Beteja e fuqishme e një lufte në sitemin drejtësisë vetëm sa ka dhënë shkëndijat e para, por të trembur deri në palcë politikanët po bëjnë përpëlitjet për mbijetesë.
Lulzim Basha propozon Vetting në politikë dhe kërkon që ky proces të udhëhiqet nga Petrit Vasili, Xhemal Xhunkshi, Flamur Noka, Nasip Naço…e plot të tjerë emra për të mbushuar listat. Ama ky Vetting i propozuar nga opozita e ka një kleçkë; nuk do të përfshijë të kaluarën e asnjërit nga politikanët.
Basha që ka filluar turin e shëtitjeve qytet më qytet kundër krimit, del zbuluar si ‘tinëzari’ kundër zbatimin e një ligji tjetër, siç është krijimi dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK, i cili heton dhe dërgon pas hekurave të korruptuarit.
Ndërkohë Rama nga ana e tij i përgjigjet “po” dhe më pas nxjerr Taulantin, i cili shprehet për këtë nismë: “Është i dobët, sepse pikë së pari, politikanët nuk mund të bëjnë vettingun e vetvetes. Së dyti, në materialin e paraqitur mungon hetimi i korrupsionit 27-vjeçar dhe të pasurive që politikanët kanë ngritur përmes tij”, thekson ai.
Dhe në këtë pikë Balla ka të drejtë. Politika pastrohet, nëse këta duan të zbatojnë ligjin e dekriminalizimin dhe nëse kryetarët e partive u mbyllin derën të inkriminuarve. Por kjo zor të ndodhë sepse politikës nuk i interesojnë njerëz me integritet. Në fushata iu duhen të fortët dhe paraja për garantuar votat.
Ndaj këta politikanët e zgjuar shqiptarë që kanë bërë kërdinë mbi kurrizin e popullit nuk mund të na hedhin “hi syve” sikur po iu digjet shpirti për Vetting. Nëse e kanë kaq seriozisht është e thjeshtë: Le ta lënë Reformën në Drejtësi të rrjedhë…/korrieri