Gazetari invesitgativ, Artan hoxha ka dhënë të tjera detaje për sulmin me armë ndaj banesës së prindërve të saj. I ftuar në Report tv, Hoxha tha se në mëngjes asnjë portal nuk kishte nxjerrë lajmin, pavarësisht se ngjarja ndodhur natën. Ai tha se ka marrë në telefon edhe gazetaren Klodiana Lala e cila i ka thënë se është në punë dhe se policia nuk e ka lënë të shkojë tek banesa.
“Kanë kaluar 24 orë që nga momenti që ngjarja ndodhi. Për mua ka të bëjë me detyrën e koleges Lala. Kam parë impenjim të strukturave të policisë dhe prokurorisë, por vlen pak. Është ngjarje shumë e rëndë, sepse është reportere, syri dhe veshi i publikut. Fillimisht janë ata, e më pas nivelet e tjera të një redaksie. Është vajzë, ka 15 vite karrierë, pa lëvizur nga sektori. Ka mbuluar kronikën, gjykatat, prokurorinë. Ka mbuluar sektorin më të vështirë. Ajo që më bëri përshtypje është fakti se kishin kaluar disa orë dhe s’kishte asnjë lajm në media. Në orët e para të mëngjesit, takova një ish-drejtues policie dhe midis të tjerave më tha që kam dëgjuar këtë gjë.
Bëra një kontroll të portaleve kryesore dhe s’pashë asgjë. Më bëri përshtypje, bëra telefon tek policë të ndryshëm dhe më thanë që ngjarja ishte e vërtetë. Më dhanë të dhëna paraprake për ngjarjen. E mora Klodianën, më tha që ishte në punë. Më tha që policia s’më ka lenë të shkoj tek banesa. Çuditërisht lajmin se kam parë në asnjë media. Mediat ose nuk e dinin, megjithëse rrjetet sociale gëlojnë nga këto cicë-micet për këto ngjarje. Unë kam folur që në mëngjes. Në mesditë kam njoftuar drejtuesin e një portali, i dhashë informacionin, numrin e Lalës dhe lajmi doli në këtë formë”- tha Hoxha.