetaj u shpreh se paratë duhet të shkojnë te rrethi i parë, që janë lidhur direkt me ata që kanë vuajtur.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në fjalë dhe ia kaluan për shqyrtim seancës plenare. /atsh