21 vjeçari Suedez Sebastian Vall i arrestuar një ditë më parë në Muriqan ndërsa po tentonte të kalonte 19 pistoleta në drejtim të Gjermanisë, do të gjykohet nga krimet e rënda në Tiranë. Dosja hetimore i është kërkuar kësaj gjykate, bashkë me akuzën e ngritur ndaj të riut, atë të “Trafikimit të armëve dhe municionit”.
Shkodranews ka mësuar se prokuroria Shkoder sëbashku me oficerët e policisë gjyqësore dhe asaj kriminalistike, kanë vepruar njëlloj si me rastin e suedezit Rose të arrestuar 5 vite më parë, duke shpallur moskompetencë dhe duke ja kaluar krimeve të rënda që të marrin në duar këtë rast.
Nga burime brenda policisë bëhet me dije se detajet që ka dhënë i riu kanë qënë sipërfaqësore, duke mos treguar se për cfarë i nevojiteshin 19 pistoletat, ndërsa për vendin e blerjes në Kosovë, nuk ka dhënë detaje. Kjo i vështirëson pozitat e tij, ndërsa menjëherë ai ka kërkuar avokat mbrojtjës nga shteti i tij. Akuza që rëndon mbi 21 vjeçarin, bazuar në nenin 278/a të kodit penal të Republikës së Shqipërisë, ai rrezikon nga 7 në 10 vite heqje lirie. Por strategjia që ai mund të përdore me gjasa do të jetë e njëjtë me bashkëkombasin e tij që u arrestua shtatorin e 2012-es, duke dalë përpara drejtësisë shqiptare për tu njohur me dënimin, e më pas burgun ta bëjë në vendlindjen e tij. Suedezi do të dalë përpara trupës gjykuese të mërkurën ose të enjten paradreke për tu njohur fillimisht me masën paraprake të sigurisë, por më herët do merret në pyetje nga oficerët e krimeve të rënda.
Neni 278/a – Trafikimi i armëve dhe i municionit
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 61) Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i armëve dhe municionit luftarak, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.