Loading...

Tërbaçi, historia e një fshati që përkujtohet çdo vit

Bexhet Rrapo (Kryetar i Shoqatës Atdhetare  Kulturore “Tërbaçi”)

Fshati i Tërbaçit njihet nga më të hershmit në krahinën e Labërisë e Luginën e Mesaplikut të Vlorës. Ai ndodhet midis kurorës së maleve të Stogoit, Qores, Çikës, Bogonicës, Kunjovës, Çipinit e Tartarit, në pjerrësinë jugore të vargmalit të Lungares, rrëzë malit, në lartësinë 552 m mbi nivelin e detit. Mali i Çikës me lartësi 2050 m e kufizon atë me fshatrat e Bregut.

Terreni i tij dhe përreth fshatit është fushor, kodrinor dhe malor i thyer me pyje e shkurre vende – vende të zhveshura. Nga perëndimi ai kufizohet me malet e fshatit Brataj deri në qafën e Shëngjergjit, ku kufizohet me fshatin Dukat. Nga veriu kufizohet me fshatin Brataj dhe nga jugu me fshatin Vranisht e malin e Çikës, pas të cilit ndodhen fshatrat e Bregut. Fshati shtrihet në lartësi, nga 200 m e deri në 2000 m mbi nivelin e detit. Si pasuri kryesore zona ka bagëtinë e imët dhën e dhi. Fshati ka plot kullota verore dhe dimërore, në kodrat me shkurre e pyje dhe malet e larta. Banorët e fshatit Tërbaç, shquhen për tradita të mira në mbarështimin e blegtorisë.

Malet e Tërbaçit janë shumë të mira si kullota, për të veruar e vjeshtuar me mijëra krerë dhen e dhi. Pra, blegtoria e saj nuk e ka të domosdoshme për të shtegëtuar në zona të tjera të largëta. Tërbaçi në kuptimin e përgjithshëm, është me një terren tërësisht të thyer malor. Në aspektin fizik, territori ka mundësi tepër të kufizuar komunikimi. Si i tillë ai përbën një ekosistem tërësisht të veçantë dhe i ndryshëm nga të tjerët, çka i jep karakteristika të tipizuara fshatit dhe e bën atë me emër në të gjithë krahinëne Labërisë.

Emri i Tërbaçit shfaqet për herë të parë në vitet 350 të erës së re dhe i përket fisit ilir, dega e Labjonëve. Paraardhësi i tyre është Gjin Kriqi, i cili përbën edhe familjen fshat-formuese.

Në këto troje, ndoshta edhe nga karakteristikat natyrore, janë rritur burra e gra me karakter të fortë e të besës. Ata vazhdimisht kanë luftuar në mbrojtje të territoreve të tyre si dhe atyre kombëtare. Në vitet 1700-1900, janë dalluar si prijësa e luftëtarë, Lulo Abazi, Labe Aliu, Shako Xhaka, Zenel Hodo, Dulo Koka, Miro Tërbaçe, Gego Bobja, etj. Këta luftëtarë me çetat e tyre kanë bashkëpunuar me çetat e tjera të Labërisë, Mallakastrës, Himarës, etj.

Nga Tërbaçi kanë marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë më 1912, në mbështetje të Ismail Qemalit; në Revolucionin e Qershorit 1924, në Luftën e Vlorës, më 1920 me komandant çete, Selman Gjodedaj.

54389423Në Luftën Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazi-fashist, kanë marrë pjesë mbi 250 vetë, duke u rreshtuar përkrah Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar.

Në luftërat për liri e pavarësi kanë dhënë jetën 102 veta, janë shpallur dëshmorë 61 veta. Tërbaci ka 4 heronj populli: Halim Xhelo, Hysni Kapo, Haredin Bylyshi e Vehbi Hoxha dhe 3 Heronj të Punës.

Tërbaçi është fshati i bashkimit, unitetit, i besës dhe mirkuptimit. Ai kurrë nuk ka qenë shkaktar konfliktesh me fshqinjët. Tërbaçi është fshati që i dha besën 13 birbilejve dhe i strehoi në truallin e tij duke u përballuar me ushtarët turq.

