Loading...

Zhvillimi i turizmit të huaj në Shqipëri në vitet ’20-të, dokumenti i rrallë për rolin e konsullatave

Në rubrikën, “Historia e diplomacisë shqiptare”, ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, publikon dokumente lidhur me rolin e  legatave dhe konsullatave shqiptare jashtë vendit në zhvillimin e turizmit të huaj në Shqipëri në vitet ’20-të të shek.XX. 

Pas kapërcimit të periudhës së paqëndrueshmërisë politike në vend, 1920-1924, me shpalljen e Republikës në 1925, Shqipëria hyri në një periudhë më të qetë politike.  Kjo i hapte rrugë përpjekieve të gjithanshme për forcimin e ekonomisë, rritjen e të ardhurave në arkën e shtetit, modernizimin e institucioneve shtetërore duke ju referuar modeleve perëndimore, etj. Kjo periudhë kombinohej edhe me një periudhë relativisht të qetë në Evropë, pas përfundimit të  procesit të gjatë të vendosjes së paqes në marrëdhëniet ndërmjet shteteve  në përfundim të Luftës së Parë Botërore .

Sipas informcioneve që vinin nga përfaqësitë shqiptare në këto vite, turizmi i organizuar kishte filluar të përhapej shumë në Evropë, dhe shihej si nje burim i mirë të ardhurash për buxhetin e shteteve që po përpiqeshin të rimëkëmbeshin pas lufte. Duke qenë më afër këtij realiteti, përfaqësitë diplomatike e konsullore jashtë ishin nxitëset kryesore të qeverisë shqiptare për të marrë në konsideratë zhvillimin e një fushe të tillë të veprimtarisë ekonomike siç ishte turizmi.

Propozimi i parë  vjen nga Legata shqiptare në Paris në nëntor 1926.  I Ngarkuari me Punë në Paris Maliq Libohova në bashkëpunim me Leon Rey, drejtues i Misionit Arkeologjik francez i cili kishte mbërritur në Shqipëri në nëntor 1923 sipas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Francës dhe asaj të Shqipërisë, duke marrë në konsideratë bukuritë natyrore dhe kuriozitetet historike që ofronte Shqipëria, i propozon qeverisë shqiptare  ngritjen e Agjensisë Zyrtare të Turizmit  që të drejtonte zhvillimin e turizmit në Shqipëri, si një aktivitet ekonomik e kulturor që i shërbente interesave të qeverisë shqiptare në disa fusha si dhe në njohjen e Shqipërisë nga të huajt. Idenë e përkrahu dhe e zhvilloi më tej edhe Ministri Fuqiplotë dhe I Jashtëzakonshëm i Shqipërisë në Paris Iliaz Vrioni në 1927. Leon Rey kontribuoi edhe në hartimin e një Statuti për një Touring-Club në Shqipëri, i cili propozohej të ishte nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Ahmet Zogu, sipas modeleve të ngjashme në rajon.

Turizmi në Shqipëri filloi me turizmin automobilistik në 1927, i cili ishte më në modë në Evropë dhe më lehtë i realizueshëm. Qeveria shqiptare u kujdes të lehtësonte procedurat për marrjen e vizës të të gjithë të interesuarve për të bërë udhëtim me makinë në Shqipëri, si dhe për të administruar të ardhurat që vileshin nga ky aktivitet. Këtë lloj turizmi e pasqyronin edhe shtypi i huaj, si Daily Mail në tetor 1927.

Kjo veprimtari ekonomike  dobiprurëse për ekonominë dhe njohjen e  shtetit shqiptar, u mbështet edhe nga legatat e tjera shqiptare në Evropë. Perfaqësitë shqiptare u përpoqën të krijojnë kontakte midis Albanian Touring-Club dhe agjensive të ngjashme në rajon.Në 1928, Konsulli shqiptar në Vjenë Çatin Saraç nisur nga pozicioni gjeografik, bukuritë dhe mikpritjen  e traditat që ofronte Shqipëria, propozonte që turizmi me kohë mund të kthehej në një industri me rëndësi për vendin. Për këtë duhej shumë “propogandë turistike” e bërë nga të gjitha përfaqësitë shqiptare dhe lehtësim i procesit të lëshimit të vizave për vizitorët e huaj.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com