Skena e re ArTurbina ka hapur dyert mbrëmjen e të dielës duke mirëpritur artistë dhe publikun në një festë të përbashkët, atë të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit.
Rikthimi i këtij Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit. Ky festival organizohet me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.
“ArTurbina” do të flasë shqip me të gjitha dialektet dhe format e saj në skenë nga data 23 deri më 30 shtator. Një festival që përfshin gjithë trevat shqipfolëse: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi. 14 trupa teatrore janë bërë pjesë e këtij festivali, organizmi i të cilit u mbështet edhe nga Bashkia e Tiranës.
Adem Karaka, drejtor i Teatrit te Shkupit dhe Agron Myftari i Prishtinës bashkë me Hervin Çulin të Teatrit Kombëtar, çelën siparin e tij. Çuli u shpreh se Andia Xhunga dhe Bashkim Hoxha do të hyjnë më histori se do ngjisin në skenë shfaqjen e parë, TAG”. Ndërsa, Myftari shprehet se, ‘ne veriorët nga Kosova nuk dimë të flasim shumë veç po ose jo, se ruajmë energjinë. Tirana të organizojë aktivitete të tilla, ne do ti rrimë pas”. Drejtori i Shkupit u shpreh se ndihem i privilegjuar dhe kam shpresë që vrulli i ndërtimit të skenave do të vazhdojë. “Shqipja gjithmonë ka tingëlluar bukur në çdo cep të rruzullit ku flitet. Padyshim më bukur ka qenë në këto skenat tona”.
Aktori i njohur, Ndriçim Xhepa, kryetar i juries duke e konsideruar vlerë të veçantë që ky festival rifillon, tha se “ndoshta jo çdo vit, por një herë në dy vjet të bëhej se do të vinte natyrshëm që krijimtaria e trupave të rretheve njëherë në dy vjet të kenë mundësi që të zgjedhin gjënë më cilësore të tyre”.
Ai sygjeroi që nga Tirana, ky festival të udhëtojë edhe në Shkup.
I pranishëm, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se “është i lumtur që po organizon këtë Festival bashkë me Morelia-n. “Fakti që kemi bërë 700 aktivitete në vit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, pyetjes së Xhepës i përgjigjem, që jemi të gatshëm qe jo vetëm të bëjmë një aktivitet teatror, por edhe shumë të tjerë”.
Veliaj u ndal edhe te ndërtimi I Teatrit të Ri duke shtuar se “Teatri i ri është ky shembull, më pak preokupim për llaç e tulla, por më shumë angazhim që me ato pak para që ne kemi të financojmë teatro si ky që ne kemi sot”.
Ndërsa ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro theksoi në fjalën e saj se ‘bashkë me miqtë e mi konceptuam këtë Festival mbarëkombëtar, pasi morëm shtysë për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut’. /atsh