Tërbaçi është nga të vetmit fshatra të lumit të Vlores dhe Labërisë që mbas Luftës Nacionalçlirimtare nuk cilësoi asnjë kundërshtar politik. Nisur nga këto virtyte të komunitetit Tërbaçiot dhe emrit Tërbaç, disa e shpjegojnë se vjen nga fjala tërë-bashkë.

Në vitet ‘90 u bë ndryshimi i sistemit ekonomiko-shoqëror, nga ai i centralizuar në sistemin pluralist demokratiko-kapitalist. Këto ndryshime Tërbaçi i mbështeti. Por ky ndryshim, krahas të mirave që pruri, si ajo e levizjes së lirë që ishte e domosdoshme, boshatisi fshatin. Kjo çoi në largimin e njerëzve nga vendlindja, gjë që rrezikonte të harrohej vetë kjo e fundit dhe vlerat e saj historike, për të cilat folëm edhe më lart, si dhe të ndërpriteshin lidhjet me njëri-tjetrin. Ishte kjo arsye, që një grup intelektualësh tërbaçjot në vitet 1998-2000, krijuan Shoqatën Atdhetare dhe Kulturore “Tërbaçi”, kryetari parë i saj do të ishte intelektuali Gëzim Arshi Xhelili, kurse vendimi i parë i marrë do të ishte një takim në Tërbaç, duke e pagëzuar me emrin “Takim brezash“, shumë kuptimplotë e përbashkues. Qëllimi i këtij takimi ka qënë dhe është bërja bashkë e gjithë tërbaçioteve në një ditë të caktuar dhe në moment të përshtatshëm për të gjitha shtresat dhe moshat duke mos privuar asnjë. Do të ishte më keq në qoftë se do t’i përshtatesh vetëm një shtrese.

Ky aktivitet, “Takimi i brezave“, po bën 16 vite që organizohet nga shoqata Tërbaçi. Që në takimet e para ky ishte mjaft mbresëlënës. Këtu në Tërbaç vinin nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, takoheshin me bashkëfshatar e të afërm, me te cilët kishin shumë vite pa u parë. Në kushtet e emigrimit jashtë shtetit, ky takim ishte shumë më i domosdoshëm për djemtë e vajzat e Tërbaçit, të cilët në vitet e para nuk kishin as dokumente të rregullta për të ardhur pranë familjeve dhe jo më të takonin shumë miq e të afërm që jetonin si në Shqipëri, por edhe jashtë: Greqi, Itali, Angli, Amerikë e deri në Zelandën e Re. Pra ky takim jepte mundësinë e çmalljes me njëri-tjetrin.

Efekti i këtij takimi brezash është i gjithanshëm. Krahas çmalljes me njëri-tjetrin, rëndësi merr edhe njohja apo vizitat në vendet historike, vendosja e buqetave me lule tek ata që kanë dhënë jetën për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë dhe Tërbaçit, kjo sidomos për më të vjetrit. Shoqata po punon që edhe të rinjtë, deri tek nxënësit e shkollave të njihen me këto vlera e kontribute për vendlindjen dhe historinë. Sa më shpesh që të takohen me këto vende historike e vlera kulturore, aq më shumë do t’u nguliten në kujtesën e tyre. Njohja e brezit të ri me vlerat historike është një investim i madh për të ardhmen.

qen

Qeni i Tërbaçit, si një simbolikë e vendit të origjinës

Në Shqipëri njihen dy raca qenësh që janë unikalë edhe në botë, qeni i Sharrit dhe qeni i Tërbaçit. Në këtë rast do të flasim për qenin e Tërbaçit, që përbën një simbolikë dhe një vlerë të shtuar për vendin e origjinës së tij.

Shpesh, në Labëri përdoret shprehja: “Ma ke kokën si qen Tërbaçi”! Natyrshëm lind pyetja, se përse qentë e kësaj treve janë mbartës të emrit të këtij fshati të zonës së Lumit të Vlorës? Barinjtë tërbaçiotë kanë arritur te krijojnë një tip qeni me nam. Ata i mbanin qentë të ushqyer mirë dhe i mësonin të bëheshin të egër. Qeni i Tërbaçit është shumë i afërt gjenetikisht me ujkun. Si i tillë ai është i lashtë e primitiv, i papërpunuar dhe i pakryqëzuar, rrjedhimisht autokton, sipas studimeve,  rezulton se është i lashtë prej rreth 24 shekujsh. Struktura gjenetike qenit të Tërbaçit ka ngelur e pacënuar. Jo vetëm për ta ruajtur, por edhe për ta fuqizuar qenin e tyre, bariu tërbaçot në shekuj ka përdorur në mënyrë empirike, por me shumë rezultat, parimet kryesore të seleksionimit e të çiftëzimit të kafshëve. Mësohet se ata kanë përdorur me sukses në këtë drejtim, çiftëzimin e bushtrave të staneve me ujkun e malit, gjë që njihet edhe shkencërisht.

