Loading...

Vizitorë çekë lundrojnë në kanionet e Osumit

Vijnë për herë të parë dhe befasohen nga bukuritë natyrore të Parkut Kombëtar të Tomorrit. Pasi vizitojnë qytetin e Beratit dhe muzet e tij të shumtë, turistë çekë udhëtojnë drejt aventurës në kanionet e Osumit. Të orientuar nga grupet e të rinjve të “Smile Albania” dhe të shoqëruar nga ekploratorët e Administratës së Zonave të Mbrojtura të Beratit, udhëtuan drejt kanioneve me varkat e tyre sportive. Kanionet e Osumit kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen e aventurierëve të sporteve të ujit dhe këtë fundjavë ishin vizitorë çekë që u prezantuan me këtë mrekulli natyrore.

Berati ka qenë një nga qendrat më të vizitueshme këtë sezon veror nga turistë të natyrës dhe ata të turizmit kulturor. Nga të dhënat e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat, vetëm gjatë muajit gusht është vizituar nga 15 mijë turistë. “Në 20 ditët e para të gushtit Kalaja e Beratit ka pritur rreth 14669 vizitorë, mes të cilëve 9612 kanë qenë vizitorë të huaj”, thonë specialistët e kësaj drejtorie.

Brenda sipërfaqes së Kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënoja, Sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur “Fusha e madhe”, etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborri të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh, bahçesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur Kala. Mbi të gjitha, brenda këtyre mureve ndodhet dhe Muzeu Onufri që është një nga më të vizituarit në kështjellë. Berati, me trashëgiminë e tij kulturore, me historikun, me peizazhin dhe me natyrën befasuese të tij, ishte këtë sezon verorë epiqendra e turizmit të kulturës dhe të natyrës. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com