Një stërvitje e përbashkët mes NATO-s dhe anijeve shqiptare “Butrinti” dhe “Oriku” është zhvilluar në portin e Vlorës.
Lajmin e bëri të ditur sot Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila publikoi edhe foto nga kjo stërvitje e përbashkët, transmeton atsh.
“Grupi i Dytë i Përhershëm i NATO-s Kundër Minave (SNMCMG2) kreu një stërvitje të përbashkët me anijet shqiptare “Butrinti” dhe “Oriku” këtë javë, pas një vizite produktive në portin e Vlorës”, informoi Xhaçka.
SNMCMG2 vepron si një njësi integrale e NATO-s dhe merr pjesë në stërvitje të përbashkëta ose kryen misione dhe operacione në gjithë botën.
Është kryesisht e angazhuar në rajonin e Mesdheut, por kjo njësi është në dispozicion kudo ku NATO e kërkon atë për t’u dislokuar ose për të kryer operacione.
SNMCMG2 normalisht përbëhet nga tetë dragamina (minaheqëse, minakërkuese) dhe një anije mbështetëse (ndihmuese) nga vendet anëtare të NATO-s si Belgjika, Gjermania, Greqia, Italia, Spanja, Turqia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.