Përveç kësaj, intuita dhe zgjuarsia natyrore e barinjve tërbaçot, shkonte më tej në “edukimin” e qenve. Këlyshët mbaheshin 1,5-2 vjet brenda në katua në errësirë të plotë dhe larg njerëzve e kafshëve të tjera. Kjo, derisa ata të bëhen të aftë si qen roje stani. Si njeri i vetmuar gjithmonë nëpër male, gërxhe apo livadhe, ditë e natë pas bagëtisë, çobani tërbaçiot detyrohej të kishte të paktën tre “shokë” të përhershëm dhe të pandarshëm: qenin, kërrabën dhe culen (fyelli, xhura).

 

Miro Tërbaçe, amazona e trimërisë labe

Në luftërat e vazhdueshme për liri, pavarësi e drejtësi shoqërore, krahas trimave kordhëtarë të kryengritjeve popullore, bij të shpatës shqipëtare, kanë luftuar edhe gratë.

Legjenda Miro Tërbaçja është heroinë popullore, që doli nga gjiri i Labërisë, u vesh si djalë, u ngjesh me jatagan si burrat, sepse, mbeti e vetme në familje, pa nënë, pa baba, pa vëlla. Babai i saj Kostë Strati u vra nizam në hapësirat e shkreta të Perandorisë Osmane, ndërsa vëllain, Skëndon ia vranë në Bramyshnjë të Tërbaçit administratorët shërbëtorë të Perandorisë së Murme Osmane. Vajza u betua se do të mirrte hak, të çonte nderin e familjes në vend.  Nga person i thjeshtë ajo u kthye në personazh epik, në faqet e historisë dhe në gjirin e këngës epike, të epikës historike. Ajo tregoi një akt të lartë në shërbim të atdhetarizmit. Mirua u betua se do të merrte hak. Preu flokët si djalë, hodhi pallën e argjendtë mbi supe, e veshur si burrë, u vu në ndjekje të gjurmëve të vetë sundimtarit, hipur mbi kalin e saj të shpejtë si era e vetë vetëtimë mbi të, e shoqëruar me kalorës të tjerë tërbeç. Në Vlorë s’e gjeti. U hodh në Mallakastër, kaptoi qafën e Sinjës e zbriti në sarajet e rënda, e ballëpërballë me pallatin e Pashait, ky qe strukur sanxhaktari i Vlorës. Rrufeshëm këtu funksionoi intuita e Miros Kapedane. U kërkoi rojave të sigurisë një takim me sundimtarin e Vlorës, mbasi do t’i dorëzonte një letër shumë sekrete dhe koha nuk vhhpriste. Ata e hëngrën (e besuan). Sundimtari po zbriste. Dy plumba në ballë i nisi Mirua dhe ai ra në vend i vdekur. Kjo shqiponjë mali i shoqëroi krismat e kobures me fjalët: “Po të kthejmë borxhin, o sanxhaktar, se shumë ta kemi vonuar!”. Dhe u kthye si suferinë, bashkë me trimat e saj për në Labëri. Në Dhemblan ndodhet varri i kësaj atdhetareje. Në Tërbaç, Flamur Lushaj, si një nga pinjollët e sotëm të mëhallës së Strate, ka mundësuar ngritjen e një shtatorje të Miros në sheshin qendror, në ballkon të fshatit, si dhe ka bërë një varr simbolik me dhè, marrë atje ku mendohet se prehet Mirua, në varret e fisit Meçaj, te dajorit e saj, në Dhemblan.

