Shpesh herë kemi parë në akse të ndryshme rrugore, edhe nacionale persona të cilët lëvizin bashkë me bagëtitë e tyre në mes të rrugës edhe pse aty qarkullimi i mjeteve është i konsiderueshëm. Prania e bagëtive është qoftë gjatë orëve të mbrëmjes por edhe gjatë ditës. Në këtë mënyrë jo rrallë herë ka patur edhe aksidente.
Më i fundit është në aksin Shkodër-Koplik. Një kamion duke ecur në këtë aks nacional ka përplasur një tufë bagetish, krerë të imëta. Nga ky aksident 13 prej gjësë së gjallë nuk kanë mundur që të shpëtojnë. Në fakt për fermerin humbja e 13 krerëve të gjësë së gjallë përnjëherë është një dëm ekonomik i madh. Bagëtitë ishin të shtetasit Z.D, 52 vjeç banues në fshatin Vukël të Malësisë së Madhe. Pas aksidentit shoferi i kamionit është larguar bashkë me mjetin e tij ndërkohë që policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tij.
Ajo që mbetet problem është se nuk ka një zgjidhje për rrugët ku duhet të kalojnë bagëtitë në fshatra të cilët janë në afërsi të rrugëve të rëndësishme nacionale. Fermerët detyrohen që t’i përshkojnë bagëtitë vetëm në rrugët kryesore për shkak se nuk kanë një mundësi tjetër por kjo është e rrezikshme sepse shpesh herë ka sjellë edhe aksidente me pasoja në jetë njerëzish ndërsa nuk janë të pakta rastet si ky aksident ku pas përplasjes fermeri humbi 13 bagëti të imëta me të cilat ai mban familjen.
Më datë 17.09.2018, në aksin rrugor Koplik-Hot, në vendin e quajtur Pepaj, një mjet ka dëmtuar disa bagëti të imëta, të shtetasit Z.D., vjeç 52, banues në fshatin Vukël. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 273 i Kodit Penal./ShkodraNews