Loading...

“AIR ALBANIA”, Rama: “Çelësi” në strategjinë tonë të zhvillimit të turizmit

Gjatë ceremonisë së uljes së avionit të parë “Lasgushi” të kompanisë shqiptare “AIR ALBANIA” Kryeministri Edi Rama, theksoi se kompania “AIR ALBANIA do të jetë një “çelës” në përmbushjen e objektivit, që brenda vitit 2025 Shqipërinë ta vizitojnë 10 milionë turistë.

“Bëhet fjalë për një fluturim të qëndrueshëm e të vazhdueshëm, që do t’i japë mundësi kësaj kompanie që të jetë “çelës” jo vetëm në funksion të një shërbimi dinjitoz për shqiptarët që kanë dhe mbeten të detyruar që të fluturojnë me avionë të plakur dhe me shërbim krejtësisht të pamerituar, por edhe si një “çelës” të strategjisë tonë të zhvillimit të turizmit, në funksion të objektivit për të arritur në 10 milionë turistë deri në vitin 2025. “AIR ALBANIA” është një ndërmarrje e mundimshme, sepse është dashur dhe nuk diskutohet, që pa iniciativën dhe mbështetjen bujare të Presidentit Erdogan, ne nuk do të ishim këtu dhe pas marrjes së këtij vendimi rruga nuk ka qenë e lehtë. Dëshmitarët që kam në krah mund të tregojnë shumë nga u nisëm kur aplikuan dhe as që e kanë imagjinuar që sa shpejt do të vinte kjo ditë, që do të ishin të veshur me kostumet e kompanisë sonë të flamurit kuqezi”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te puna e vështirë që është dashur për ngritjen e kësaj kompanie, duke theksuar se shteti shqiptar do të jetë aksioner kryesor në këtë kompani për të garantuar të drejtat e shtetasve shqiptarë.

“Për të ndërtuar të gjithë modelin pavarësisht eksperiencës dhe vullnetit të “TURKISH AIRLINES” është dashur punë dhe mundim, janë dashur orë të tëra pune. Sot, nuk kemi një kompani që ka thjesht një emër që na përfaqëson të gjithëve, por kemi një kompani ku përveç “TURKISH AIRLINES”, që është partneri i minorancës, shteti shqiptar është drejtpërdrejt aksioner, si një garant dhe njëkohësisht si një kompani për të përfaqësuar interesat e të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe të gjithë atyre që kanë pasaportën e këtij vendi, por edhe e të gjithë shqiptarëve që do ta përdorin “AIR ALBANIAN”, – theksoi Rama.

Avioni i parë i “AIR ALBANIA”, i cili do të quhet “Lasgush”, do të fillojë nesër fluturimet drejt Stambollit. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com