Loading...

Zbulimi i varrezave ilire, që do ta ndryshojë historinë

Arkeologët kroatë kanë bërë publike zbulimin, që sipas tyre, ndryshon kuptimin e historisë së përgjithshme botërore. Ata, në ishullin Korçul, në lokalitetin Kopil kanë zbuluar një nekropol ilir, në të cilën janë gjetur copëza qeramike, të cilat datojnë ndërmjet viteve 17.500 deri 15.000 para Krishtit.

Përveç qeramikës, në këto varreza janë gjetur edhe armë prej hekuri dhe stoli prej bronzi, argjendi, qelqi dhe qelibari.

Varrezat e këtij lloji nuk kanë qenë të njohura, kurse sa i përket organizimit, dimensioneve dhe përmbajtjes paraqesin një gjetje të re në studimet historike të banorëve lokalë ilirë për kohën para Krishtit.

Arkeologu, Dinko Radiç, kryesues i ekspeditës arkeologjike, ka deklaruar se ndjehen të privilegjuar që në një vend të vetëm mund ta shfaqim tërë historinë njerëzore. Në ishullin Korçul janë zbuluar dëshmi të jetës së njerëzore, që nga epoka e gurit deri në epokën e bronztë.

“Mendohet se zbulimet në Kopil, do ta ndryshojnë mënyrën se si ne e shohim historinë në këto hapësira. Ilirët, shpesh i perceptojmë si margjinalë, veçanërisht në raport me kolonët grekë. Megjithatë, kërkimet tona kanë treguar se roli i ilirëve në këto hapësira ka qenë më i madh sesa është menduar dhe paraqitur deri tani”, thotë Radiç

Interesim për këto zbulime arkeologjike kanë treguar edhe arkeologë të njohur botërorë, prej të cilëve edhe profesori Preston Miracle nga Universiteti i Kembrixhit, i cili u është bashkangjitur arkeologëve kroatë në punën e tyre katërvjeçare.

Lidhur me këto zbulime arkeologjike, gazeta New York Times shkruan se “paraardhësit tanë i njohim për gjuajtjen e mamutëve, por zbulimet e fundit në ishullin Korçul, na dëshmojnë se njerëzit kanë ditur ta përpunojnë qeramikën që nga koha e akullit”.

Ishulli Korçul është vendbanimi i fiseve ilire ku më vonë janë vendosur edhe kolonët grekë, të pasuar në shekullin X, nga kolonët sllavë. Kjo dëshmohet edhe nga toponimet e tashme të vendbanimeve në këtë ishull siç është ai Lumbardh. Një mbishkrim i gjetur me emrin Lumbarda Psephisma, i cili ruhet në Muzeun Arkeologjik në Zagreb përmban detaje rreth themelimit të një kolonie të lashtë greke në ishullin Korçul. Teksti, ndër të tjera, siguron informacion mbi kolonët grekë të ardhur nga ishulli Issa, të vendosur aty në bazë të një marrëveshjeje paraprake midis tyre dhe përfaqësuesve të ilirëve lokalë./Shemsedin Ibrahimi/njekomb

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com