Tirana, Durrësi dhe Vlora janë tre qytetet ku ndodhin më shpesh krime.
Sipas këtyre statistikave, për 100.000 banorë në Shqipëri regjistrohen 146 krime. Ky është rezultati që del nga raporti vjetor statistikor i Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2017, bazuar në çështjet penale të përfunduara. Statistikat detajojnë shifrat e krimeve nga viti 2012 deri në vitin 2017.
Kriminaliteti, sipas këtij koeficienti, e ndan territorin e Shqipërisë në tri grupe kryesore:
GRUPI I
Kriminalitet më të lartë se mesatarja (146-200 krime për 100 000 banorë) kemi në rrethet Durrës, Krujë, Kukës, Pukë, Tiranë dhe Tropojë, etj.
GRUPI II
Kriminalitet që në koeficient është i përafërt me mesataren e vendit (100-144 krime për 100.000 banorë) ka në rrethet Fier, Gjirokastër, Kavajë, Kurbin, Sarandë Shkodër, etj.
GRUPI III
Kriminalitet me vlera nën mesataren e vendit (50-99 krime për 100.000 banorë) kemi në rrethet Elbasan, Korçë, Përmet, Pogradec. Po të bëjmë krahasimin me vitet 2012 deri në vitin 2016 kriminaliteti në vend ka pasur luhatje.
KRIMET PËR 100 MIJË BANORË
125 krime në vitin 2012
175 krime në vitin 2013
134 në vitin 2014
156 krime në vitin 2015
144 krime në vitin 2016
Nëse do të analizojmë llojin e veprave penale që konsumohen dhe për të cilat gjykatat japin vendim përfundimtar nga tabela e Ministrisë së Drejtësisë, krimin më të ashpër e ndeshim në rrethet: Durrës, Tiranë, dhe Vlorë ku në raportin krime-kundërvajtje kemi p.sh.: në rrethin e Durrësit nga 820 çështje të gjykuara, 545 janë për krime dhe 275 kundërvajtje, pra 63% janë krime; në rrethin e Tiranës nga 3,485 çështje të gjykuara, 1,987 janë për krime dhe 1,498 kundërvajtje, pra 53% janë krime, ndërsa në rrethin Vlorës nga 782 çështje të gjykuara, 433 janë gjykuar për krime dhe 349 për kundërvajtje ose 51% e tyre janë krime.