Loading...

Tre gjyqtarët e Kushtetueses që ‘u dogjën’ nga Vettingu, ”qokën” e fundit e vulosën për Ardian Fullanin, 300.000 ‎€ dëmshpërblim

Para shpërbërjes totale të saj si pasojë e Vettingut, Gjykata Kushtetuese ”vulosi dëmshpërblimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, me rreth 330 mijë euro, pas shkarkimit nga Kuvendi në shtator të 2014 dhe marrjes së pafajësisë pas akuzave të Prokurorisë si pjesë e përgjegjësisë për vjedhjen e 7 milionë USD në Bankën e Shqipërisë.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha dhe Fatos Lulo, që të tre të shkarkuar nga Vetingu për shkak të mosjustifikimit të pasurisë kanë vendosur moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare. Vendimi u mor më datë 30.01.2018.

Siç raporton ”Shqiptarja.com”, treshja e gjyqtarëve pretendoi se Banka e Shqipërisë e kishte paraqitur kërkesën në Kushtetuese jashtë afatit 4-mujor nga data e marrjes së vendimit të fundit nga Gjykata e Lartë për dëmshpërblimin e Ardian Fullanit.

“Bazuar në aktet bashkëlidhur kërkesës rezulton se vendimi më i fundit në kohë, i kundërshtuar nga kërkuesja, është ai i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë i datës 12.07.2017, kurse kërkesa është paraqitur në Gjykatë në datën 05.12.2017, pra jashtë afatit ligjor 4-mujor”, thuhet në vendim.

Argumenti i Bankës së Shqipërisë

Banka e Shqipërisë pretendon se kërkesën për rrëzimin e të gjitha vendimeve që i japin Ardian Fullanit rreth 330 mijë euro e ka paraqitur brenda afatit të parashikuar në ligj. Banka e Shqipërisë thotë se është vënë në dijeni për vendimin e Gjykatës së Lartë në datën 16.10.2017 nëpërmjet shkresës së përmbaruesit.

Por, trupi i gjykues nuk e ka marrë parasysh këtë fakt, duke pretenduar se Banka duhej të interesohej për vendimin dhe të mos priste ardhjen e përmbarimit.

“Nga materialet bashkëlidhur kërkesës rezulton se kërkuesja është një nga palët që ka vënë në lëvizje Gjykatën e Lartë për kundërshtimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit. Në jurisprudencën kushtetuese është theksuar se personi që ushtron ankim/rekurs duhet të interesohet të ndjekë fatin e ankimit/rekursit të tij. Në këtë kuptim, në rastin konkret nuk rezulton që kërkuesja të ketë pasur ndonjë pengesë për tu informuar në lidhje me vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë apo për tu njohur me vendimin e kundërshtuar të asaj gjykate. Për sa më sipër, Kolegji vlerëson se kërkuesja, Banka e Shqipërisë, nuk legjitimohet ratione temporis për t`iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për rrjedhojë kërkesa nuk mund të pranohet për shqyrtim në seancë plenare”, thuhet në vendimin e tre anëtarëve të Kushtetues.
Si i fitoi Adrian Fullani 54 paga

– Mbi bazën e propozimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, me vendimin nr. 64, datë 18.09.2014, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur shkarkimin e Ardian Fullanit si guvernator i BSH pasi u arrestua.

– Me vendimin nr. 2777 (80-2016-2776), datë 02.06.2016, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur: “Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë së Fullanit, duke detyruar BSH t’i paguante 12 paga mujore.

– Me vendimin nr. 843 (86-2017-829), datë 01.03.2017, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka vendosur: “Ndryshimin e vendimit nr. 2777, datë 02.06.2016 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Shfuqizimin e vendimit nr.64, datë 18.09.2014 të Kuvendit të Shqipërisë. Detyrimin e BSH t`i paguajë Fullanit pagat që do të përfitonte në detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, si dhe të Anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare deri në datën që ky mandat do të përfundonte sipas ligjit.

– Me vendimin nr. 00-2017-1866 (768), datë 12.07.2017, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 843 (86-2017-829), datë 01.03.2017 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

-Në datë 30.01.2018, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Bankës së Shqipërisë për të rrëzuar këto vendime.

Pretendimet e Bankës së Shqipërisë për vendimet pro Ardian Fullanit

  1. Është cenuar standardi i arsyetimit të vendimit gjyqësor lidhur me të drejtën për t`u dëgjuar dhe parimin e kontradiktoritetit në gjykim. Gjykata Administrative e Apelit ka kryer shkelje procedurale, nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes dhe nuk u ka dhënë përgjigje pretendimeve të ngritura nga kërkuesja. Në vendimin e saj nuk ka asnjë analizë, argument apo referencë lidhur me problemet ligjore të ngritura në kundërankim.

  2. Është cenuar parimi i gjykatës së caktuar me ligj. Gjykatës Administrative të Apelit dhe Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë u mungon kompetenca lëndore lidhur me kërkimin për pavlefshmërinë dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, pasi shkarkimi i një funksionari të lartë nuk mund të jetë objekt i shqyrtimit nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Po ashtu, Kolegji Administrativ duhet të kishte vendosur shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore me praninë e palëve.

  3. Është cenuar parimi i gjykimit nga një gjykatë e paanshme. Kjo çështje është gjykuar me procedurë të përshpejtuar dhe më pas gjyqtarët që kanë votuar pro tij kanë dhënë dorëheqjen, duke deklaruar mbarimin e mandatit në Gjykatën e Lartë.

  4. Është cenuar parimi i sigurisë juridike. Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit kanë ndryshuar objektin e padisë duke e transformuar në një padi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës, si dhe duke shtuar bazën ligjore. Pala paditëse në proces ka ngritur pretendime në kuadër të padisë për shkaktim dëmi dhe nuk ka pasur ekuivok nga ana e saj në lidhje me objektin e padisë apo me shkakun ligjor./korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com