E ka emrin supa e Sulltanit sepse ka qenë ndër recetat e veçanta që përgatitej më shpesh e shtrohej në tryezën e Sulltanit shekuj e shekuj më parë, madje edhe kur ai priste miq apo shtronte gosti.
Sot, kjo recetë, e njohur në mbarë botën përgatitet kudo nga amvisat në kuzhinën e tyre deri tek restorantet më prestigjiozë.
Është e lehtë dhe e mrekullueshme në shije ashtu si dhe e pasur me vlera ushqyese.
Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me gatime të ndryshme, sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, byrekë të ndryshëm shtëpie, bukë të thekur etj.
AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e përsosur të kësaj supe, e cila padyshim do të shndërrohet në më të preferuarën e amvisave dhe gjithë familjes.
Përgatitja e Supës së Sulltanit
Përbërësit: 3-4 thela pule, 2 lugë gjelle gjalpë të freskët (Për një gatim më të shëndetshëm, AgroWeb.org ju sugjeron përdorimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër) 2-3 lugë gjelle miell gruri, 1 gotë me qumësht të vakët, 4-5 lugë gjelle bajame të thërrmuara, 2 të verdha veze, Lëngu i një limoni, Piper, Kripë,
Përgatitja: AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni thelat e pulës në një tenxhere.
Vendoseni tenxheren në zjarr dhe kthejini thelat nga të dyja anët derisa t’u thahen lëngjet, kaurdisini me pak gjalpë ose vaj ulliri.
Më pas shtoni rreth 1 litër ujë dhe lërini të ziejnë derisa mishi të zbutet.
Pasi mishi i pulës të ketë zjerë, largojeni nga texherja dhe copëtojeni mishin në fije-fije duke larguar kockat.
Lëngun e pulës ruajeni për të përgatitur supën.
Lëngun e pulës kalojeni në një tas dhe vendoseni tenxheren në zjarr mesatar.
AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni shtoni gjalpin, lëreni sa të shkrijë por kujdes që të mos digjet.
Sapo të shkrijë shtoni miellin, përzjeheni për 2-3 minuta derisa mielli të zverdhet pak.
Më pas, pak e nga pak shtoni qumështin e vakur dhe mos e ndaloni përzjerjen e masës. Për t’i përzierë sa më mirë mund të përdorni një rrahëse vezësh.
Pasi të keni shtuar qumështin, shtoni lëngun e pulës dhe vijoni akoma t’i përzjeni.
Shtoni në fund copat e pulës, bajamet e thërrmuara, kripën dhe piperin. Lëreni të zjejë aq sa supa të trashet mjaftueshëm. Përzjeheni herë pas here.
Pasi ta keni hequr nga zjarri, në një tas rrihni të verdhat e vezëve bashkë me lëngun e limonit.
Shtoni në po të njëjtin tas një garuzhde me lëngun e supës dhe përzjeini mirë të gjitha bashkë, në mënyrë që vezët të mos priten kur t’i shtoni në tenxheren me supë.
Shtojeni masën e vezëve dhe limonit të përzjerë me lëngun e supës ne tenxhere.
Përzjeheni mirë dhe vendoseni në zjarr edhe për 4-5 minuta.
Më pas, përzjeheni, largojeni nga zjarri dhe shërbejeni kur është ende e ngrohtë.
Për më shumë shije, kur ta shërbeni sipas preferencës spërkateni me pak majdanoz të grirë hollë dhe me disa pika gjalpë të shkrirë./AgroWeb.org