Zyrtarisht mes viktimave të shembjes së urës në Genoa nuk ka asnjë shqiptar. Por, mësohet se për dy shqiptarë nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre ndërsa pesë familje të tjera janë evakuuar nga zona.
Shqiptari Ferdinand Sakaj, një banor i zonës ku ndodhi tragjedia, ka dërguar disa pamje për “Ti Raporton”, ndërsa thotë se dy emigrantë shqiptarë kanë humbur kontaktet, por nuk dihet nëse kanë lidhje me ngjarjen. Ai konfirmon se 5 familje shqiptare janë evakuuar nga zona ku ndodhi tragjedia.
Deri tani janë konfirmuar 35 të vdekur, 13 të plagosur, ndërsa 10 persona janë të zhdukur. Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë pjesë të shembura të urës në mes të saj, një pjesë në shtratin e një lumi, por të tjera mbi shtëpitë dhe kapanonet industriale që ndodhen nën të. Madje, një kamion ka mbetur mrekullisht i ndaluar në fund të pjesës, që i ka mbijetuar incidentit.
Ura e ndërtuar në vitet 1960 është e njohur si “ura Morandi”. Pjesa e shembur është rreth një kilometër e gjatë dhe ngrihet mbi një pjesë të shtratit të lumit Polcevera. E përditshmja italiane “La Repubblica” e përshkruan atë pjesë të qytetit si shumë të banuar.
Shkak për shembjen e urës mund të jetë bërë një defekt strukturor. Autostrada është mbyllur në drejtimin Xhenova-Savona dhe gjithashtu në drejtimet Milano-Xhenova dhe Xhenova-Aeroport. Liguria është përfshirë prej disa orësh nga reshje të dendura shiu, pa pushim, ndërsa Mbrojtja Civile kishte shpallur alarmin “portokalli”./ TCH