Në Tërbaç, Lumin e Vlorës dhe në të gjithë Labërinë populli ka përcjellë gojë më gojë e brez pas brezi aktin e saj heroik të Miro Tërbaçit. Ja ç’thotë një variant i saj:

E shkreta Miro Tërbaçe,

Moj e rritura bonjake,

me lakëra burdullake.

nëpër dyer të Tërbaçe;

Ike, te berberi vajte:

“O berber, ore vëllamë,

premi çepetë si djalë,

se do vë dyfek e kamë,

do marr hakë për babanë,

për baban’ e për vëllanë!

dhe për kushurin’ e parë,

për të gjithë shqipëtarë.

Qëllove mbi pashallarë,

Tërbaçit se ç’i le namë!…

 untitled-1

Tërbaç (Tërë bashkë)

Kronika e takimit të sivjetshëm

Si çdo vit edhe sivjet, shoqata Tërbaçi mori masat e nevojshme për ta organizuar sa më mirë këtë takim me 20 gusht. Nuk u mjaftua vetëm me organizimin e ndonjë dreke, por u zhvilluan edhe veprimtari të tjera brenda këtij formati, për ta bërë takimin sa më të larmishëm për të gjithë pjesëmarrësit.

Siç dihet, Tërbaçi në të kaluarën është dalluar për grupet folklorike, djem dhe vajza, por koha bëri që ato të pushojnë. Për t’i riaktivizuar iu bë thirrje disa ish-pjestarëve të grupit të vajzave 1974-1978, si Shpresa, Margarita e Liliana Kapo, Baftie Dauti, Shpresa Abazi, Hava Çela e Lavdie Xhaka. Ato u treguan të gatshme, filluan përgatitjet dhe kënduan disa këngë për bashkëfshatarët e tyre, të cilat u mirëpritën për interpretimin e mrekullueshëm. Mësuesja e apasionuar Albana Gjika, si edhe herë të tjera, me kërkesë të shoqatës, organizoi një grup nxënësish me recitime nga krijimtaria e autorëve tërbaçjotë.

Në ambientet e ish-shkollës 8-vjeçare, tashmë e mbyllur, para 12 vjetësh, ishte hapur një muze i vogël historik për Tërbaçin. Me dëmtimin e shkollës edhe ky i fundit kishte pësuar dëmtime. Duke e vlerësuar si të domosdoshëm, shoqata Tërbaçi, punoi dhe e ribëri atë me disa investime modeste. Për ta shpënë në parametra normalë, u freskuan shumë materiale figurative, u zëvendësuan stendat e dëmtuara si dhe u bënë stenda të reja duke i shoqëruar edhe me materiale të reja. Në qendër është historia e heronjve, dëshmorëve dhe luftëtarëve tërbaçjot, në të gjitha kohërat.

Fjalën e mirëseardhjes në takimin e këtij viti e mbajti kryeplaku Arben Abazi, kurse kryetari i shoqatës Tërbaçi, Bexhet Rrapo, ku foli për vlerat historike të Tërbaçit si dhe punën e bërë nga shoqata. Përshëndetën gjithashtu, Hasan Hoxha, nënkryetar i shoqatës Tërbaçi; Flamur Çela, anëtar i kryesisë dhe kontribues financiar; kryetari i veteranëve të Tërbaçit, Izmir Kapo, Lavdie Nanaj, në emër të shoqatës atdhetare kulturore “Labëria”; përfaqësuesi i bashkisë Himarë, Thoma Seva; veterani nga Tirana, Ali Xhaka etj. Momenti më i bukur ishte drekimi vëllazëror në vendlindje të ndarë grupe-grupe shoqërore apo familjare.
Pjesëmarrja ishte më e mirë se vitet e tjera gjë që i dedikohet vlerësimit të vetë tërbaçjotëve, por edhe organizimit të mirë nga drejtuesit e shoqatës Vlorë, Tiranë e Fier.

Ky takim kishte shumë të veçanta, por më e rëndësishme ishte pjesëmarrja e disa përfaqësuesve të fiseve të larguar prej shumë vitesh nga Tërbaçi, rreth 200-300 vjet si, Siri Petani nga Petanajt dhe Ibrahim Lutaj nga Lutajt (Baçoj). Po ashtu mund të thuhet edhe për Veli Bufin, i cili është aktivizuar në shoqatën Tërbaçi nga fillimi.

“Mirë u takofshim vitin tjetër”! – ky ishte urimi në ndarje nga të gjithë pjesëmarrësit.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com