“Jam i gatshëm për ta bërë këtë dhe jam duke punuar me zell për ta arritur këtë qëllim prandaj kemi vendosur që të shikojmë çdo mundësi të mundshme. Kemi diskutuar për gati 5-6 vjet me Aleksandrin. Dhe tash kemi vendosur që të hulumtojmë çdo mundësi dhe pozitë dhe nga perspektiva ime përfshirë edhe korrektimin e kufirit për të bërë orvajtjen për të arritur marrëveshjen” – tha presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një forum që po mbahet në Albah të Austrisë ku marrin pjesë lider të Ballkanit Perëndimor.
“Vendet e regjionit tim, shtetet anëtarë të BE-së nuk do të duhej të kundërshtonin, ose të frikësoheshin nga marrëveshja potenciale e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Madje edhe nëse një marrëveshje e tillë do të mund të bënte edhe korrektim të kufirit. Dua që të sigurojë të gjithë se marrëveshja potenciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë skenar nuk do të jetë në linja etnike/ Kosova do të mbetet shoqëri multietnike dhe do të vazhdojë ti mirëmbajë standardet më të larta në kuptim të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve. Parimi i njëjtë do të vlejë edhe për Serbinë sepse paqja dhe marrëveshja paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe njohja bilaterale do të ketë një reflektim pozitiv për të gjithë regjionin e më gjerë”, – tha Thaçi.
Thaçi foli në një panel të përbërë nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, homologu i tij slloven, Borut Pahor si dhe nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.
“Tash zyrtarisht kemi lancuar etapën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini. Unë dhe presidenti Vuçiç jemi ftuar nga ajo për të marrë pjesë në mbledhjen e tretë në këtë etapë të fundit më 7 shtator. Dua të theksoj se Kosova është e zotuar që të arrijë marrëveshje ligjore me Serbinë. Koha për ta bërë këtë është tani dhe kemi në hapësirë të vogël për ta bërë këtë. Nuk është fare e lehtë, është shumë, shumë e vështirë prandaj të gjithë duhet të qëndrojmë mbrapa kësaj. Na nevojitet mbështetje e të gjithëve. Nuk është vetëm çështje e ndërtimit të konsensusit të brendshëm për këtë marrëveshje por na nevojitet mbështetja e të gjithë atyre që duan të shohin Ballkanin Perëndimor në BE, – tha Thaçi.