Artistja shqiptare Ledi Shabani “turpëron” gazetarin italian që e akuzon për braktisje të “Vlorës”. Ajo rrëfen për “Shekullin” se si reagojnë emigrantët shqiptarë para skulpturës kur zbresin nga trageti. Si dhe zbulon disa nga “sekretet” e projekteve të ardhshme
Anila Dedaj
Shqiptarët sapo zbresin nga trageti, drejtohen për të fotografuar anijen më të veçantë të portit të Barit. Afrohen, bëhen kuriozë dhe sapo lexojnë “Vlora” marrin një pamje melankolike. Pastaj lumturohen, pasi kjo është memoria, aty është shqiponja edhe një pjesë e historisë. Bëhet fjalë për “Anijen e shpresës”, skulpturën e artistes Ledi Shabani, që kujton zanafillën e emigrimit për shumë shqiptarë. Edhe pse italianët, ashtu si edhe mediet e vendit fqinjë e kanë mirëpritur duke e cilësuar si “anijen e mirënjohjes”, dikush padrejtësisht e quan monumentin si “të braktisur” apo “të ndryshkur”. Gazetari Daniele Leuzzi, i cili shkoi në “Borderline 24”, me sa duket i painformuar, rrezikon të mbetet i turpëruar pasi artistja shqiptare i argumenton se “Vlora” është e përbërë me materialet më cilësore dhe ajo që ai ka quajtur abandonim, është në fakt “efekti skenik”. Në këtë intervistë për “Shekullin” Shabani shpreh qëndrimin e saj si dhe zbulon dëshirën që “Vlora” të mbërrijë në portin e Durrësit dhe atë të Brindisit.
Mediet italianet kanë shkruar rreth “ndryshkjes” së monumentit “Anija e shpresës”, çfarë po ndodh në realitet me veprën tuaj 20 ditë pas inaugurimit?
Një gazetar i një medie online, fatkeqësisht i painformuar për materialet që janë përdorur për këtë vepër, ka quajtur çelikun e oksiduar, metal. Ndërsa gurin e bardhë të qytetit, Tranin e ka përmendur si mermer. Pra është bërë një artikull i rremë, rreth të cilit kam sqaruar situatën që të përgënjeshtrohej.
Mund të na e shpjegoni se çfarë mesazhi përcillet me një efekt të tillë skenik?
Korten Çeliku që unë kam përdorur është një nga materialet më të përdorura nga arkitektët bashkëkohorë për efektin e saj ekspresiv dhe për kromatizimin karakteristik. Pra, duket si diçka antike, e vjetër falë efektit “të ndryshkut” që reflekton. Dallohet për rezistencën e lartë dhe po ashtu për cilësitë e veçanta estetike të dhëna nga oksidimi i kontrolluar. Ngjyra ndryshon, në fakt, në rrjedhën e oksidimit nga një ngjyrë portokalli fillestare në një ngjyrë të kuqe-kafe. Kalimi i kohës nuk e shkatërron materialin, por përkundrazi jep atë aspekt “të jetuar” që kërkojnë arkitektët dhe projektuesit. Shumë vepra arti janë të realizuara nga artistë, arkitektë, në të gjithë botën dhe po ashtu i shikojmë në pavijone të ekspozitave të EXPO-së kudo nëpër botë.
Ledi, kjo skulpturë për ju është një mënyrë për të lidhur më shumë dy vende si Italia dhe Shqipëria. Si është pritur nga qytetarët e Barit?
Duke pasur parasysh rëndësinë aktuale të temës së emigracionit që tani përfshin gjithë Evropën dhe duke pasur historinë e jashtëzakonshme të Vlorës, ajo menjëherë ngjall interesin dhe miratimin e institucioneve, kompanive dhe profesionistëve që pranuan dhe u bashkuan në kauzën financimin e projektit. Po ashtu qytetarët e Barit na përgëzuan për këtë projekt.
Po shqiptarët çfarë reagimi kanë pasur?
Gjithashtu dhe nga shtetasit shqiptarë u mirëprit kjo vepër që u kujton atyre fenomenin e migracionit. Disa prej tyre zbresin nga trageti dhe afrohen për të bërë një fotografi, si dhe shprehin kureshtje e duan të kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë. Por sapo lexojnë “Vlora”, kujtojnë historinë e së kaluarës. E shikojnë me një pamje të trishtuar, por në të njëjtën kohë lumturohen duke menduar që nga atje filloi udhëtimi për shumë nga ne. Për ne që jetojmë këtu, Italia është bërë si një vendi i dytë “nënë” pavarësisht se familjet tona janë në Shqipëri. E njëjta gjë për Italinë, Shqipëria është rajoni tjetër përtej Adriatikut.
Brenda një kohe të shkurtër po flitet për ty si autorja e skulpturës së “mirënjohjes”?
Kënaqësi e madhe dhe dëshirë për ta ndarë këtë vepër me botën, për të kujtuar për ata që harrojnë lehtë çfarë ndodhi në gusht të vitit 1991. I gjithë qyteti i Barit u mobilizua, duke ndihmuar rreth 20 000 njerëz që vinin nga ana tjetër e detit.
Për ata që ende nuk e kanë dëgjuar mund të thuash diçka më tepër rreth krijimit të kësaj skulpture. Si lindi ideja dhe sa kohë u desh për realizimin e saj?
Nga skica deri në punën përfundimtare, u deshën 3 muaj punë. Zgjedhja e materialeve është studiuar në detaje, duke marrë në konsideratë qëndrueshmërinë e gjatë dhe pastaj zonën ku është vendosur puna. Për erën, diellin dhe ndryshimet e motit, lidha menjëherë idenë e përdorimit të dy materialeve shumë rezistente si guri i Tranit dhe çeliku Korten. Ky projekt, që ishte në parim ideja ime, u mirëprit nga shoqata artistike “Noi che l’arte” dhe autoriteti i portit që e pëlqeu dhe ra dakord. Ideja vjen si rezultat i qëndrimit tim të gjatë në qytetin e Barit, në të cilin, pas viteve të studimit, punës dhe përvojës midis Italisë dhe Shqipërisë, si artiste e ndjeva nevojën të dhuroja veprën që përmbante një mesazh të “Shpresës”.
Nëse do të riktheheshe në kohë do ta realizoje njësoj?
Patjetër që po. Shpresoj që një kopje e atillë të jetë e mundur e të pozicionohet gjithashtu në Durrës, Brindizi etj. Jam shumë e sigurt që do të bënte efektin e vet edhe në këto porte.
Jeni shprehur se mesazhet sociale janë në fokus të punës suaj, cilat janë projektet e ardhshme?
“In cantiere” (Në kantier), kam projekte shumë interesante. Natyrisht disa prej tyre përmbajnë një mesazh të fortë dhe me siguri nevojitet kohë studimi dhe në të njëjtën kohë duhet të kenë vëmendjen e njerëzve të duhur. Projekti i ardhshëm do të doja të kujtonte Kalabrinë. Kjo të mbetet midis nesh. Me siguri projekti do të zbulohet në kohën e duhur./shekulli