Paralajmërimet serioze dhe gjuha teje e ashpër e kreut të PD, Lulzim Basha, nga Durrësi kanë bërë që kryetari i Kuvendit të zbythet dhe të publikojë draftin që opozita ka dorëzuar në Kuvend për Vettingun e politikanëve. Ky propozim kishte katër ditë që ishte dorëzuar zyrtarisht me gjithë firmat e deputetëve, por Ruçi refuzonte ta publikonte.
Por sot nga tryeza e Durrësit, Lulzim Basha, e akuzoi Gramoz Ruçin se po shkel hapur dhe me qëllim rregulloren e Kuvendit për këtë çështje.
“Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tash e pesë ditë refuzon të botojë në faqen online projektligjin për vettingun e politikaneve dhe relacionin përkatës…Në emër të opozitës i jap këtë ultimatum Gramoz Ruçit: ‘Respekto rregulloren e Kuvendit, boto online propozimin ta shohin të gjithë shqiptarët…”, tha Basha.
Pas këtij ultimatumi të ashpër, vetëm pak minuta më pas, Basha u njoftua live, se Gramoz Ruçi ishte zbythur duke publikuar projektligjin e opozitës, për vettingun në politikë.