Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj.
Sot Komisionit i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin për gjyqtarin Hallunaj, për të cilin gjatë seancës dëgjimore (pak ditë më parë) u vunë në dukje disa problematika në deklarimin e pasurisë, lidhur me veturën e tij. Komisioni u ndal gjatë në shtyllën e aftësive profesionale pasi ndaj gjykatësit ishte bërë një ankesë në 2015, por gjithsesi në asnjë rast nuk evidentohen shkelje të kryera nga gjykatësi Hallunaj.
Pasi dëgjoi konkluzionet e hetimeve, Hallunaj kërkoi konfirmimin në detyrë, ndërsa sqaroi dhe dyshimet që ngriti trupa e KPK-së.
Të mërkurën në mëngjes, KPK vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Hallunaj.
Po sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë vendimin për gjyqtarin pranë Gjykatës Administrative Shkalla e Parë Tiranë, Gentian Medja dhe për prokurorin pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besnik Muçi. /atsh