Loading...

Zëvendësimet në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë hap aplikimet

Gjykata e Lartë ka hapur aplikimet për gjyqtarët e interesuar për të kandidatura për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në faqen zyrtare të gjykatës, është shpërndarë njoftimi me thirrjen publike për gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës. Afati i aplikimit për gjyqtarët që plotësojnë kriteret është deri në 15 Shtator.

Kjo lëvizje duket se vjen pas shkarkimit nga detyra të disa gjyqtarëve që ishin kandidatë për në KLGJ pasi nuk kaluan dot procesin e Vetting-ut.

“Në mbështetje të nenit 9 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për tu zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ. Kushtet ligjore që duhet të plotësojnë gjyqtarët e interesuar janë të parashikuara në nenin 7 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, lexohet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.

“Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin sipas parashikimeve të nenit 10 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” në Gjykatën e Lartë, brenda datës 15 shtator 2018.
Dorëzimi i tyre duhet të bëhet në njërën prej mënyrave të mëposhtme:Dorazi, pranë zyrës së protokollit të institucionit të Gjykatës së Lartë (nga ora 08:00-16:00); ose me postë, në adresën postare zyrtare të Gjykatës së Lartë: “Gjykata e Lartë, rruga “Ibrahim Rrugova”, Tiranë”. Po ashtu edhe me postë elektronike, në adresën zyrtare elektronike të Gjykatës së Lartë:[email protected] (kërkesa dhe dokumentacioni duhet te jenë në format WORD ose PDF)”, sqarohet te njoftimi.
Po ashtu bëhet me dije se, në përputhje me nenet 10/3 dhe 276/3 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, gjenden për t’u plotësuar nga gjyqtarët interesuar formularët, e deklaratës individuale e gjyqtarit që mbështet kandidatin; Formulari i vetë-deklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”; Formulari për informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, ungj/emtë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com