Jemi në vitin e katërt radhazi të ekspeditës në Alpet e Shqipërisë, në parkun kombëtar Nikaj-Mërtur. Pas një ekspedite të parë vëzhguese në vitin 2014, lindën projektet Curraj (2015-2016) dhe Shtarë 2017, një bashkëpunim i frytshëm mes GSM, GS Faentino, GSB-USB dhe “La Venta” nën drejtimin e SSI-së, shkruan portali që i kushtohet speleologjisë, “scintilena.com”.
Të hënën më 20 gusht, filloi projekti Shtarës 2018 me 17 speleologë nga Italia. Objektivat që kemi vendosur nuk janë shumë, por janë veçanërisht të vështira.
Vitin e kaluar kemi filluar eksplorimin e Shpellës së Shtarës ku përshkruam rreth 2,7 km galeri, por aroma e saj e fortë dhe e ftohtë na linte të kuptonim se ishte një hyrje e ulët. Këtë vit do të përballemi me eksplorimin e tri ngjitjeve në shpellë, por pritshmëritë janë të larta.
Një tjetër surprizë erdhi vitin e kaluar, kur nëpërmjet eksplorimit me dron zbuluam një shteg të hapur paralelisht me pjesën ekstreme të Malit të Shtrezës, që ishte e pamundur të shihej në një tjetër mënyrë.
Ky do të jetë objektivi i katërt, ndoshta më i bukuri, 150 m ngjitje nga jashtë që do të detyrohemi ta bëjmë me radhë për të arritur ta eksplorojmë. E dimë që tani se me shumë mundësi do të përfundojmë në Shpellën e Shtarës, por kemi shpresë që të na japë mundësinë të hyjmë në ndonjë nivel të lartë të shpellës.
Një objektiv tjetër do të jetë ai i skuadrës së speleologëve alpinistë, që për katër ditë e tri netë do të bëjnë një eksplorim rreth pjesës së sipërme të Malit të Shtrezës. Fotot nga sateliti tregojnë depresione të mëdha akullnajore-karstike dhe disa shenja të zeza që mund të jenë hyrje të reja në lartësi.
Me siguri që ky është objektivi më sfidues, pasi mali është i ashpër, pa bimësi dhe gati pa burime uji, sikurse janë zakonisht malet karstike. Por surprizat nuk do të mungojnë.
Më 27 gusht, një pjesë e grupit të ekspeditës do të rikthehet në itali, ndërsa të tjerët do të vazhdojnë drejt jugut për t’u spostuar në një tjetër formacion të mrekullueshëm karstik, Mali me Gropa.
Në vitet ’90 një grup speleologësh nga Pulja zhvilluan këtu një ekspeditë, por gjithçka që ata panë mbeti në atë ekspeditë. Ka ardhur koha që të rikthehemi!/atsh