Gazetari Artan Hoxha shprehet se operacioni që çoi në 11 arrestime të grupit “Bajri” nuk do t’i japë fund asaj që po ndodh në Shkodër.
”S’kemi asnjë goditje në Kiras, vetëm në Dobraç. Në rast se duam ta zgjdhim duhet të jetë goditja gjithëpërfshirëse. Operacionet do të vazhdojnë. Në dijeninë time po. Ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Por nuk jepen detaje dhe prova. Kemi të bëjmë me grupe që janë mbi 20 në aktivitet. Ky ishte grupi më i rrezikshëm. Tani do të shohim rivalin e grupit kriminal më të fuqishëm në Veri dhe forcën e policisë. T’i vihet fre akuzave politike”, thotë Hoxha.
Ai ripërsërit faktin se këto grupe kriminale kanë patur mbështetjen e politikës.
“Krimi nuk ka ngjyrë në Shqipëri. Mjafton të gjejë akses. Në vitin 2013, Armir Grimaj ka qenë kandidat i PD. Safet Bajri ka qenë mbështetës i PD, deri para 2-3 muajsh ka qenë në mbrojtje të bashkisë Shkodër dhe po mblidhte vota. E ka thënë dhe në intervistën me mua. Në intervistë ai ka thënë se ka qenë kryevëzhgues i PD-së në zgjedhje. Familja e tij është në mbështetje me të majtën. Janë akuzuar për lidhje, për favorizim nga qeveria. Pas vrasjes së Fatbardh Licit, vëllai i tij, ka thënë se po na sulmon banda e qeverisë, nuk e ka thënë me emër por iu referua familjes Bajri.
Të njëjtën gjë ka bërë dhe Berisha, madje në njoftimin që ka bërë sot, falenderon policinë belge. Sipas Berishës, qeveria ka kapur bandën e tij. Në Shkodër duhet të goditen dhe të ndërpritet i gjithë seriali i vrasjeve që nga mina e telekomanduar që iu vu Lulzim Kullës. Kur kemi një luftë të tillë, me vrasjen e Boran Bërçanës situata u agravua dhe ndodhën disa vrasje që janë pa autorë, përfshirë dhe Fatbardh Licin. Ngjarjet për mënyrën sesi ndodhën, kemi të bëjmë me dallime të forcave politike. Mbështetini të gjithë personat që janë të përfshirë në vepra kriminale”, tregon ai.
Hoxha ka zbuluar për Report TV edhe emrin oficerit federal, i cili po merret drejtëpërdrejtë me goditjen e grupeve kriminale shqiptare me aktivitet në Belgjikë.
“Ndërkohë unë kam dosjen e autoriteteve belge. Brenda javës së parë të gushtit, kanë ardhur agjentë federalë. Nuk e publikova lajmin, mes tyre është një personazh shumë i njohur, oficeri federal Stiven, që flet shqip. Është belg dhe është një nga gjurmuesit më të mirë të shqiptarëve në Belgjikë. Në listën e autoriteteve belge përfshihen Safet Rustemi, Sokol Shitani, Tomorr Miftani, Milan Borisov, pra siç shihet ka shumë shqiptarë. Në një klub ka patur një përplasje, duke parë të gjithë dosjen në tërësi duket e pamundur të falënderosh dikë dhe të mos falënderosh këtë këtu në Tiranë. Po të kishte dekonspirim s’do kishte arrestim. Nga e gjithë lista, vetëm njëri nuk është kapur”.